E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

A ka rrezik që antagonizmi mes atyre që duan të mbrojnë ligjin dhe atyre që abuzojnë me të, të përshkallëzohet në kufijtë e një kaosi më të madh qytetar?
Lufta speciale dhe kaosi viral në politikbërje








Nga Emin AZEMI

Në shikim të parë si kaotike, por në prapavijë duket se ka një qendër bashkërendimi kjo luftë speciale që po bëhet përmes skandaleve të ndryshme që fillojnë me përgjimet dhe përfundojnë me zhdukejn e provave materiale që pamundësojnë zbardhjen e tyre.

Në kohën kur politika legale po humb terren në ‘’marrjen e kontrollit’’ mbi resurset publike që prodhojnë mirëqenie sociale dhe stabilitet institucional, del tani një zgjatim tjetër i politikës së keqe që përmes një lufte të nëndheshme speciale dëshiron të arrij tre efekte:
E para, synon të pamundësoj këndelljen e nismave demokratike për një qeverisje të ardhshme të vendit.

E dyta, për babëzitë e kryera në periudhën e kaluar askush të mos fajësohet, sepse gjurmët e krimit ka gjasa të eliminohen dhe për këtë të fabrikohen viktima ad- hoc.

E treta, mosbesimin ndaj sistemit të gjyqësisë, qytetarët maqedonas ta kthejnë në simpati, në momentin kur ai do të filloj të merret me çmontimin e aferave kundër shqiptarëve.

Një ngrehinë e ndërtuar keq, mund të shkojë kohë duke u lëkundur , por ajo patjetër një ditë do të rrëzohet. Zakonisht, muratorët e këqij mundohen të shfajsojnë veten me argumente që nuk i ndihmojnë gjithaq mbajtjes në këmbë të ngrehinës.

Kjo që po ndodhë aktualisht në Maqedoni është rezultat i frustrimeve të pafrenuara të një politike që kontrollin demokratik të opozitës dhe mendimin e lirë të intelektualëve i konsideron ‘’armiqësi shtetërore’’, kurse justifikimin për veprimet antidemokartike e projekton mbi aksiomën staliniane ‘’ata që nuk janë me ne, janë kundër nesh’’.

A ka rrezik që antagonizmi mes atyre që duan të mbrojnë ligjin dhe atyre që abuzojnë me të, të përshkallëzohet në kufijtë e një kaosi më të madh qytetar?

Nëse Prokurorisë Speciale i nxirren në rrugë edhe më tutje trunguj të prerë nga xhungla e anarkisë institucionale, ka të ngjarë që në sipërfaqe të del ndonjë skenar që askush nuk e dëshiron. Atëherë mund të parqiten shumë ‘’pylltar’’ për ta ruajtur pyllin e prerë, por do të jetë shumë vonë.

Faktori ndërkombëtar një kohë të gjatë e trajtoi Maqedoninë si jetim që duhej kursyer nga fjalët e rënda, ndërkohë që ky fëmi i llastuar filloi t’i shndërroj lodrat në armë. Ajo që diplomatët e huaj e kapën me vonesë është mungesa e sensit për të detektuar rrezikun që i kanoset stabilitetit nga demokracia e rrënuar.

Formula "stabilitet, pastaj demokraci" mund të ketë patur efektet e pritshme në vitet e para të pasçlirimit në Kosovë, kur u instalua protektorati ndërkombëtar, por jo edhe në një Maqedoni me përvojë më të gjatë në tejkalimin e emergjencave të brendshme dhe kanosjeve të jashtme.

Ky projektim i gabueshëm i priroriteve nga ana e diplomatëve, i krijoi komoditet veprimi një mendësie idiotike politike e cila gjithë doktrinën e saj e ndërtoi duke e përdorur nacionalizmin shtetëror si mburojë për veprime kiminogjene.

Logjika e atyre që kanë ngelur të ngulur në rërërn e shkretërtisë nuk shkon përtej fatamorganës që ndjell shiun e sjell breshërin. Maqedonia është një vend i vogël për t’u dukur e madhe në hartën e marrëzive që i bën vet. Budallenjtë asnjëherë nuk mund të na tregojnë si duket e ardhmja, po ama ata si shumë po gropojnë në të kaluarën ku duan të na fusin të gjithëve.

A ka mbetur edhe shumë udhë për t’iu lëshuar budallenjëve, apo të mençurit do të vazhdojnë të masin hapat e tyre me hijen që vjen nga shtati i ult i opozitbërjes.

Kohë për t’u rritur ska shumë, kurse nevoja për një trup të fuqishëm që do të mbante drejtpeshimin midis marrëzisë së politikës dhe shpresës qytetare po tregohet shumë emergjente. Sërish emergjencë, por kësaj radhe, shpirtërore, për të liruar politikbërjen nga virusi i kaosit.

Publikuar: 31.03.2016 | 15:37
Lexuar: 697 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime