Ky tekst, me këtë titull është botuar në korrik të vitit 1996 në gazetën Flaka dhe është i përfshirë në librin Vorbullime shqiptare botuar në vitin 2005. Të tillë, të plotë, pa ndryshime, vendosa ta ribotoj. Mendoj se përmbajtja e tij është aktuale edhe tani. Vlerësimin për aktualitetin e tij ia lë lexuesit.
Mahi Nesimi
Tash sa kohë, këtu midis nesh, po sillen vërdallë retë ndjellakeqe, ato që historikisht na kanë sjellë vetëm dështime, ato që gjithmonë kanë mbjellë farën e urrejtjes dhe që kanë përfunduar me dështimet tona të njëpasnjëshme.
Sot, ato re, rrinë pezull si një rrezik i mundshëm që në çdo moment kërcënojnë ardhmërinë tonë. Janë këto re të zeza që duhet të shkatërrohen, të davariten sa më parë; me frymën tonë liridashëse, njerëzore, të idesë fundamentale për përparimin e njerzimit, të lirisë dhe prosperitetit, të ngadhënjimit të së mirës ndaj së keqes, të shkencores ndaj utopisë.
Kësaj detyre duhet ti rrijë në ballë inteligjencia, sepse në radhë të parë është ajo që duhet ta heqë vallen e ecjes drejt civilizimit të vërtetë; është ajo që duhet të mënjanojë të gjitha ndërkëmbëzat që aktualisht i vihen popullit tonë, këtu në Maqedoni, pothuajse nga të gjitha qarqet; është ajo që duhet të ngadhënjejë në hovin e nisur tash e sa kohë për të realizuar aspiratat drejt ngjitjes sonë në familjen e popujve të qytetëruar për tu radhitur në mesin e vendeve të qytetëruara, arsimdashëse e civilizuese.
Sot ne ballafaqohemi me shumë sfida që na i kurdisin organet e ndryshme shtetërore, organet politike e partiake në nivel shtetëror e lokal.
Por, intelegjencia është bë e shurdhët ndaj provokimeve me konotacion politik, partiak, shtetëror, kombëtar, antikombëtar. Sot intelektualët shtiren se çdo gjë përreth zhvillohet sipas rregullave, në mënyrë të qetë, në mënyrë normale. Janë ata që thonë se çdo gjë është jonormale, jocivilizuese dhe e dëmshme për ne.
Janë ata që për hir të interesave të larta kombëtare kalojnë mbi të gjitha anomalitë që haptazi shfaqen në mjedisin tonë. Janë intelektualët ata që dinë të heshtim, siç kanë heshtur edhe shumë vjet më parë, vetëm e vetëm për të ruajtur rehatinë individuale.
Sot, këtu, shumë patriotë deklarojnë se janë tepër të brengosur për gjendjen e kombit dhe rrahin gjoks se janë duke punuar për të mirën e kombit, se pa ta, vaj medet çdo të na gjejë. Akuzojnë njëri-tjetrin se veprojnë kundër intersave të përgjithshme. Akuzojnë për kolonë të pestë në mesin tonë.
Akuzojnë për keqpërdorime të llojeve të ndryshme. Tubimet tona, pavarësisht nga qëllimi që kanë, po shkaktojnë përçarje. Rinia thuhet se nuk është mirë e organizuar. Mjetet narkotike janë realitet i përditshmërisë sonë.
Ndikimi i qarqeve konservatore fetare bëhet gjithnjë e më i theksuar. Çpo ndodh me ne? Ne po ndahemi, në vend se të bashkohemi dhe po ndahemi e po kundërshtohemi për shumë çështje të jetës së përditshme dhe të pikëpamjeve për ardhërinë tonë. Kujt i shkon për shtati kjo? Shqiptarëve gjithsesi jo.
Çbëjë intelektualët, truri i kombit, për të dalë nga kjo situatë? Asgjë hiç. Pse veprojnë kështu? Çështë ky pasivitet, kjo neglizhencë? Pse intelektualët janë shndërruar në vëzhgues? Është kjo një situatë tepër shqetësuese, alarmante dhe e tmerrshme e cila nuk lejon të rrihet anash. Intelektualët tashmë nuk kanë të drejtë të rrijnë indiferentë ndaj ngjarjeve që na rrethojë, sepse ajo do të ishte dështimi i tyre dhe tradhti e detyrës, e misionit.
Kjo gjendje prej të gjithëve kërkon veprim: të shëndoshë, të sinqertë, të vendosur, afatshkurtër (sepse çasti e kërkon), afatgjatë (sepse ky është misioni i inteligjencies) për të dëshmuar rolin që duhet luajtur në krijimin e vetëdijes kombëtare dhe të udhëheqjes së popullit mbi parime të shëndosha e vizionare.
Është intelegjencia ajo që duhet të prijë për të mirën e populli, asaj i takon hiseja më e madhe e përgjegjësisë aktuale edhe historike. Janë intelektualët shqiptarë, këtu në Maqedoni, që duhet të heqin dilemat e shumta për mbarëvajtjen e suksesshme të punëve me popullin, tani, por edhe më tutje. Janë ata që duhet ti japin kah veprimit të shëndoshë në të gjithat sferat.
Sot një pjesë e madhe e inteligjencies ka përkrahur programet e partive tona politike, disa veten e kanë gjetur në shoqata e asociacione, disa qëndrojnë anash rrjedhave politike. Por, të gjithë, duhet të kenë një pikësynim, një ideal të vetëm, ecjen e kombit përpara. Angazhimet nëpër parti, shoqata e asociacione nuk janë dhe nuk duhet të jenë shkas për divergjenca të theksuara në veprim.
Përkundrazi ato duhet ti kuptojmë si begatim të spektrit intelektual, si qendra ku shfaqen mendime të shëndosha, ku debatohet për ardhmërinë tonë. Çdo tentim që përkatësitë në parti, shoqata dhe asociacione të trajtohen si projekte kundër inetresave të shqiptarëve, është dhe do të jetë kundërproduktiv, shterp dhe shumë i dëmshëm.
Intelektualët nuk guxojmë të ndahen në të këtillë dhe të atillë. Ata objektivisht janë të pakët, por janë të mjaftueshëm për tu prirë të gjitha aksioneve për zgjidhjen e çështjeve që aktualisht imponohen. Kjo kohë e pakohë inteligjencien po e vë në sprova të ndryshme të cilave ajo është e obliguar tu përgjigjet në mënyrë dinjitoze, me urtësinë dhe guximin që janë mjeti i saj më i fuqishëm. Por, fatkeqësisht, ky i fundit, guximi intelektual, është ajo që duket se mungon më së shumti. Dhe, pikërisht ai tani duhet të vijë në shprehje, sepse koha e kërkon që vendosmërisht të gjendet dhe të çilet rruga më e përshtatshme për të mirën e kombit.
Intelegjencia e vërtetë duhet tu thotë ndal të gjitha zënkave politike, etiketimeve, njollosjeve dhe shpifjeve që janë bërë bajate. Tua ndalë hovin fushatave të organizuara kundrejt institucioneve, subjekteve dhe shoqatave të caktuara politike, kulturore, arsimore e tjerë. Ajo duhet të ngrejë zërin e vet të shëndoshë të shkencës, të ftojë dhe të prijë në krijimin e besimit ndaj së vërtetës, shkencores, reales të mundshmes.
Shkenca dhe e vërteta si armë të vetme të intelegjencies duhet ti demaskojnë të gjitha përpjekjet për të udhëhequr me pasione. Madhështia e intelektualëve nuk përkon me pozicionin neutral, me mbylljen e syve para humnerës. Heshtja e tanishme e inteligjencies paraqet rrezik të madh për ardhmërinë. Prandaj, është koha që të arsyetohet epiteti truri i kombit.