E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

E mbetur jetime që në moshën 3-muajshe ka kaluar një jetë plot vuajtje dhe mundim dhe, sipas rrëfimit të saj, sot ka një pleqëri të mbarë. Me 5 korrik 2010 (dje) ajo festoi me fëmijë, nipër dhe stërnipër 115-vjetorin e lindjes së saj. Nënë Dila pohon se i ka rritur 5 fëmijët me mund dhe punë pa i shtrirë dorën askujt dhe sot të gjithë e mbajnë në pëllëmbë të dorës.
Nėnė Dila feston ditėlindjen e 115-tė








Lindita Kokaj

Gruaja tashmë ka 120 fëmijë, nipër e stërnipa. "I kam rritur fëmijët me punë e mund, pa i shtrirë dorën askujt. Tashmë më mbajnë në pëllëmbë të dorës",- rrëfen e moshuara me gotën e uzos në dorë

Data 5 korrik 1895 do të shënonte ardhjen në jetë të gruas, e cila dje ka mbushur plot 115 vjet jetë. Dile Jaku nga fshati Balldre i Lezhës apo siç e thërrasin ndryshe "Nënë Dila" ka jetuar në plot tre shekuj.

E mbetur jetime që në moshën 3-muajshe ka kaluar një jetë plot vuajtje dhe mundim dhe, sipas rrëfimit të saj, sot ka një pleqëri të mbarë. Me 5 korrik 2010 (dje) ajo festoi me fëmijë, nipër dhe stërnipër 115-vjetorin e lindjes së saj. Nënë Dila pohon se i ka rritur 5 fëmijët me mund dhe punë pa i shtrirë dorën askujt dhe sot të gjithë e mbajnë në pëllëmbë të dorës.

"Me irzë të ballit, me punë dhe mund kam rritur 5 fëmijë, pa i shtrirë dorën askujt.

Nuk kam dalë kurrë me shkop dhe trastë për të kërkuar lëmoshë, kam mbledhë barishte në kopsht duke i shitur për të blerë një thes miell për fëmijët e mi, pasi burri më ka vdekur në moshë të re dhe më është dashur të rris edhe unë 5 fëmijë jetimë, ashtu siç edhe unë jam rritur jetime", thotë Nënë Dila, e cila troket gotën me uzo me stërnipërit e saj në këtë ditëlindje të 115-të, duke rrëfyer se nuk ndien asnjë dhimbje dhe nuk ka asnjë sëmundje në trupin e saj.

Ajo bën një jetë normale duke u ushqyer normalisht dhe nën përkujdesin e fëmijëve dhe trashëgimtarëve të saj që kanë arritur deri në brezin e 5-të që është një fëmijë 3-vjeçar.

Festimi

Në ditëlindjen e saj u ndodhëm në këtë banesë në kodër të fshatit Balldre, ku Nënë Dilen e gjetëm në pragun e derës duke iu gëzuar ardhjes së stërmbesave dhe stërnipit, të cilët jetojnë në Itali. Ndihej e gjallëruar në praninë e këtyre vogëlushëve të cilët i falën më tepër emocion në këtë 115-vjetor. Ecën në oborrin e shtëpisë e shoqëruar nga dashuria e më të vegjëlve dhe nga përkujdesi i më të rriturve.

Në bashkëbisedimin me të vëren se nga zemra e saj buron një dashuri e madhe për jetën dhe familjen, e cila është sekreti i jetëgjatësisë, dhe dëgjon vetëm fjalë të ëmbla dhe falënderime për trashëgimtarët e saj si edhe ndaj Zotit, pasi çdo bisedë e përfundon me një uratë.

Nënë Dila mund të jetë qytetarja më e vjetër që është pajisur me letërnjoftimin e ri elektronik dhe që ka aplikuar e po pret të marrë edhe pasaportën biometrike.

Nënë Dila ka lindur në fshatin Bushkash të Mirditës, më 5 korrik 1895, ditëlindje e shënuar në pasaportën e vjetër që mban. Kur ishte vetëm tre muajshe mbetet jetime, pa baba e nënë, por as vëlla e motër.

Në moshën 7-vjecare, një i njohur në Manati e merr për rojtare, duke e rritur, derisa martohet në fshatin Mërqi të Lezhës me Gjin Jakun, me të cilin pati 5 fëmijë, ndërsa 2 të tjerë i kishin vdekur. Por edhe bashkëshorti u nda nga jeta duke e lënë gruan të rrisë 5 fëmijë me stërmundim por me dashuri dhe përkushtim. E ndërsa sot ajo gëzon respektin e mbi 120 fëmijëve, nipërve dhe stërnipave.

Të afërmit


Nënë Dila është një rast unik për jetëgjatësinë, por çuditërisht ajo nuk ka tërhequr vëmendjen e shtetarëve, pasi edhe pse në këtë moshë, ajo nuk ka marrë si pension apo përkrahje asnjë qindarkë.

Stërnipi Ermir Mhillaj shprehet: "Të jesh 115 vjeçe, të gëzosh shëndet të plotë e të ecësh me këmbët e tua është një rast unik. Sot Nënë Dila është 115 vjeçe dhe çuditërisht nga shteti nuk është bërë asgjë për ta ndihmuar stërgjyshen tone, e cila edhe pse në këtë moshë i është mohuar edhe pensioni, duke mos marrë asnjë qindarkë.

Po të ishte në një vend tjetër, stërgjyshja jonë do të kishte një vëmendje tjetër, pasi është vërtet një muze i gjallë"
"Dashuria është sekreti i jetëgjatësisë së saj", shprehet nipi i Dilës, Agron Jaku, i cili na zbulon edhe një sekret, ku thekson se ne nipërit e saj në këmbim të dashurisë që gjyshja na ka falur, do të bëjmë të mundur përgatitjen dhe botimin e një libri ku do të përfshihen e gjithë jeta dhe vuajtjet e saj.

Agroni i bëri dhe një apel autoriteteve lokale dhe qendrore që të ndihmojnë moralisht apo edhe për t'i orientuar lidhur me dokumentacionet që duhet të parapërgatiten për përfshirjen e saj në librin e rekordeve "Guinnes".

Publikuar: 10.07.2010 | 15:27
Lexuar: 467 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime