E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në orët e mbrëmjes në një bar kafe, siç është “Hemingway”, një mjedis gjithnjë mikpritës, Çunga thotë se dëshira e tij ishte pjekur, derisa bënë prezantimin.
Udhëtimi i vonë në dorëshkrimet bizantine shqiptare
Një leksion i hapur, mbi koleksionin e dorëshkrimeve bizantine shqiptare, duke thyer hendekun mes informacionit dhe publikut në Hemingway bar Tirana; arkivisti Sokol Çunga në një laptop ka dhënë imazhet e librave mesjetarë, udhëtimin e tyre deri sot në vendin tonë, duke e mbyllur me dy përfaqësueset unike, thesarin e purpurt, kodikët Beratinus 1 dhe Beratinus 2, që ruhen në Arkivin e Shtetit

Mungojnë disa marrëdhënie që e bëjnë delikate dhe klasike njëkohësisht historinë mes librit dhe lexuesit. Sidomos kjo bëhet humnerë e frikshme kur këta libra i takojnë historisë së vendit, një lloj trashëgimie që ruhen në arkiva e biblioteka, ku edhe për studiuesit ka “luftë” të ashpër informacioni, dijeje përballë publikut.

Ndaj arkivisti dhe studiuesi Sokol Çunga na jep një përgjigje praktike pse në një bar kafe, me një grusht miqsh, pa selektuar seriozitetin shkencor, propozon një udhëtim nëpër koleksionin e dorëshkrimeve bizantine dhe postbizantine shqiptare.

Në të njëjtën kohë është një punë prezantuese çfarë pasurie ruan Arkivi Qendror Shqiptar.“Institucionalizimi, aq sa e ruan shkencën të kthjellët, po aq dhe ka treguar se krijon gjithnjë e më shumë një hendek mes informacionit dhe publikut. Prandaj dhe sot zgjodhëm këtë mënyrë për të organizuar këtë leksion të hapur: Në një formë informale, në një mjedis informal, Hemingway Bar Tirana, por pa qenë aspak informalë në informacionet apo opinionet që do të prezantojmë gjatë fjalës sonë”.

Nga historia e papiruseve, në shfaqjen tjetër të lëndës së shkrueshme, pergamena; ambicia lindore, mes Azisë së Vogël dhe Egjiptit, për të ndërtuar bibliotekat më të mëdha, por pa mundur t’ia kalojnë ndonjëherë Aleksandrisë. Sigurisht, thotë Çunga në fillim nuk ishte konkurrenca e librave por lufta që çoi në humbjen e tregtisë së papirusit në Azinë e Vogël, por që solli në anën tjetër angazhimin e dijetarëve në gjetjen e sipërfaqeve të shkrueshme, për të shkruar libra, por pa papiruse.

Rikthimi në materialet e vjetra, i çuan dijetarët në Greqinë e lashtë, tani në një teknologji tjetër, më të përmirësuar, të sipërfaqes së shkrimit prej lëkure, duke e përdorur në të dyja anët…Tek ne, kjo praktikë na çon në një guidë me Kodikët, zbritur nga kushtet institucionale.

Në orët e mbrëmjes në një bar kafe, siç është “Hemingway”, një mjedis gjithnjë mikpritës, Çunga thotë se dëshira e tij ishte pjekur, derisa bënë prezantimin.

Një projekt krejt personal, mes tij dhe djemve të Hemingway. “Kemi pasur në të shkuarën veprimtari të tilla, do të kemi edhe në muajt në vijim, me tema historike, me librin e dorëshkruar, apo poezi.

Është më se e zakontë që tema të ‘rëndësishme’, siç është historia, arkeologjia, apo të tjera shkenca simotra me këto që emërtohen, në përgjithësi, ‘humanities’, të diskutohen në mjedise të ‘rëndësishme’, nëpër konferenca, auditorë, ekspozita etj. Në të vërtetë, këto janë mjediset e natyrshme ku janë zhvilluar këto shkenca, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.

Mirëpo, ndryshe nga ç’ndodh me letërsinë, fjala vjen, së cilës i kanë ‘hije’ mjediset informale, në shoqërinë tonë të vogël parapëlqehet që pompoziteti i historisë të ruhet larg ‘turmës’, duke respektuar ‘traditën’”, përgjigjet Sokoli, duke ruajtur në këtë rast prirjen për ta izoluar apo distancuar shkencën, historinë nga sytë e publikut. Sidomos kur bëhet fjalë për historinë e librit mesjetar, dhe konkretisht mbi koleksionin e librave të dorëshkruar të Arkivit Qendror Shqiptar.

Çunga thotë se sot në AQSH ruhet një koleksion prej rreth 100 dorëshkrimesh bizantine dhe pasbizantine, të sistemuar në Fondin “Kodikët e Shqipërisë” me numrin 488.

“Në fushën e studimeve paleografike dhe filologjike pak gjëra janë thënë për këtë koleksion. Një nga çështjet që nuk është prekur është historia e këtyre dorëshkrimeve, si erdhën nga duart e përdoruesve të tyre në kisha, manastire apo edhe biblioteka private, në raftet e sotshëm të arkivit”. Të dhënat që sjell arkivisti lidhen me historinë e deritanishme të kërkimeve me këtë fond.

Studimi i kodikëve të kopjuar ose të gjendur në territorin e sotshëm të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine dhe pasbizantine zë fill rreth gjysmës së dytë të shek. XIX me botimin e përshkrimeve të shkurtra të kodikëve dhe të shënimeve të tyre, një pjesë e konsiderueshme të cilëve sot rezultojnë të humbur ose ndodhen në biblioteka të tjera jashtë territoreve të Shqipërisë.

Nisur nga gjurmët që kanë lënë këta kodikë në kohë, Çunga thotë se informacioni i parë mbi një pjesë të vogël të koleksionit të sotshëm vjen nga Diptiku i manastirit të Shën Gjergjit në Kala të Beratit, i botuar fillimisht nga Pierre Batiffol (1887) dhe më pas nga Anthim Aleksudhi (1892) .

Në këtë “udhëtim” bëhet e ditur se prej datës 1356 dhe deri në mes të shek. XIX nuk kemi asnjë informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri.

Më 1868 Anthim Aleksudhi, njeri dijetar dhe Mitropolit i Mitropolisë së Beratit boton librin me titull “Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Beratit dhe i vendeve që ndodhen nën varësinë e saj shpirtërore”, ku, veç të tjerash, përshkruan dhe disa dorëshkrime, që ndodheshin në bibliotekën e Mitropolisë së Beratit. Kështu dy prej tyre janë dorëshkrimet që sot i njohim si Beratinus 1 dhe Beratinus 2.

“Ky botim i Aleksudhit bëri që vëmendja e studiuesve të kohës të kthehej nga Berati. Për të studiuar thesaret e Kalasë së Beratit niset Pierre Batiffol, që e përmendëm më sipër, i cili gjithë vëzhgimet e tij i botoi më 1887.

Në artikullin e vet, Batiffol përshkruan 16 kodikë që ndodheshin në kishat e Kalasë së Beratit dhe transkripton të gjithë tekstin e Beratinus 1, të cilin e boton në artikull.

Nëse Batiffol-it i njihet merita e sjelljes së tekstit të kodikut Beratinus 1 në dorën e studiuesve perëndimorë, pa asnjë kundërshtim Anthim Aleksudhit i njihet merita e prezantimit botërisht të një kodiku që deri atëkohë ishte i panjohur.

Gjatë dhjetëvjetëshave në vazhdim Aleksudhi vijoi me publikimin e artikujve të shkurtër, ku përshkruante dorëshkrimet e Beratit, duke arritur, në fund, te “Katalog i dorëshkrimeve të vjetra”.

Çunga ndalet më tej në këto botime, duke thënë se nisur në vitet ’60 të shek. XX, një pjesë e librave mesjetarë apo edhe të mëvonshëm, që për shumë shekuj ruheshin në bibliotekat e kishave, manastireve, mitropolive apo edhe në biblioteka private, u sollën në AQSh kohë pas kohe, prurje e cila vazhdoi deri në vitet ’80.

Tregohet se fillimisht, në vitin 1965, të gjitha institucionet që zotëronin dokumente me rëndësi për historinë e vendit, udhëzoheshin sipas një qarkoreje të Kryeministrit të kohës, t’i dorëzonin ato pranë AQSh. Materialet mblidheshin në Komitetin Qendror të rrethit dhe prej aty dërgoheshin në AQSh.

Jo çdo dokument i rëndësishëm dhe me vlerë mbërriti në destinacion. (P.sh., bibliotekat e Ipeshkvnisë së Shkodrës, të vëllazërive murgjërore dhe në përgjithësi të komunitetit katolik të Shkodrës u shkatërruan pothuaj totalisht. Një pjesë fare e vogël e atij thesari ndodhet sot në AQSh).

“Siç dalin nga dheu mbetjet arkeologjike, ashtu dalin prej këtyre librave kumtet e fshehura në fjalë, në tipare germash, në tipare ngjyrash, në shenjat e përveçme të teknikës me të cilën është ndërtuar libri. Këta libra tregojnë se sa fort e nderonin dhe e vlerësonin librin të hershmit. Duke e ruajtur këtë pasuri (dhe çdo pasuri tjetër kulturore) jo vetëm u lëmë diçka pasardhësve, por plotësojmë mesazhin e heshtur të paraardhësve që na i lanë ne”.

Nën dritat e zbehta të “Hemingway”, kompjuteri lëshon dritë të fortë, kur imazhet e kodikëve shfaqen me mrekullinë e stilit, ngjyrës, kodeve e domethënies së tyre historike, duke thyer “herezinë” institucionale për një publik pasionant si i mbrëmjes së të mërkurës nën shenjën e bar Hemingway! V.M

Thesari i purpurt, i kërkuar nga policia sekrete

Arkivisti Sokol Çunga ndal në një çast të rëndësishëm, në historinë e F 488, ishte viti 1968, kur dy dorëshkrimet e purpurt, Beratinus 1 dhe 2, pasi u kërkuan për më shumë se 20 vjet nga pushteti i kohës dhe nga policia sekrete, u gjetën në një vend të fshehtë në hijeroren e kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në lagjen Kala të Beratit, sot Muzeu Onufri.

(Për ta plotësuar këtë informacion, dy kodikët u çuan në vitin 1971 në RPS të Kinës, ku u restauruan, dhe pastaj u kthyen në AQSh.) Teksa dorëshkrimet udhëtonin dhe ndryshonin vendin e tyre të ruajtjes, Theofan Popa, një shkollëtar i Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore, përgatiti një listë-inventar, punë e disa viteve të jetës së tij. Në vitin 2003 ky punim u botua si artikull në Kodikët e Shqipërisë me titullin “Katalog i kodikëve kishtarë mesjetarë të Shqipërisë”. (Mapo)

Publikuar: 03.03.2016 | 13:31
Lexuar: 788 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime