E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nuk ka dilemë se Serbia akoma e quan të papërfunduar “betejën e Kosovës” dhe fushata diplomatike që ka ndërmarrë duket si tentim për të dalë me dinjitet nga kjo situatë. Mbase nuk është e rastësishme simbolika që një betejë e humbur (beteja e 1389 në Fushën e Kosovës) ka domethënie të veçantë në konceptin serb mbi historinë, traditën dhe identitetin kombëtar.
Realiteti i Kosovės dhe skenarėt serbė







Ermira MEHMETI

“...Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, [si] jeta, liria dhe lumturia... Se sa herë që, cilado qoftë formë e qeverisjes bëhet destruktive ndaj këtyre qëllimeve, është e drejta e njerëzve për ta ndryshuar apo rrëzuar atë, dhe për të vendosur qeverisje të re, e cila bazohet mbi parime të tilla dhe organizon pushtetin e saj në formë të tillë, çfarë atyre do t’u duket më e përshtatshme për të efektuuar sigurinë dhe lumturinë...”

Kështu proklamon Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve, e shpallur në vitin 1776. Pavarësia e Amerikës ka qenë dhe mbetet frymëzim për popujt e shtypur për t’i vënë fund tiranisë dhe pushtetit despotik, dhe simbol i luftës për liri dhe përpjekjeve për barazi të popujve të ekspozuar ndaj vuajtjeve, abuzimeve dhe uzurpimeve të pronës së tyre.

Pikërisht pavarësia e Amerikës që u festua këto ditë u bë shkas për t’u rikthyer në pavarësinë e Kosovës si aktualitet. Në momentet që po shkruaj këtë tekst, opinioni është në pritje të fillimit të seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur me kërkesë të Presidentit të Serbisë Tadiq, në lidhje me incidentin e të premtes që shkoi në veri të Mitrovicës ku një person u vra, ndërsa 11 të tjerë u plagosën. Në ndërkohë po në Mitrovicë u plagos një deputet i Parlamentit të Kosovës, ndërsa është hapur zjarr ndaj korrespodentit të një agjencie lajmesh.

Nuk ka dilemë se Serbia akoma e quan të papërfunduar “betejën e Kosovës” dhe fushata diplomatike që ka ndërmarrë duket si tentim për të dalë me dinjitet nga kjo situatë. Mbase nuk është e rastësishme simbolika që një betejë e humbur (beteja e 1389 në Fushën e Kosovës) ka domethënie të veçantë në konceptin serb mbi historinë, traditën dhe identitetin kombëtar.

Në këtë frymë janë të gjitha prononcimet e lidershipit “të reformuar e progresist” serb për mosnjohje të pavarësisë dhe sovranitetit të saj. Më e keqja akoma, Serbia duket se revanshin final në betejën e Kosovës, e sheh pikërisht ne propozimin për të cilin tashmë po lobon hapur e sipas të cilit Kosova do të ndahej sipas modelit të Qipros. Është hipokrizi që një shtet që pretendon të jetë liruar nga logjika shoviniste e gjenocidale e Millosheviqit, në kohën e integrimeve kërkon ndarje dhe shkëmbim territoresh, ndërsa aspiron që të jetë pjesë e Europës multietnike, multigjuhësore e multikonfesionale!

Në pritje të skenarit serb të përgatitur për opinionin botëror që pritet të startojë pasi të ketë shkuar për botim ky shkrim, më vjen ndërmend hambari në fshatin Krushë e Madhe të Kosovës. Viti 1999. Në javën e parë të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe kishin grumbulluar të gjithë burrat e fshatit, i kishin futur në hambar, dhe i kishin radhitur në radhë. Pastaj kishin hapur zjarr nga automatikët, dhe për t’ua zhdukur gjurmët, kufomat e ekzekutuara i kishin djegur.

Në Krushë të Vogël kishte ndodhur e njëjta tragjedi, vetëm se atje, hambarin me burrat e ekzekutuar të fshatit e kishin granatuar dhe e kishin mbuluar me dhe. Në bregun e lumit Drini i bardhë gjetëm eshtra njerëzish e rroba civilësh. Dëshmitarët rrëfenin se si një kamion i ndezur flakë ishte shtyrë në lum dhe se rimorkioja kishte qenë plot me kufoma shqiptarësh të ekzekutuar. Më erdhi ndërmend varri masiv në fshatin Bellacerkë në afërsi të Rahovecit. Gjetëm burra, gra dhe fëmijë të ekzekutuar nga afërsia. Kujtoj ceremoninë e varrimit të banorëve të fshatit Celinë, një varrim masiv që u transmetua edhe në BBC. Kujtoj dhe Qyshkun ndërmjet Deçanit e Pejës, ekshumacionin e të ekzekutuarve në varrezat e qytetit të Pejës dhe familjarët e fshatit Lubeniq që vinin për të identifikuar të afërmit.

Pastaj Meja e Korenica në periferi të Gjakovës; kujtoj rrugën e Qabratit në Gjakovë ku banorët akoma vazhdojnë të shpresojnë t’i gjejnë burrat e zhdukur. Pastaj më bie ndërmend varri masiv në afërsi të fabrikës së Feroniklit në Gllogoc, Drenicë: nga shpejtësia, nuk e kishin mbuluar varrin mirë dhe një dorë njeriu kishte mbetur mbi dhe, si për të treguar se aty fshihej një krim mizor i kryer ndaj shqiptarëve. Mbaj mend rrëfimet e dëshmitarëve nga masakra e Reçakut, traumën e një djaloshi që kishte parë për së afërmi ekzekutimin e burrave dhe hudhjen e tyre në një gropë në dalje të fshatit... kujtimet e trishta s’kanë të sosur...
M’u kujtua rrëfimi i tim atë për fatin e familjes tonë.

“Na quajnë muhaxhirë”, thoshte, “sepse jemi shqiptarë të përzënë nga serbët nga trojet tona në krahinën e Leskocit në periudhën e viteve 1876-78, para Kongresit të Berlinit...” Rrëfimin për persekutimin politik dhe burgosjen në periudhën e Rankoviqit nuk e kishte për zemër, dhe e kuptoj përse, por ndonjëherë, si për t’a zbutur peshën që e rëndonte, thoshte se ai e kishte paguar taksën e të qenit shqiptar në Jugosllavi. M’u kujtuan tetë kushërinjtë e nënës dhe djemtë e tyre që u kthyen nga varrezat masive në Serbi nëpër thasë plastike pa emra. I varrosëm me numra identifikimi.

M’u kujtua kushërira ime e parë që e varrosi burrin poashtu me numër identifikimi dhe mendova për vajzën e tyre të vogël e cila vërtetë të atin do ta mbajë mend vetëm si një numër mbi një thes plastike. Mbaj mend kur në vitin 1989, xhaxhai me familjen u kthye nga Prishtina. Në “Rilindja” kishim lexuar listën e të përzënëve nga puna në Radio Televizionin e Prishtinës si pasojë e vendosjes së masave të dhunshme. Në listën e gjatë ishte edhe emri i tij. Kujtova dajallarët dhe tezen që sot jetojnë në SHBA si refugjatë nga ekzodi dhe pastrimi etnik serb në Kosovë në periudhën 1998-1999. Këtu janë edhe hallat që humbën vendet e punës, edhe shumë e shumë kushërinj që emigruan nëpër vendet e Europës si pasojë e apartheidit serb në Kosovë...

Dhe ky nuk është një rrëfim individual. Ky është vetëm një fragment nga historia kolektive e shqiptarëve të Kosovës të cilët mëkat të vetëm e kishin aspiratën për liri dhe jetë me dinjitet. Ky është rrëfimi i trishtueshëm i shumicës së shqiptarëve të Kosovës i cili në vitin 1999 i shtyu kombet e qytetëruara që të solidarizohen me luftën e tyre për liri dhe të intervenojnë në mposhtjen e Serbisë.

E megjithatë, duket se Serbia akoma vazhdon të pretendojë dhe për më keq, të insistojë se ka ndonjë të drejtë mbi Kosovën, duke u shfaqur në rolin e viktimës ndaj të cilës është bërë padrejtësi e madhe (para dy javësh në Strazburg për shembull, gjatë debatit për Kosovën deputetët serbë, në stilin e njohur patetiko-viktimizues, folën për “vuajtjet” që po përjeton komuniteti serb nga shqiptarët). Kështu, Serbia në asnjë moment nuk gjeti forcën të denoncojë strukturat jashtëligjore që ushtrojnë terror në veri të Mitrovicës. Përkundrazi, në seancën e Këshillit të Sigurimit ajo do të ofrojë argumente politike dhe ligjore për t’i legjitimuar ato. Prandaj askush më nuk ka dilemë se këto struktura marrin edhe suport moral, por edhe politik e material nga Beogradi me një qëllim të vetëm: ta realizojnë skenarin serb për ta portretizuar Kosovën si territor ku buron jostabiliteti, ku nuk ka ligj dhe për pasojë, i cili nuk ka kapacitet për të qenë shtet i pavarur e sovran.

“...Por kur këto abuzime dhe uzurpime ndaj [një populli] të njejtë zgjasin shumë dhe çojnë drejt [një] despotizmi absolut, atëherë është e drejta e tyre, është detyra e tyre që ta rrënojnë një qeverisje të tillë, dhe të sigurojnë roje të reja të sigurisë së tyre në të ardhmen...” vazhdon Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve. Dhe vërtetë, pretendimeve, abuzimeve dhe uzurpimeve serbe ndaj Kosovës u erdhi fundi me shpalljen e pavarësisë së saj. Incidentet e inskenuara nuk e çbëjnë pavarësinë e Kosovës por as nuk u japin fuqi argumenteve serbe. Sepse Serbia i ka humbur të gjitha të drejtat mbi Kosovën nëpër varret e panumërta masive që ka çelur për shqiptarët, nëpër shkatërrimet e pronave të tyre, dhe akoma më tmerrshëm, gjatë pastrimit etnik të rreth një milion shqiptarëve, që tmerroi botën e qytetëruar.

Publikuar: 07.07.2010 | 21:24
Lexuar: 791 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime