E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Më 1972 në Universitetin e Zagrebit mbrojti tezën e doktoratës :”Dardanët dhe Dardania në antike”, ndërsa nga viti 1991 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ka vdekur në Zagreb akademiku Zef Mirdita





Ka vdekur dje në Zagreb akademiku dhe historiani Zef Mirdita. Ai kishte lindur në Prizren para 80 vjetësh (më 13 mars 1936). Pasi kreu filloren e të mesmen në vendlindje, u diplomua në filozofi në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Ndërkohë punoi profesor në Gjimnazin e Prizrenit e më pas ligjëroi historinë e vjetër dhe gjuhën latine për studentët shqiptarë dhe serbë në Universitetin e Prishtinës. Ishte njohës i periudhës ilire të historisë shqiptare.

Më 1972 në Universitetin e Zagrebit mbrojti tezën e doktoratës :”Dardanët dhe Dardania në antike”, ndërsa nga viti 1991 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Më 1993 largohet nga Kosova dhe vendoset në Zagreb. Atje punoi për katër vjet në Institutin e Historisë, ndërsa nga viti 1997 ligjëron historinë e vjetër në Universitetin e Osjekut, transmeton Koha.net.

Gjatë viteve 1980-1990 ishte anëtar i Komitetit Nacional të Jugosllavisë për Ballkanologji. Ishte po ashtu anëtar i Redaksisë kosovare për Enciklopedinë e Jugosllavisë.

Ka marrë pjesë në ekspedita arkeologjike në Shqipëri e Kosovë.

Specializoi historinë e kohës së vjetër më 1974 në Universitetin e Romës “La Sapienza”, e më pas po në këtë fushë kreu specializime të tjera në Heidelberg dhe Mynih të Gjermanisë.

Ka marrë pjesë në shumë kongrese shkencore ndërkombëtare në Beograd, Ankara, Bukuresht, Insbruk, Dubronik, Mostar, Palermo, Prishtinë, Sofje, Zare, Shtutgard, Zagreb.

Ka botuar këto vepra: “Studime dardane”, Prishtinë-1979, “Antroponia e Dardanisë në kohën romake”, shqip-gjermanisht, Prishtinë 1981, “Mitet dhe mitologjia në antike”, Prishtinë,1988, “Historia e kishës në popullin shqiptar”, Shkodër,1994, “Krishtënizmi ndër shqiptarë”, Zagreb,1998, dhe “Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në antike”. Ditë më parë Instituti Kroat i Historise (2016), botoi veprën e tij voluminoze "Dardanci i Dardanija u antici" (Dardanet dhe Dardnaia në antikë).

Është autor i rreth 100 studimeve shkencore të ligjëruara dhe botuara në organe dhe revista të ndryshme shkencore në Ballkan dhe Evropë. Veçohen punimet: “Ilirët dhe etnogjeneza e popullit shqiptar”, “Terminologjia biblike në përkthimin e Kristoforidhit”, “Elementet religjiozë në poezinë e Ndre Mjedës”, “Aspekte teologjike në veprën e Pjetër Bogdanit”, “Katolicizmi dhe ortodoksia shqiptare”,”Prejardhja e dardanëve”.

Në njoftimin e saj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës shpreh dhembje të thellë për ndarjen nga jeta e Akademik Zef Mirdita.

Akademik Mirdita ishte një nga personalitetet e njohura të jetës akademike dhe intelektuale të Kosovës, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në fushën e studimeve historike të periudhës së antikës, në veçanti në studimin dhe trajtimin shkencor të ilirëve. Profesor Mirdita ka qenë një nga pedagogët e nderuar të Universitetit të Prishtinës i cili ka nxjerrë shumë gjenerata të historianëve të rinj. Ai nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ka jetuar dhe ka punuar në Republikën e Kroacisë, pa u ndarë nga veprimtaria hulumtuese shkencore, ku ka botuar një varg studimesh të vlefshme për historinë. Ai ishte anëtar i Akademisë sonë i cili do të kujtohet me pietet të veçantë.

Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë farefisit të tij, - thuhet në njoftimin e nënshkruar nga nënkryetari i ASHAK, Ali Aliu.

Nuk ka ndonjë njoftim nëse do të përkujtohet me ndonjë aktivitet ky personalitet i shkencës së Kosovës, e as për vendin dhe datën e varrimit të tij.

Përmes rrjetit social Facebook, deputeti Enver Hoxhaj ka shprehur keqardhjen dhe ka ngushëlluar familjen e tij, kolegët dhe komunitetin akademik e studentor.

“Me keqardhje mësova lajmin për vdekjen e Zef Mirditës, njëri nga historianët më të njohur ndërkombëtar të Kosovës, i cili argumentoi fuqishëm të drejtën historike të shqiptarëve në Kosovë dhe identitetin e saj kulturor. Ai ka qenë ndër profesorët më të mirë të Universitetit të Prishtinës dhe shembull i inspirimit për studentët.

Vdekja e tij është një humbje për dijen dhe shkencën e historisë, porse ai ka lënë pas një vepër madhore. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe komunitetit akademik e studentëve”, ka shkruar Hoxhaj.

Publikuar: 05.04.2016 | 11:54
Lexuar: 619 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime