Paralajmërimi vjen nga shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, prezent në Tiranë prej tri ditësh për rishikimin e buxhetit 2010.
Shefi i misionit, Bell: Deficiti, 7%. Debat në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin
Nëse Shqipëria do të vijojë të ketë nivel të lartë borxhi dhe parametrat aktualë ekonomikë, atëherë rrezikon të kthehet si Greqia, e zhytur në krizë të thellë.
Paralajmërimi vjen nga shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, prezent në Tiranë prej tri ditësh për rishikimin e buxhetit 2010. I pranishëm në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, për të diskutuar rreth situatës ekonomike, Bell u ka bërë të qartë deputetëve se gjendja aktuale me borxhin dhe deficitin korrent e vendos Shqipërinë në nivelet e krizës që po përjeton Greqia.
Në mbledhjen e zhvilluar dje me dyer të mbyllura ishin deputetët përfaqësues të të dyja forcave politike. Për Partinë Socialiste morën pjesë Arben Malaj, Mimi Kodheli dhe Erjon Braçe, kurse për Partinë Demokratike ishin kryetari i komisionit, Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Selami Xhepa dhe Sybi Hida. Burime brenda takimit bëjnë me dije se diskutimet u zhvilluan rreth nivelit të ri të shpenzimeve buxhetore dhe rritjen e pagave e pensioneve. Të tjera çështje ishin politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe statistikat e INSTAT.
Shqipëria është i vetmi vend në botë me deficit korrent dyshifror, element ky tepër shqetësues, mësohet të ketë thënë shefi i misionit, Bell. Situata me borxhin duhet ndryshuar e nëse vijohet kështu, do të kthehemi si vendi fqinj grek, i cili desh rrezikoji falimentimin. Bell nuk preferoi të bënte parashikime mbi rritjen ekonomike, por nxori shifrën e deficitit buxhetor, që rrezikon të prekë nivelin 7 për qind për vitin 2010.
Debat kishte mes Bell dhe Shehut (ish-zv.ministër i Financave), sa i takon rritjes së pagave, ku të dyja palët parashtruan qëndrime të kundërta. Për socialistët ishte shumë shqetësues certifikimi i të dhënave që ofron INSTAT, që shumë herë janë të pabesueshme. FMN mësohet të ketë thënë se ecuria e INSTAT me publikimin e të dhënave po shkon drejt pozitives, porse ka ende punë për të bërë. Shefi i misionit ka vlerësuar edhe punën e bërë nga Banka Qendrore sa u takon politikave monetare të ndjekura prej saj me objektiv ruajtjen e inflacionit.
Mësohet se debati për rishikimin e buxhetit u zhvillua nën atmosferë teknike dhe politike, ku të dyja palët parashtruan opsionet e tyre. Për shkak të zhvillimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, të dyja forcat politike u rezervuan të jepnin detaje, por në parim thanë se diskutimet rezultuan pozitive, sidomos për demokratët.
Kolapsi financiar në Greqi ndodhi për shkak të nivelit të lartë të borxhit, i fshehur për vite, si pasojë e manipulimit të të dhënave. Për FMN-në është shumë e rëndësishme ruajtja e balancave ekonomike dhe një rishikim i nivelit të borxhit. Nga ana e saj, qeveria shqiptare ka pranuar ta rishikojë buxhetin e shtetit, duke e reduktuar me rreth 40 miliardë lekë, vendim i marrë të enjten në mbrëmje.
Në mbyllje të misionit, FMN do të kryejë një konferencë për shtyp, së bashku me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ku pritet të bëhen publike qëndrimet e saj rreth situatës së re ekonomike pas rishikimit të buxhetit. (shqip)