E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pjesa e brendshme e Dhomës është në formë të varrit, sepse një pjesë e sendeve të arta janë gjetur pikërisht në varr në të cilin supozohet se janë varrosur disa qytetarë të shquar të Ohrit para disa shekujve.
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan


Dhoma e Artë e cila është vendosur në Shtëpinë e Robevcive në Ohër është atraksioni i ri turistik në qendrën më të madhe turistike në Maqedoni.

Në të janë prezantuar 513 sende të arta dhe me nuance të arta të cilat janë gjetur në lokacione të ndryshme në Ohër dhe të njëjtat datojnë nga shekulli i 7-të para erës sonë deri në shekullin e 19-të të erës sonë. Bëhet fjalë për të vetmen Dhomë të tillë jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.

Nga sendet më të çmuara këtu gjenden maska e artë dhe dorëza e artë të cilat janë gjetur në lokalitetin Porta e Epërme në vitin 2002, vathët e arta në formë të pëllumbit nga shekulli 3-2 para erës sonë, pllaka e artë romboide, rripi i artë me origjinë nga periudha Arkaike dhe gjësende tjera. Disa nga artefaktet që janë ekspozuar në Dhomën e Artë janë nga Periudha Osmane. Pjesa e brendshme e Dhomës është në formë të varrit, sepse një pjesë e sendeve të arta janë gjetur pikërisht në varr në të cilin supozohet se janë varrosur disa qytetarë të shquar të Ohrit para disa shekujve.

“Këto sende në pjesën më të madhe përfshijnë periudhën e epokës së hekurit deri në periudhën Osmane. Në pjesën qendrore të hapësirës ekspozuese është prezantuar varri 132 i cili është zbuluar në lokalitetin “Livadhi i Ndaluar” tek Porta e Epërme në Ohër. Është i veçanti për nga ajo se krahas gjetjeve të shumta të varrezave të cilat janë zbuluar, këtu është zbuluar edhe maska e artë dhe dorëza e artë. Varrimi daton nga periudha Arkaike gjegjësisht nga shekulli i 5-të para erës sonë. Është bërë një rikonstruksion i arkitekturës së varrit me të gjitha gjetjet e zbuluara në të. Në pjesën e jashtme të saj jnë prezantuar gjetjet e lokaliteteve tjera”, deklaroi në bisedën për Anadolu Agency, Bojan Taneski, arkeolog në Entin dhe Muzeun Ohër.

Në brendinë e varrit ka edhe sende të cilat janë nga hekuri, qeramika, argjendi, bronzi, qelibari. Bëhet fjalë për hapësirën më atraktive në Ohër meqë vizitorët në një vend mund të shikojnë zhvillimin e qytetit Lihnid, siç është quajtur dikur Ohri i sotëm gjatë 25 shekujve të kaluar. Tërë ekspozita e muzeut quhet “Ari i Lihnitida”.

“Këto janë të gjitha sendet e arta të cilat i posedon Enti dhe Muzeun Ohër. Me gërmimet e reja arkeologjike, numri do të rritet”, tha Taneski.

Disa nga artefaktet që janë ekspozuar në Dhomën e Artë janë nga periudha osmane. Bëhet fjalë për monedha të shekullit të 19-të nga koha e Selimit të Tretë dhe Mehmetit të Dytë. Pjesa më e madhe e artefakteve me dekada të tëra kanë qenë të ruajtura në depo të ndryshme që tani me hapjen e Dhomës së Artë të jenë të arritshme për opinionin e gjerë. Disa prej tyre janë zbuluar në vitet e 50-ta të shekullit të 20-të, ndërsa ka gjetje të cilat janë zbuluar me hulumtimet të cilat janë realizuar nga viti 2007 deri më sot. Supozohet se të gjitha këto sende të arta kanë qenë pjesë e koleksioneve të banorëve të shtresave të pasura të cilët në të kaluarën e largët kanë jetuar në Ohër.

Brenda një viti “Dhomën e Artë” e kanë vizituar 8.000 turistë

Pjesa më e madhe e turistëve që e kanë vizituar Dhomën e Artë janë mysafir të huaj, por nuk është i vogël as numri i turistëve vendor.

“Me rritjen e numrit të turistëve të cilët janë të interesuar për trashëgiminë kulturore të Ohrit, rritet edhe numri i vizitorëve në Dhomën e Artë. Vitin e kaluar atë e kanë vizituar rreth 8.000 turistë. Shpresojmë se me rikonstruimin e godinës së muzeut Robevci ky numër në të ardhmen do të jetë më i madh”, theksoi arkeologu Bojan Taneski.

Në mesin e atyre që janë të interesuar për këtë atraksion turistik janë edhe mysafirët nga Turqia. Muzeu në Ohër ka lidhur marrëveshje me disa agjenci turistike të cilat sjellin mysafir në Dhomën.

“Ne fillim interesimi i qytetarëve të Maqedonisë ishte më i madh. Dhoma është interesante edhe për atë se në të prezantohen stoli, artikuj varrimi, aplikacione, pjesë të veshjes, monedha”, thekson Taneski.

Nga Muzeu theksojnë se tek mysafirët e huaj nuk ka informacione të mjaftueshme për këtë Dhomë e cila është lokacion i pazakontë për vizita. Shpresojnë se zëri për të shumë shpejtë do të zgjerohet.

Pajisja më bashkëkohore për mbrojtjen e “Dhomës së Artë”

“Për ruajtjen e Dhomës nga plaçkitjet eventuale shfrytëzohen pajisjet më bashkëkohore, ndërsa ato janë video-vëzhgimet, sistemet alarmuese dhe sigurim fizik 24 orësh”, theksojnë nga Muzeu në Ohër. Në mënyrë shtesë secili prej sendeve të artë në brendësi të varrit në veçanti janë të mbrojtura me alarm.

“Këtu është prezantuar edhe ari më i vjetër në Maqedoni. Ato janë salteleonë që janë zbuluar në lokalitetin arkeologjik Plaoshnik. Ato janë në njëfarë telash të kërrusur në formë të spirales. Me siguri kanë qenë një lloj dekorimi i flokëve dhe datojnë nga shekulli i shtatë para erës sonë”, shton Taneski.

Akademikja Vera Bitrakova Grozdanova në hapjen e Dhomës tha se ari pasqyron jetën e një kohe, fuqinë, mirëqenien, ekonominë, tregtinë dhe relacionin me hapësirat dhe civilizimet më të largëta.

“Ajo ka edhe porosi tjera si material të jetëgjatësisë dhe përjetësisë. Andaj paraardhësit nga Trebenishta janë varrosur me maska të arta, të mbështjellë me fletë të arta, dorëza të arta dhe stoli si hero të cilët duhet të jetojnë në përjetësi”, tha akademik Vera Bitrakova-Grozdanova.

Maska e artë, e cila gjendet në Dhomë, deri tani ishte e ekspozuar në Utreht të Holandës dhe në Gjermani. (Anadol Agency)

Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan
Dhoma e Artë e Ohrit, atraksion unikat turistik në Ballkan

Publikuar: 01.03.2016 | 13:53
Lexuar: 684 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime