Opozita ka vlerësuar se Qeveria aktuale do të hyjë në histori për diskriminim të qytetarëve të vendit, duke ndarë mjete më shumë për ato komuna prej nga vijnë vetë krerët e saj.
Ato komuna të cilat kanë në krye udhëheqësit e partisë në pushtet kanë gjithmonë hise më të madhe. Kanë akuzuar qeverinë partitë opozitare të hënën në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë qe edhe pas shumë diskutimesh dhe vërejtjeve në parim është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2010.
Opozita ka vlerësuar se Qeveria aktuale do të hyjë në histori për diskriminim të qytetarëve të vendit, duke ndarë mjete më shumë për ato komuna prej nga vijnë vetë krerët e saj. Nga ana tjetër ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, gjatë prezantimit të projektligjit ka thënë se është një sukses i arritur i Qeverisë së Kosovës pas shumë konsultimeve me dikastere të caktuar dhe me faktorë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ai ka thënë se ndryshimet e bëra në rishikim kanë ndikuar edhe në kornizën afatmesme për periudhën 2011-2013 që tashmë është harmonizuar.
Ky proces nuk përfshinë kërkesat për shpenzime shtesë, nga disa organizata buxhetore, por vetëm ato kërkesa që janë në harmoni me FMN-në, ka thënë ai. Shala ka deklaruar se krahasuar me buxhetin fillestar me këtë rishikim është arritur një ngritje prej 7.5 për qind e të hyrave, ndërkaq sipas tij, rezerva e shtetit është rritur nga 200 në 240 milionë euro.
Naser Osmani, nga radhët e LDK-së, ka bërë disa vërejtje për rishikimin e buxhetit, por megjithatë ai ka shprehur mbështetjen e plotë të grupit parlamentar për projektligjin për rishikimin e buxhetit.
Ndërsa opozita, duke paralajmëruar kundërshtimin për buxhetit, ka bërë vërejtje të shumta sa i përket ndarjes së mjeteve nëpër komuna. Ardian Gjini, nga radhët e AAK-së, ka akuzuar Qeverinë për diskriminim të qytetarëve të vendit, duke investuar në ato komuna prej nga vijnë krerët e saj dhe duke anashkaluar komunat ku qeverisë AAK-ja.
Me ndarjen krahinore e shkatërrojnë solidaritetin mes njerëzve dhe e dinë sa i rëndësishëm është solidariteti mes njerëzve. Nuk guxojmë të lejojmë diskriminim. Ai nuk po zvogëlohet, por po rritet, ka thënë Gjini, duke shtuar se në komunat ku qeverisë PDK-ja, është ndarë buxhet për kokë banori 45 herë më shumë, sesa në komunat ku qeverisë AAK-ja.
Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, ka thënë se projekt buxheti nuk reflekton prioritetet e vendit, por tregon fokusin e qeverisë në shpenzimet e prezantuara në këtë buxhet, e që sipas tij, do ta sjellin Kosovën në deficit të rrezikshëm.
Ai si mangësi të madhe e sheh mbledhjen e të hyrave nga kufiri, e që sipas tij, kjo tregon qartë se ka ngecje të hyrave vendore dhe rënie nga buxheti fillestar. Po ashtu Makolli ka thënë se investimet në infrastrukturën rrugore janë politike dhe përqendrohen në komunat ku qeverisë PDK-ja.
Lulzim Zeneli nga LDD-ja ka thënë se rishikimi i buxhetit është vetëm një vazhdim i paaftësisë së kësaj qeverisje, për të planifikuar dhe menaxhuar shtetin e pavarur të Kosovës.
Kemi të bëjmë me një planifikim të dështuar në kuptimin e asaj që presin qytetarët. Të dështosh në planifikim, do të thotë të planifikosh dështimin, është shprehur Zeneli.
Ai ka thënë se ky projekt buxhet është në kundërshtim me kornizën afatmesme të shpenzimeve buxhetore. (zëri)