E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Ana Karenina” e Leo Tolstoit u shpall si libri më i mirë i të gjitha kohërave.
10 shkrimtarë më të famshëm të të gjitha kohërave


Në një studim të revistës “TIME” duke mbledhur mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme kanë vlerësuar autorët më të shquar të të gjitha kohërave.

Jo dhjetë shkrimtarët më të mirë, por më të famshmit. Shkrimtari rus Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i famshëm botëror. Më pas vjen Uilliam Shekspir.

Ndërkohë në një listë tjetër po të revistës TIME, Tolstoi zinte sërish vendin e parë. Këtë herë për librin më të mirë të historisë.

“Ana Karenina” e Leo Tolstoit u shpall si libri më i mirë i të gjitha kohërave.

Historia klasike e Leo Tolstoit mbi një dashuri fatkeqe, është një nga novelat më të admiruara në literaturën botërore.

Gjenerata të tëra lexuesish janë magjepsur nga heroina e tij e mrekullueshme, me një martesë jo të lumtur të Ana Kareninës dhe marrëdhënies së saj tragjike me kontin e pashëm Vronski.

Në botën e tyre, lidhjet e parëndësishme janë të zakonshme, por pasioni që lind mes Anës dhe Vronskit i kthen ata në objekt përçmimi dhe çon në izolimin e Anës.

Mënyra se si marrëdhënia e tyre shkatërrohet është në kontrast të plotë me gëzimin që rrethon miqtë dhe familjen e saj, sidomos çiftin e ri Kiti dhe Levin, që përjetojnë një marrëdhënie prekëse.

Ana Karenina është një kryevepër, jo vetëm për gruan e paharrueshme që përjeton dramë në fatin e saj, por gjithashtu sepse ajo eksploron dhe hedh dritë mbi pyetjen e madhe se si duhet jetuar plotësisht jeta!

Në këtë listë në vend të dytë vinte kryevepra e Gustav Flobert “Madam Bovari”. Ndërkohë rusi Leo Tolstoi vinte sërish në këtë listë me vendin e tretë që e zë me veprën “Lufta dhe Paqja”.

Leo Tolstoi ishte i vetmi autor që në këtë listë është më dy libra.

Në atë listë nuk kishte si të mbetej jashtë “Aventurat e Hakëleberri Fin” të shkrimtarit të famshëm, Mark Tuein. Gjithashtu në listën e librave Uilliam Shekspir me kryeveprën e tij “Hamleti”.

1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.

2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar i dyti. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.

3. Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).

4. Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar i katërti. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.

5. Fjodor Dostojevski, shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar i pesti. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.

6. Uilliam Folkner, shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar.

Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkënditjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”

7. Çarls Dikens, shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar i shtati. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme.

I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.

8. Anton Çehov, konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet i teti nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.

9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.

10. Xhejn Ostin është shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj.

Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”.

Publikuar: 25.02.2016 | 04:59
Lexuar: 750 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime