E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Vepra e tij më e njohur është romani "Emri i trëndafilit", i cili është përkthyer në 43 gjuhë dhe është shitur në mbi 30 milionë ekzemplarë.
Ndërroi jetë shkrimtari italian, Umberto Eko

Shkrimtari dhe filozofi italian, Umberto EKo ndërroi jetë mbrëmë në moshëm 84-vjeçare, kumtuan mediumet italiane.

Eko, i cili vuante nga kanceri, ndërroi jetë në shtëpinë e tij. Mediumet shkruajnë se "bota humbi një nga njerëzit më të rëndësishëm të kulturës bashkëkohore".

Vepra e tij më e njohur është romani "Emri i trëndafilit", i cili është përkthyer në 43 gjuhë dhe është shitur në mbi 30 milionë ekzemplarë.

Është autor edhe i një numri të madh të eseve dhe librave nga teoria e artit, linguistika, ndërkaq shkroi edhe kritika letrare dhe libra për fëmijë.

Eko ka pranuar çmimin Premio Strega - çmimi më i madh letrar në Itali, ndërsa ka marrë edhe shpërblimin e madh të nderit në Francë.

Ai ka lindur në Aleksandri, më 5 janar të vitit 1932. Diplomoi për filozofi në Universitetin e Torontos më 1954, është marrë me Shekullin e mesëm dhe estetikën e tekstit. Më vonë e definoi semiotikën si "filozofi të gjuhës". I takonte lëvizjes letrare Grupi 63.

Vitin e kaluar, gjatë një interviste për gazetën "Gardian", Eko deklaroi se shkrimit i qaset me dëshirën për ta "ndryshuar" lexuesin.

"Nuk e di se çka pret lexuesi. Konsideroj se autori duhet ta shkruajë atë që lexuesi nuk e pret. Problemi nuk është të pyetet se çka u nevojitet, por të ndryshohen", theksoi shkrimtari italian.

Lajmin për vdekjen e shkrimtarit dhe filozofit të famshëm e ka konfirmuar familja e tij që ka thënë se ai ka vdekur mbrëmë rreth orës 22:30 në shtëpinë e tij.


I dashur nip, përdor kujtesën!

(Shkrimtari i njohur italian, Umberto Eko, i shkruan nipit të vet. Me një gjykim personal mbi teknologjinë e kohës ai jep një këshillë që i vlen të ardhmes: të mësojë përmendsh vjershat e njohura por edhe formacionet e skuadrave të futbollit, gjithashtu edhe shërbëtorët e tre musketierëve. Se interneti nuk zëvendëson dot dijet e njeriut dhe kompiuteri nuk i ze dot vendin trurit )

I dashur nipçe

Nuk do të desha kurrë që kjo letër, në prag Krishtlindjesh, të tingëllonte si ta kish shkruar De Amiçis (Autori i librit për fëmijë “Zemra” Shën. i përkth) e të zgjatesha mbi dashurinë për të afërmit, për atdheun, botën e për gjëra të ngjashme. Nuk do të ma vije veshin e në çastin që do të të shkrepte t’i vije në punë, (ti i bërë burrë e unë shkuar me të shumtit) sistemi i vlerave do të kish ndryshuar aq shumë sa do të kishte të ngjarë që këshillat e mia të dukeshin të vjetëruara.

Prandaj do të desha të ndalem veç në njërën këshillë, që ti mund ta ndjekësh që sot, teksa endesh përmbi iPadin tënd dhe nuk do të bëj aspak gabimin që të ta zvjerdh këtë instrument, ngaqë jo vetëm trembem se dukem si gjyshët e qëmotit, por edhe ngaqë atë tani e përdor edhe vetë. E shumta do të të rekomandoja që nëse do të qëllosh të jesh në një nga ato faqet porno, që tregojnë marrëdhëniet mes dy qënieve njerëzore, ose mes një qënie njerëzore dhe një kafshe, në mijëra e mijëra mënyra, përpiqu të mos e besosh se seksi është ky, që meqë ra fjala është mjaft monoton, ngaqë është ndërtuar aty enkas për mos të të lënë ty të dalësh nga shtëpia e të vështrosh vajza të vërteta. Nisem nga parimi se ti je heteroseksual përndryshe përshtati rekomandimet e mia për tipin tënd: por ama hidhu e shih vajzat e shkollës ose ato nga ti shkon të lozësh, sepse janë më të mira ato të vërtetat se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më shumë se ato online! Besoi një njeriu që ka më shumë përvojë se ç’ke ti (e nëse do të kisha parë në kompiuter vetëm skena seksi, yt atë nuk do të kish ardhur në këtë botë e aq më pak do të kishe ardhur ti).

Po nuk është ky thelbi i letrës sime. Dua të të flas për një sëmundje që ka prekur keq brezin tënd dhe bile brezin e shokëve të tu më të rritur që, për më tepër, ndjekin dhe universitetet: humbjen e kujtesës.

Èshtë e vërtetë se po të shkrepi të dish kush ishte Karli i Madh, apo ku bie Kuala Lumpuri, nuk të duhet veçse të shtypësh ca butona të internetit e ai ta thotë menjëherë. Bëje këtë sa herë të kesh nevojë, por sapo ta kesh bërë, mundohu të mbash mend atë që zbulove, që të mos detyrohesh pastaj ta kërkosh edhe një herë tjetër kur të të paraqitet nevoja për të, fjala vjen, për ndonjë detyrë shkollore. Rreziku është që meqë mendon se kompiuteri të përgjigjet në çdo çast ti do të humbësh dëshirën për të mbajtur diçka në kujtesën tënde. Do të ishte pak a shumë njësoj si për të shkuar nga rruga iks në rrugën ipsilon mësohesh të përdorësh autobusin apo metronë që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (dhe nuk them mos e bëj, se vërtet është udhëtim më komod dhe nganjëherë mund të kesh edhe ngut). E kështu ti do të mendosh se nuk ke nevojë as të ecësh në këmbë. Por po nuk lëvize këmbët, do të përfundosh ulok, që sot nuk e cilësojnë kështu, ngaqë nuk duan të fyejnë ata që lëvizin me kulltukë me rrota. Mirë, mirë, e dij që merresh edhe me sport dhe vetvetiu ia di të mirat lëvizjeve trupore, por lemë t’i kthehem trurit tënd.

Kujtesa është një muskul njësoj si ata të këmbëve dhe po nuk e përdore ai vyshket, kështu që ti bëhesh (nga pikpamja mendore) ulok dhe kësisoj (të flasim hapur) një copë idioti. E shtojmë këtu, që meqënëse për këdo është rreziku që kur plakesh vjen e të godet sëmundja e Alzheimerit, një nga mënyrat t’i shpëtosh kësaj gjëme është të ushtrosh pambarimisht kujtesën.

Ja pra ku e ke dietën time. Çdo mëngjes mëso dy tri vargje, ndonjë vjershë të shkurtër ose bëj siç na thoshin të bënim ne, të mësonim “Pelën balashe” apo “E shtuna e fshatit” ( (e para është poezi e Xhovani Paskolit, kurse kjo e dyta Xhakomo Leopardit, poemth tepër popullor, me domethënien paradoksale se vigjilja është, në fakt, më e bukur se vetë festa. Shën i përkth).). Fundja hyrë në garë me shokët për të parë se kush mban mend më shumë. Po nuk të pëlqeu poezia, mbushe kujtesën me formacionet e skuadrave të futbollit, por kujdesu që të mos renditësh vetëm lojtarët e Romës së sotme por merr edhe ata të skuadrave të tjera, bile, dhe të atyre që nuk lozin më (përfytyro, unë mund të të rendis formacionin e Torinos, të asaj skuadre që me aeroplanin ku ndodheshin të gjithë, u përplas me malin e Supergas e vdiqën në grup: Baçigalupo, Ballarini, Maroso e të tjerët). Bëj gara kujtese qoftë edhe me librat që ke lexuar (kush ishte në anien Hispaniola kur kërkonin ishullin e thesarit? Po lordi Trelaney, kapiteni Smollet, doktori Livesey, Long Xhon Silveri, Xhim…). Verë re mbase shokët e tu do të kujtojnë emrat e shërbëtorëve të tre musketierëve dhe të D’Artanjanit (Grimonë, Bazenin, Musketonin dhe Planshetin)… E po nuk deshe të lexosh “Tre Musketierët” (kështu që nuk do të marrësh vesh kurrë se ç’ke humbur) hyrë në garë, me ndonjë nga historitë që lexoni ju.

Duket si lojë, (dhe në fakt lojë është) por do ta shikosh se si e qysh koka jote do të popullohet me personazhe, historira dhe kujtime lloj lloj. Do ta vrasësh mendjen se përse kompiuterat vite e vite më parë quheshin tru elektronikë dhe përse qenkëshin konceptuar me modelin e trurit tënd dhe tonit. Por truri ynë ka më shumë nyje lidhëse se sa ka kompiuteri dhe është ai farë kompiuteri që ti e merr me vete ngado që shkon e që rritet dhe fuqizohet tek ushtrohet, teksa ai kompiuter që mban mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë ai e humb shpejtësinë dhe mbas tri katër vjetësh të duhet ta ndërrosh. Truri yt, në të kundërt, sot mund të zgjatë deri nëntëdhjetë vjet dhe kur të jesh nëntëdhjetë (po ta kesh mbajtur në punë) do të kujtojë edhe më shumë gjëra se sa të kujton tani. E do t’i kesh ato pa shpenzuar qindarkën!

Kemi pastaj kujtesën historike që nuk merret me hollësitë e jetës tënde dhe as me ato që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur më parë se ti të vije në jetë.

Sot kur vete në kinema duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi e kur filmi nis të shfaqet duket sikur dikush të merr përdore e të rrëfen se çfarë po ndodh. Në kohën tonë mund të futeshe në kinema në çfarëdo kohe, dua të them, edhe në mes të shfaqjes dhe e zije filmin ndërsa aty ndodhnin disa ngjarje e ti përpiqeshe të kuptoje se çfarë pat ndodhur më parë (më vonë, duhet të rrije kur filmi të niste nga e para që të mësoje në e kishe kuptuar drejt të gjithë historinë e filmuar, – lere më pastaj, që po të të kish pëlqyer shfaqja mund të rrije ta shikoje edhe përsë dyti atë pjesë që pate parë). Ja, jeta është si një film i atyre kohërave. Ne hyjmë në jetë kur tashmë kanë ndodhur shumë e shumë gjëra qysh prej qindra e mijëra vjetësh. Dhe është e rëndësishme që ne të mësojmë se çfarë ka ndodhur para lindjes tonë; shërben për të kuptuar përsetë e shumë gjërave të reja që ngjasin sot.

Tani shkolla (veç leximeve që ti bën për qejfin tënd) duhet të të mësojë që ti të futësh në kokë gjithëçka ka ndodhur para ardhjes tënde në këtë botë, por duket që nuk e bën mirë pasi shumë vëzhgime na thonë se çunat e sotëm, edhe ata më të rriturit që frekuentojnë shkollat e larta, kur janë lindur të themi në vitin 1990, nuk dijnë (ose nuk duan të dijnë) se çfarë pat ndodhur më 1980, (të mos flasim pastaj për ato që kanë pasë ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë që po të pyesësh disa prej atyre djemve se kush ka qenë Aldo Moro, të përgjigjen se Moroja ka qenë kapoja i Brigatave të Kuqe- teksa të gjithë e dijnë që Brigatat e Kuqe e vranë atë.

Të mos flasim për Brigatat e Kuqe se ato mbeten të panjohura edhe për shumë të tjerë paçka se përbënin të tashmen e tridhjetë vjetëve më parë. Unë jam lindur në vitin 1932 , dhjetë vjet pasi fashizmi pat ardhur në fuqi, por ama e dija se kush ishte kryeministër në kohën që nisi Marshimi mbi Romën (ç’është Marshimi(?), do të thuash ti). Mbase shkolla fashiste ma pat mësuar mua për të më vënë në dukje se sa hajvan dhe sa i keq ishte ai burrë që fashistët u detyruan ta heqin që andej e të vinin një tjetër. E mirë, por ama e dija. E pastaj, ta lemë shkollën, një djalosh nga këta të sotmit nuk di cilat qenë artistet e kinemasë të njëzet vjetëve më parë ndërsa unë e dija kush ishte Françeska Bertini, që luante në filmat pa zë, njëzet e ca vjet para se unë të lindesha. E dija mbase ngaqë shfletoja togun e revistave në kanistrat e vjetra të shtëpisë sonë, por ja, të ftoj të shfletosh dhe ti revista të vjetra sepse është edhe kjo një rrugë njohurish për ato që kanë ngjarë para ardhjes tënde.

Po përse vallë na qenka kaq e rëndësishme të dijmë se çfarë ka ndodhur më parë?

Sepse shumë herë ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se përse ndodhin ca gjëra sot e, sidosi, ashtu sikurse formacionet e futbollistëve është një mënyrë pasurimi e kujtesës

Mos harro ama, se kjo nuk bëhet vetëm me libra dhe revista por bëhet mirë e bukur edhe me internet. Që është jo për të bërë llogje (le ta themi kështu) por gjatë atyre llogjeve të merremi dhe me historinë e botës. Kush ishin kamisardët? Si quheshin tri karavellat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po barkës së Noes a mund t’i vihej një timon? Kishte më shumë tigra njëqind vjet më parë, apo ka më shumë sot? Kush ka folur për perandorinë e Malit? Po ky tjetri, kush ishte, që fliste për Perndorinë e të Keqes? (Lojë fjalësh me Malin – shtet aziatik, dhe termin italisht “il male” – “e keqja”. Shprehjen “Perandori e të Keqes” e pat përdorur Presidenti Regan për Bashkimin Sovjetik. Shën. i përkth). Cili ka qënë papa i dytë në historinë e kishës? Kur na u shfaq Topolinoja?

Mund të vazhdoja pa mbarim e do të ishin të gjitha aventura të pasurimit me dije. E të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur të jesh i moshuar e do të ndihesh sikur të kesh jetuar mijëra jetë, se do të të duket sikur ti të kesh qënë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, sikur të kesh parë me sytë e tu vrasjen e Jul Qezarit e sikur të kesh qenë dy hapa larg atij vendi ku Bertoldoja i Zi, duke përzjerë pluhurat në një mortajë për të gjetur rrugën si e qysh të prodhonte floririn, zbuloi gabimisht barutin që e flaku përpjetë (e mirë ia bëri!). Shokë nga ata të tutë nuk do ta kenë lëruar e mbjellë kujtesën e tyre, do të kenë jetuar kësisoj vetëm njëzë jetë, të tyren, që duhet të ketë qënë shumë e mërzitshme dhe e varfër, pa përjetime interesante.

Punoje kujtesën tënde pra, nipçe, dhe që nesër futju të mësosh përmendësh “ Tereza trazavaçen” (Vjershë klasike për vocërrakët, shkruar nga poeti Luixhi Sailer, rreth njëqindepesëdhjetë vjet më parë. Shën. i përkth)

Përktheu Pëllumb Kulla/ Janar 2014

Publikuar: 20.02.2016 | 12:47
Lexuar: 643 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime