Eshtë sfiduese të shkosh për herë të parë në Hollandë me njëmijë e një përfytyrime për shembull për lirinë seksuale që do të gjesh atje, apo me përfytyrime për njerëzit që do i shikosh të tymosin bar në çdo cep të ndriçuar apo të errët, - e përkundër kësaj, - të shikosh një të ri prej Stambolli i cili ka frikë të pijë cigare në barin e xhaxhait të tij, resident prej disa dekadash në Hollandë!
Kristi Pinderi
Altan, 20 vjeç nga Turqia i cili mënaxhon një bar në kryqëzimin e rrugës Kanalstraat në Utrecht , sillet si në panik kur hyn në barin e tij në mes të ditës. Ka një arsye të fortë për këtë: teksa në Hollandë ndalohet duhani në ambientet publike e ligji parashikon gjoba goxha të rënda për këtë, Altan është pothuajse gjatë gjithë kohës duke tymosur cigare të dredhura pas banakut.
Eshtë sfiduese të shkosh për herë të parë në Hollandë me njëmijë e një përfytyrime për shembull për lirinë seksuale që do të gjesh atje, apo me përfytyrime për njerëzit që do i shikosh të tymosin bar në çdo cep të ndriçuar apo të errët, - e përkundër kësaj, - të shikosh një të ri prej Stambolli i cili ka frikë të pijë cigare në barin e xhaxhait të tij, resident prej disa dekadash në Hollandë! Tensioni që has këto ditë në rrugët e Amsterdamit, e akoma më shumë në qytetet më të vogla si Utrechti, është pasojë e rritjes së retorikës nacionaliste që po përdorin disa parti radikale të së djathtës, ashtu siç në fakt, po ndodh në një pjesë të madhe të Europës.
Në zgjedhjet e fundit lokale në Hollandë, një parti e vetme e djathtë, që kishte si program të vetin nga fillimi deri në fund vetëm një manifest anti-musliman kundër emigrantëve të fesë islame mori gati 20 përqind të votave, vetëm në dy qytete. E has këtë tension sidomos në rrugët e Amsterdamit. Por mos u ngatërro me turmën në rrugët apo sheshet kryesore të kryeqytetit. Ka më shumë gjasa që mes tyre të dëgjosh ankesat me zë të lartë të italianëve që shajnë e mallkojnë AlItalian e blerë nga francezët si edhe çmimet e larta që ata gjejnë nëpër botë!
Vetëm italianët pasionantë i dëgjon të flasin nëpër rrugë për të gjitha detajet e vogëlsirat e jetës së tyre, e madje je i detyruar të dëgjosh edhe situata nga më absurde të marrëdhënies që kanë me lloj lloj njerëzish që për ty, sigurisht janë të panjohur. Tatuazhet e vendit me papunësinë më të ulët në Europë Që të kuptosh se çfarë përjetojnë sot hollandezët, ik sa më larg turmës së italianëve dhe bisedo me njerëzit e thjeshtë, të cilët sot janë mbyllur në ambientet e tyre dhe pyesin: çfarë po ndodh në Hollandë
? Në një dyqan tatuazhesh një i ri i stilit punk të befason menjëherë me dëshirën që ka për të folur! Solidarizohet pa ia kërkuar askush për faktin që bashkëbiseduesi vjen nga Shqipëria.
Kaq i mjafton që të pohojë se i vjen turp që në vendin e tij ku mund të pish ashash edhe në zyrat e shtetit, ka nisur një fushatë kundër emigrantëve, por veçanërisht kundër atyre muslimanë! Radikali Geert Wilders, i cili dikur shkruante fjalime për një parti me tradita të së djathtës në Hollandë, bëri bujë kur ndërmori nismën për të ndaluar vajzat muslimane me ferexhe, që të hynin me atë veshje në institucionet e pushtetit lokal. Ai madje e shokoi vendin edhe më shumë, - e njëkohësisht frymëzoi në mënyrë më radikale mbështetësit e vet, - kur kërkoi që edhe në qendrat e votimit të mos lejoheshin gratë të hynin me ferexhe. Ashtu siç, kuptohet, shkaktoi më pas reagime nga aktivistë të të drejtave të njeriut të cilët bënë thirrje që në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor, të gjitha gratë të shkonin të mbuluara me ferexhe!

I lindur në Venlo , një qytet tërheqës për arkeologët që kërkojnë gjurmë të tregtisë së romakëve në ato zona, Wilders u rrit në një familje katolike dhe shkonte çdo javë në kishë, derisa e braktisi atë në kohën kur ishte i ri. Nisi të shkruante fjalime të ndryshme për Partinë Popullore për Liri dhe Demokraci në Hollandë, pasi kishte udhëtuar shpesh në Izrael e në Lindjen e Mesme dhe pasi kishte bërë një karrierë jo të spikatur në një kompani sigurimesh. Formoi si me magji një parti të vetën shumë herë më radikale dhe shumë herë më të pozicionuar djathtas se partia së cilës i bënte fjalime dhe nisi menjëherë të mobilozonte një elektorat tradicional e të frikësuar nga ushtria e grave e vajzave me ferexhe nëpër rrugët e vendit
Më vjen turp, turp, turp
është e paimagjinueshme sesi njerëzit që besojnë se votojnë për të djathtën, në fakt votojnë për ekstremistët!, më thotë tipi punk i tatuazheve, i sinqertë dhe realisht i preokupuar. Hidh një sy jashtë: të lutem shiko se çfarë pasurie janë edhe këto vajza me ferexhe, edhe ata mijëra emigrantë për këtë vend, më thotë, duke më lënë pa fjalë për dashurinë që ka për të ndryshmen
Aq sa unë ve në pikëpyetje nëse realisht e konsideroj edhe unë pasuri për një shoqëri si Hollanda aq shumë gra dhe vajza me ferexhe
!? Më fal hartën e tij që të orientohem më mirë në atë qytet dhe sapo mbërrij në Leidseplein dëgjoj turq, tunizianë, arabë, marokenë, që të gjithë përballë një skene të madhe përbri një ndër kinemave më të mëdha të qytetit të cilët po shijojnë në ato momente një muzikë aq e ngjashme me tallavanë në Shqipëri
Të impresionon kënaqësia që ata fëmijë bashkë me nënat me ferexhe ndjejnë teksa shikojnë koncertin, 20, 30 apo maksimumi 50 metra larg një prej rrugëve me aq shumë ambiente për homoseksualët sa do të duhej të simbolizonte një Sodoma e Gomorra të kohëve moderne
Kaq e larmishme dhe e lirë të duket e gjithë atmosfera sa tingëllojnë të ekzagjeruara shqetësimet punk rreth politikës e klimës sociale në vendin që ka nivelin e papunësisë më të vogël në të gjithë Bashkimin Europian; që ka një nivel të inflacionit në shifrën 1.3 e që nuk pritet të kalojë shifrën 1.5 në vitet që vijojnë; që është një ndër 10 vendet me lirinë më të madhe të sipërmarrjes private dhe një ndër shtetet më impresionuese për nga veprat inxhinierike (gati gati nën nivelin e detit e megjithatë pa asnjë përmbytje)!
Të jenë tatuazhet e një shoqërie mbi një lëkurë që mezi pret diellin në këto ditë ende të ftohta fund-dimri, gjithë këto fobira e ankthe nacionale e raciale
? Në fakt nuk janë! Janë më shumë se tatuazhe, janë shfaqje e nevojës që kjo shoqëri ka për tu përballur (apo për tu përshtatur) me një realitet që sot Europa nuk mund të shpërfillë më, po as nuk mund ta luftojë
Në tregun e qepëve të njoma, përballë Albert Heijn
Kthehem në Utrecht , një qytet me gjetje arkeologjike që nga epoka e gurit dhe me vendqëndrime të konsoliduara në epokën e Bronzit. Sot përfaqëson qytetin e dytë më të madh për nga larmia e eventeve kulturore e rinore të Hollandës, por edhe qendrën historike të Kishës Katolike dhe asaj Protestante!
E njëkohësisht, po shndërrohet në një prej qyteteve më të lakmuara në Europë për cilësinë e universitetit të tij. Një Zot e di si mund të bashkëjetojnë në një qytet që nuk ka më shumë se 400-500 mijë banorë, edhe qëndra e kishës, edhe jeta e shfrenuar e natës e të rinjve studentë, edhe komuniteti aq shumë i konsoliduar musliman i emigrantëve nga vende të botës së tretë. E në mënyrë paradoksale, një Zot e di si mund të jetë përshtatur në këtë gati mish-mash politiko-social komuniteti i vogël i studentëve shqiptarë që ndonjëherë ndihen aq europianë sa mund të diskriminojnë, për shembull, një tunizian me biçikletë duke thënë në shqip me njëri tjetrin batutën: ma shit biçikletën për 8 euro...
Nuk shkoj në rrjetin e supermarketeve Albert Heijn, ku po të blesh patate për shembull, as nuk skuqen në vaj, as nuk zjejnë mire nëse kërkon ti përdorësh për një gjellë apo turli shqiptare. Sergi Hoxha, student shqiptar i Ekonomisë në Utrecht më pohoi i bindur se ky rrjet supermarketesh të cilin e gjen edhe në çdo stacion treni, është një monopolist i vërtetë në vendin e 13-të në botë për nga liria e sipërmarrjes së lirë! Në këtë supermarket të joshin çmimet e lira të perimeve të ambalazhuara me qese plastike. Gjatë të dielave të joshin edhe fytyrat tërheqëse të studentëve apo studenteve nga e gjithë bota. Por kjo në fakt nuk është mjaftueshëm për të bërë një supë të vërtetë mesdhetare!

Vajzat me ferexhe dhe me sytë e lyer bukur me makiazh i gjen me shumicë të punësuara nëpër kasat e Albert Heijn, por perimet e freskëta, në Utrecht i gjen vetëm në rrugën Kanalstraat. Perime e fruta plot lëng të sistemuara rregullisht nëpër frutiera buzë rrugës, ku disa meshkuj muslimanë i freskojnë herë pas here me ujë në një bidon me tapën me vrimë, - njësoj si në tregun e produkteve nga fshati në Shqipëri
Eshtë kaq e pashpjegueshme gjithë kjo frymë anti-muslimane dhe kundër emigrantëve, thotë Sabine Zwiers, e cila është aktiviste e Amnesty International, në zyrën e Amsterdamit.
Kjo nuk është hera e parë që Hollanda përballet me emigracionin, vazhdon ajo më tej, por sot brezi i dytë apo i tretë i emigrantëve të parë ndihen hollandezë dhe janë mëse të integruar në shoqëri. Cfarë të keqe ka tu japim mundësinë të rinjve të ndihen në vendin e tyre
? Unë nuk kam tashmë probleme me vendin, jam përshtatur dhe e kuptoj fare mirë, thotë Gerald Elbasani, student ne Utrecht.
Si Geraldi, Sergi, apo dhe studentët e tjerë nga Tirana e Kosova paguajnë qëranë e shtëpisë, janë të rregullt në pagesën e çdo shërbimi dhe të çdo detyrimi, vishen mirë, ndjekin zhvillimet politike e sociale në vend, por edhe ato që kanë lidhje me Shqipërinë. Geraldi, student për Ekonomi i cili ndjek njekohesisht një klase për Kritikë Filmi në Amsterdam , studion me orë të zgjatura në bibliotekën e universitetit, madje ne disa raste, bashkë me Sergin, ai eshte ndër të fundit që largohet nga biblioteka, duke nervozuar pa dashje rojen. Kthehen në shtëpi me biçikletë, ashtu siç bën pjesa më e madhe e rezidentëve në Utrecht . Gatuajnë vetë kryesisht produkte të blera në supermarket.
Kur e pyet Geraldin se a ka ndjerë ndonjëherë diskriminim për shkak të prejardhjes shqiptare, përgjigjet: jo, dhe shton: në fakt, këtu ka shumë pak shqiptarë. Shqiptarë ka boll në Hollandë, por është gati e pamundur ti dallosh tashmë. Pikërisht në Utrecht ekziston edhe një Këshill Koordinues për Shqiptarët në Hollandë, një organizatë me bazë vullnetare nga diaspora kryesisht e Kosovës (Coordinatie Raad Albanezen in Nederland ) por as edhe kjo organizatë nuk ka publikuar dot një shifër të shqiptarëve që jetojnë sot në këtë vend. Një supë e ngrohtë, e gatuar me perimet e freskëta të rrugës Kanalstraat, me erëza e me lëng mishi të zjerë, e bën Sergin dhe bashkëatdhetarin e tij student me të cilin jetojnë në një shtëpi, që të ndihen mjaftueshëm shqiptarë.
Sergi shton edhe pak djathë të bardhë që sapo i ka ardhur nga shtëpia në Tiranë dhe gjithçka merr tjetër ngjyrë, tjetër nerv e tjetër shpirt në një darkë shqiptare në rrugën Bilderdijkstraat ku ndodhet edhe Frank Nieuwunhuizen, një ish model hollandez, aktualisht student i filozofizë dhe një super i dashuruar me Shqipërinë dhe me të drejtat e njeriut
Metamorfoza e një hollandezi që dashuron njerëzit dhe
Shqipërinë! Frankut i pëlqen fusha e tij e studimeve. Mendon se përmes saj edhe mund të japë energji për të kuptuar, por njëkohësisht edhe mund të marrë energji teksa i duhet të kontaktojë e të shkëmbejë mendime me njerëzit e thjeshtë, me njerëzit e varfër, apo edhe me ata të pushtetshëm, me homoseksualët, me romët, me lezbikët, me këdo, e sidomos me këdo që bën pjesë në një grup të marxhinalizuar të shoqërisë.
Ish model, pjesë e asaj bote ku duhet të jesh ai që të kërkojnë të jesh, jo ai që do të jesh, Frank duket se është një rebel, por në fakt nuk është tamam kështu
Po të shikosh fotografitë e tij gjatë kohës kur ishte një djalë i ri model e ti krahasosh me fotot aktuale si student i filozofisë dhe sjelljeve njerëzore (Humanities), foto këto të shkrepura në Shqipëri, të duket se ka pësuar një metamorfozë nga ato që vetëm Cvajg mund ti verë në dukje siç duhet. Unë pasuroj veten dhe ky që jam sot, është i njëjti Frank i dikurshëm, kundërshton ai. Jeton në Baarn, një qytezë e përbërë kryesisht nga vila pasanikësh, rreth 45 minuta larg Utrechtit (nëse përdor transportin hekurudhor), por dhomën e tij e ka në një godinë me karakter social ku jetojnë mbi 10 të rinj të tjerë.

Eshtë një vilë, që në Luftën e Dytë Botërore shërbeu si baza e Ushtrisë naziste, pastaj në vitet 60-të dhe 70-të si një azil për pleq me aftësi të kufizuara mendore e fizike, e sot shërben si strehim për studentë apo për profesionistë të rinj të cilët në vend të paguajnë qera të tipit 450 apo 500 euro, më mirë jetojnë në atë ambient të përbashkët ku paguajnë veçse 200, apo maksimumi 250 euro në muaj. Ka qenë dy herë në Shqipëri ku ka miq shumë të mirë nga komuniteti rom gjithandej nëpër vend, nga Tirana, deri në cepin më jugor, në Ksamil.
Mendon se shqiptarët e rinj janë të talentuar dhe me shumë energji. Në shumë momente kur flet me të, do ndjesh dashurinë dhe gati gati një fiksim ndaj vendeve si Shqipëria. Kur e pyet në ndihet vetëm, teksa jeton në Hollandë, konfuzohet
Përgjigjet: Po , edhe jo
*** Ndërsa darka me supë mesdhetare e me djathë shqiptar ka mbaruar, është koha për jetën e natës në qytetin e studentëve. Një irish pub me bilardo që frekuentojmë atë natë ngjan si një varr i mërzitshëm të cilit nuk ia këshilloj askujt në Utrecht
Alternativa më e afërt aty për aty shfaqet një bar për meshkuj gay dhe lezbike. Përvojë që nuk duhet humbur kjo!
Mirëpo, ndryshe nga legjendat e mitet, edhe ajo qëllon të jetë një zgjedhje e mërzitshme
Kur më në fund hyj në barin turk, Altani i frikësuar, emri i së cilit në turqisht simbolizon një perëndim të kuqërremtë si ai që në Stamboll shikon çdo pasdite, nuk mu duk më i frikësuar, si herën e parë kur e kapa mat me cigare në dorë. Pasi e mësoi që unë jam arnaut, këtë herë gëzohet në fytyrë kur më shikon të hyj dhe unë ndihem më në fund i çliruar atje brenda, nga çdo lloj frike apo fobie të pakuptimtë që ka përfshirë sot Europën
Si në asnjë vend tjetër publik në Hollandë, në atë bar ku njerëzit luajnë murlan apo tris, mund të pish cigare i qetë, të dëgjosh muzikë të mirë mesdhetare, teksa pyet veten: si ka mundësi të kesh frikë apo fobi nga këta njerëz që në fund të fundit përfaqësojnë sot sfdën më të bukur karshi Europës frikacake, të vetmuar dhe old style
?!