E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ata që po i bëjnë këto audio-regjistrime dhe që po i distribuojnë nëpër media nuk e kanë hallin e interesit publik, sa e kanë për qëllim shantazhimin e dikujt për llogari të tjetër kujt.
Përgjimet policore dhe gazetaria hulumtuese








Nga Emin AZEMI

Ne që merremi mbi 30 vjetë me gazetari nuk mund ta pranojmë një material të servuar prej kanaleve policore si ‘’brum’’ prej të cilit do të "gatuanim" ndonjë produkt të caktuar mediatik, sidomos kur ai prek privatësinë e njerëzve.

Gazetaria hulumtuese ka rregulla e parime të tjera, prandaj edhe përfaqëson një sistem të tërë vlerash. Është e palejueshme profesionalisht dhe e denueshme ligjërisht që xhirimet sekrete, montimi i videopamjeve, fotoshopi, prezantimi i rrejshëm, audioregjistrimi pa lejen e bashkëbiseduesit, të shfrytëzohen si material për një storje hulumtuese gazetareske.

Në radhë të parë, vetë gazetari a media vendos për temën, për protagonistët e targetuar në hulumtim, si dhe për mënyrat dhe procedurat e eksplorimit të materilait hulumtues. Fundja, ky është edhe misioni i gazetarisë hulumtuese: që të zbuloj diçka që dikush qëllimisht e fsheh.

Në asnjë mënyrë hulumtimi nuk guxon të inicohet prej të tjerëve, sidomos prej atyre që në mënyrë selektive, poshtëruese e joprofesionale synojnë të godasin ndonjë kunërshtar a jobashkëmendimtar. Sepse në këtë rast nuk kemi hulumtim të mirëfillt gazetaresk, por një survejim të paligjshëm policor, i cili nuk e ka për bazë interesin publik, por diskreditimin e personave të caktuar.

Gazetaria e mirëfillt profesionale e kritike në asnjë rast dhe me asnjë kusht nuk i përvetëson rezultatet dhe të arriturat e të tjerëve, e më së paku kur ato vijnë prej segmenteve të caktuara të shërbimeve sekrete.

Jo rastësisht kjo gazetari i përdor edhe ‘’veglat’’ e saja të punës që i shërbejnë si teknika vetanake të hulutmimit, siç janë: intervistat, lajmet, deklaratat, anketat, reportazhet e ndryshme, hulumtimet arkivore, lundrimi në internet etj.

Një gazetari quhet e paanshme dhe profesionale vetëm atëherë kur produkti mediatik krijohet pas një pune të mundimshme, origjinale dhe krejt vetanake, duke i ikur plagjiaturave dhe bartjes së zbulimeve të huaja.
Emin AZEMI

Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë gazetaria shfrytëzohet nga paradhomat e ndryshme të shërbimeve policore si megafon për të përforcuar trullosjen publike përmes shantazhimit klasik të personave e institucioneve të caktuara, kurse privatësinë e njerëzve e nxjerr në ankand publik, duke iu nënshtruar linçimit, para se këtë ta kenë bërë organet kompetente, përmes procedurave të parapara të hetimit dhe procesimit të paanshëm.

Kur u zbulua afera e njohur Votergejt në vitin 1972,në Amerikë, nga gazetarët e “”Washington Postit” Bob Vudvordi dhe Robert Bernshtajni me ndihmën e një nëpunësi anonim të FBI-së, ngjarje mediatike ishte dorëheqja e presidentit Nikson dhe arrestimi i personave që kishin montuar paisjet përgjuese.

Afera e ashtuquajtur ‘’Puç’’ në Maqedoni ka disa pikëtakime dhe dallime me aferën ‘’Votergejt’’. Spiunazhi, frikësimi, sabotimi, grumbullimi i fondeve sekrete ishte objektivi i afere ’’Votergejt’’, të cilën Niksoni e kishte ideuar për të neutralizuar kundërshtarët e tij politik.

Te afera "Puç", pushteti aktual mundohet të paraqitet si viktimë e "përgjimeve të paautorizuara", por këtu nuk kemi të bëjmë me kurfarë dimensioni privat të ndonjë individi.

"Përgjimet e paautoritzuara" zbuluan afera të rënda korruptive me përzierje direkte të pushtetarëve dhe ata që duan ta ndajnë këtë aferë në aspektin politik dhe atë juridik, kanë arsye të mbështesin njërin apo argumentin tjetër, por diçka që mbetet e ‘’pa mbuluar’’ është dëmi që i bëhet shoqërisë me përvetësimet financiare për llogari personale të funksionarëve të lartë shtetëror.

Aktualisht opinioni publik po bombardohet me audio-regjistrime të fshehta që kanë përmbajtje të turpshme dhe asnjë njeri normal nuk do të pajtohej me ato përmbajtje dhe me individët e përfshirë në to. Por, tani ekziston një dilemë që ndërlidhet me argumentet e mësipërme: duhet apo jo publikuar këto audio-regjistrime dhe sa ato paraqesin interes publik?

Do të pajtohemi me një rregull të pashkruar se politikanët dhe personat e ndryshëm që ushtrojnë funksione publike, mund të kenë impakt, me veprimet e tyre private, në jetën publike, nëse ato veprime e dëmtojnë rëndë funksionimin normal të detyrave që ata kanë, apo nëse e dëmtojnë imazhin e tyre dhe institucioneve që përfaqësojnë. S’do mend, se në rastet konkrete ka ndodhur edhe njëra edhe tjetra, por dilema profesionale nuk përfundon këtu.

Pse po servohen në mënyrë seleketive këto audio-përgjime dhe pse ato kanë objekt targetimi vetëm politikanët shqiptarë?

Jo se dikush e ka ndërmend me këtë rast të merr në mbrojtje ndojë individ të politikës, por ajo çka na bie ndërmend ta theksojmë tani është dëmi që mund t’i shkaktohet pikërisht interesit publik, duke u munduar që përmes bisedave të ‘turpshme’’ të mjegullohen (eklipsohen) aferat dhe proceset e mëdha të montuara nga vetë njerëzit e pushtetit.

Ata që po i bëjnë këto audio-regjistrime dhe që po i distribuojnë nëpër media nuk e kanë hallin e interesit publik, sa e kanë për qëllim shantazhimin e dikujt për llogari të tjetër kujt.

Cili shqiptar normal në këtë shtet do të pajtohej që politikani i tij të shantzhohet, jo pse ka bërë ndonjë veprim të turpshëm, por pse atij duhet t’i mbyllet goja të mos inicojë projekte me interes shoqëror për ndonjë vendbanim shqiptar apo edhe të mos ndriçojë ndonjë aferë të montuar nga vetë pushteti.

Pra, çështja është shumë më komplekse se sa që na duket në shikim të parë dhe ata që vërtetë janë itharë të kësaj metode hulumtuese-shantazhuese le të insistojnë t’i sigurojnë fillimisht materialet se si u inskenua ’’Sopoti’’, ‘’Brodeci’’, ‘’Monstra’’, ‘’Kumanova’ dhe tek pastaj të kalojnë në bisedat e ‘turpshme’ të politkanëve.

Publikuar: 29.03.2016 | 11:04
Lexuar: 786 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime