E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” është titulli i veprës së autorit Branisllav Sinadinovski, e cila sot u promovua në Universitetin Shtetëror të Tetovës, e përkthyer në gjuhën shqipe nga dekani i Fakultetit Filologjik të USHT-së, Doc. dr. Fatmir Sulejmani. Në promovimin e këtij libri të pranishëm ishin Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Rafiz Haliti, prorektorët, Prof. dr. Reshat Qahili dhe Prof. dr. Alifeta Selimi, Sekretari i përgjithshëm, z. Adem Beadini, profesorë dhe studentë.
Në USHT u promovua libri “Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”


Përkthyesi i kësaj vepre në gjuhën shqipe, Doc. dr. Fatmir Sulejmani tha se e veçanta e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës është heshtja mortore që e ka shoqëruar procesin e konvertimit të pashembullt etnik të dhjetëra mijëra njerëzve – indiferenca e shqiptarëve të besimit ortodoks, që u asimiluan pabëzajtur dhe indiferenca e shqiptarëve të besimit islam, që nuk e panë gjëmën e vëllezërve të gjuhës e të gjakut.

“Ndaj, aq sa flet kjo vaki për perfiditetin dhe metodat e sofistikuara të asimilimit në fjalë, po aq ndriçon ndërgjegjen tonë kolektive dhe gatishmërinë për t’u shkrirë në asgjë me lehtësi të papërballueshme, pa një zë të fuqishëm protestues, pa një alarm serioz në mediat brenda a jashtë kësaj shkretishteje, pa një rebelim promoteu, të gatshëm t’ia dhurojë popullit zjarrin, ta vetëdijësojë atë se është duke jetuar stinën e ligë që e shfytyroi gati për sejeta”, theksoi Doc. dr. Fatmir Sulejmani.

Recensenti i librit, Prof. dr. Fehari Ramasani deklaroi se vepra e Prof. dr. Branisllav Sinadinovskit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” është një kontribut me vlera të larta historike-shoqërore, i cili na sjell dëshmi të pakontestueshme për një çështje tepër delikate dhe të veçantë për nga aspekti problemor, siç është ajo e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni.

“Libri i profesor Sinadinoskit përmban në vetvete mjaft informacione, është i ngjeshur me tema aktuale dhe interesante. Kjo vepër është rezultat i hulumtimeve disavjeçare të autorit për këtë pjesë të popullit shqiptar, i cili ashtu si edhe pjesa tjetër e shqiptarëve gjatë historisë, janë përballur me vështirësi të shumta. Materiali që na ofron autori përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për atë maqedonase, ballkanike dhe më gjerë”, tha Prof. dr. Fehari Ramadani.

Të pranishmëve në auditor me fjalë rasti iu drejtua edhe nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti, i cili tha se shqiptarët e besimit islam duhet të tregojnë kujdes të veçantë për vëllezërit shqiptarë ortodoksë në Maqedoni. “Dua të shpalos diçka kur unë dhe ish komandanti i UÇK-së, Ali Ahmeti, në Prizren kemi diskutuar për shqiptarët ortodoksë në Maqedoni dhe asimilimin e tyre.

E them këtë se ne shqiptarët e besimit islam në Maqedoni, që janë shumicë, duhet të tregojnë kujdes të veçantë për vëllezërit shqiptarë ortodoksë, ngase politikat pansllaviste edhe atëherë edhe sot kanë për qëllim që shqiptarët ortodoksë në të gjitha trevat e veta ku jetojnë t’i nënshtrohen asimilimit dhe fatkeqësisht kjo vazhdon edhe në ditët e sotme, nga se qëllimi i tyre dihet se ka qenë që shqiptarët në Ballkan të mos kenë shtetin e tyre”, deklaroi Rafiz Haliti, nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

Autori i librit, Branisllav Sinadinovski, duke iu referuar punës së tij tha se këtë qëllim timin nuk mundën ta pengojnë as konservatizmi e as forcat retrograde, duke shtuar se unë jo vetëm që e shkrova librin për shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë, por ia dola të dëshmoj se edhe ata njësoj si bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri dhe gjithkund në botë, janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar.

“Për gjithë këtë, si autor i këtij libri flas me emocione, por në mënyrë njerëzore dhe shkencore, të mbështetur në fakte dhe argument, duke dëshmuar se shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet tjera të Shqipërisë nuk janë dhe as që mund të jenë sllavë, as maqedonas që flasin në gjuhën shqipe, sepse ata ishin dhe do të mbeten gjithmonë pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve të mirënjohur, shqiptarë ortodoksë, dhe si të tillë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar”, shtoi mes tjerash autori i libri Branisllav Sinadinovski.
Autorit Branisllav Sinadinovski, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, në shenjë falënderimi për kontributin e tij në ndriçimin e historisë së shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni i ndau një dhuratë me figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa në shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare, Rektori i USHT-së Prof. dr. Vullnet Ameti i ndau një dhuratë edhe nipit të familjes së njohur atdhetare Qiriazi nga Manastiri, z. Risto Qiriazi.
Në USHT u promovua libri Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë
Në USHT u promovua libri “Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë
Në USHT u promovua libri “Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë

Publikuar: 06.04.2016 | 18:15
Lexuar: 726 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime