E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Këshilli komunal miratoi propozim vendimin për miratimin e propozim ndryshimit të Planit Gjeneral Urbanistik të Gostivarit.
Bejta: Shtytje për zhvillim ekonomik





Propozim vendim për miratimin e propozim ndryshimit të Planit Gjeneral Urbanistik (PGJU), të qytetit të Gostivarit për periudhën e planit (2011-2021), ishte pika kyçe e seancës së 30 me radhë të Këshillit të Komunës së Gostivarit. Me shumicë votash, këshilltarët komunal dhanë dritë të gjelbër ndaj këtij vendimi me interes publik për qytetin e Gostivarit.

Në fjalimin e tij para këshilltarëve, kryetari i Komunës, z. Nevzat Bejta tha se miratimi i propozim ndryshimit të Planit Gjeneral Urbanistik është një lajm i gëzueshëm për qytetarët e Gostivarit, sepse, mundësohet zhvillimi ekonomik i qytetit.

“Sot për mua si kryetar komune, administratën dhe gjithë qytetarët e Gostivarit është një ditë e veçantë dhe mund të themi se është një ditë gëzimi. Ne në mandatit e parë miratuam Planin Gjeneral Urbanistik për herë të parë në historinë e qytetit të Gostivarit. Atë që nuk e bënë të tjerët në dekadat e shkuara ne e arritëm për pesë muaj. Pas miratimit të planit, ashtu siç thonë qytetarët, qyteti i Gostivari nga një fshat i madh u shndërrua në një qytet të madh dhe shumë të bukur. Miratuam Planet Detale Urbanistike dhe qytetarët e Gostivarit filluan të investojnë dhe ndërtojnë në qytetin e tyre. Me kalimin e kohës, pas një dekade lindi dhe nevoja për plotësimin dhe ndryshimin e PGJU-së. Ne filluam me punë dhe pas një pune gatisë dy vjeçare në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, gjegjësisht Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, arritëm ta përmbyllim këtë proces. Jemi e vetmja Komunë që arritëm të marrin pëlqim nga MTL-ja për ndryshimin dhe plotësimin e PGJU-së , dhe me 6 Prill na u dha pëlqimi. Sot për mua dhe gjithë qytetarët e Gostivarit, për fat të keq jo dhe për këshilltarët e opozitës që nuk e votuan vendimin, është një ditë e madhe dhe qytetarëve ua uroj plotësimin dhe ndryshimin e Planit Gjeneral Urbanistik të qytetit të Gostivarit”, u shpreh mes të tjerash kryetari Nevzat Bejta, i cili tha se në të ardhmen Sektori për Urbanizëm do të vazhdon me miratimin e Planeve Detale Urbanistike, me çka qytetarët do të kenë mundësi t’i realizojnë projektet e tyre.

Jeton Salija, udhëheqës i Sektorit për urbanizëm, komunikacion, veprimtari komunale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, para këshilltarëve deklaroi që Plani Gjeneral Urbanistik mbulon gjithë hapësirën e komunës dhe ofron orientimet detale për udhëzim të zhvillimit të qytetit. Ai njoftoi se sipërfaqja e përfshirjes së planit është prej 804.194 ha.

“Mbrojta e vlerave urb-arkitektonike të Gostivarit është pikësynim dhe parametër i cili qëndron në shërbim jo vetëm të ruajtjes së këtyre vlerave por edhe të profilimit të ardhshëm të qytetit të Gostivarit. Banimi i ri është i nevojshëm për shkak të rritjes së popullsisë dhe për shkak se është shtuar numri i familjeve të reja me kërkesa për banim të ri me çka në plan është planifikuar për zhvillimin në dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, tha Salija, duke shtuar që ndërtimi si veprimtari e dytë ekonomike duhet të transformohet në një ekonomi të suksesshme për arsye të rritjes së madhe të kërkesave për nderim

“Trafiku i integruar brenda një njësie, si i ndërsjellë në mes të njësive, dhe ai i të gjitha njësive me trafikun qendror të qytetit, përmes të gjitha modaliteteve brenda distancave të propozuara, do të mundësonte funksionim cilësor të trafikut të qytetit të Gostivarit. Gjatë planifikimit të ritë qytetit të Gostivarit është bërë analiza e sipërfaqeve ekzistuese të komunës kadastrale të qytetit të Gostivarit dhe raporti i kësaj sipërfaqeje me kufirin e ri të qytetit. Sipërfaqet orientuese për 804 ha janë dhënë përmes aplikimit të standardeve të sipërfaqeve të nevojshme për banorë”, shtoi Salja.

Këshilltarët miratuan edhe propozim vërtetimin e vendimit nr. 08-1756/1 nga 14.07.2015 për huamarrje afatgjate të brendshme të Komunës së Gostivarit në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale (MSIP).

Elaborim para këshilltarëve bëri Fitore Aligega, zëvendësudhëheqëse e Sektorit për Çështje Financiare në Komunën e Gostivarit.

“Është projekt i fituar dhe financuar nga Banka ndërkombëtare për rindërtim dhe zhvillim, vet fjala vërtetim do të thotë që është sjell njëherë ky vendim dhe i njëjti vërtetohet për këtë vit fiskal 2016. Për ndryshe, projekti ka të bëjë me ndërtimin e gypave të ujësjellësit në fshatin Banjicë të Poshtme dhe të Epërme .Vlera e huamarrjes është 20.528.377,00 denarë me afat kthimi 6,5 vjet (grejs periudhë 3 vjet) data e fundit e kthimit është 15 Shkurt – 2022”, tha Aligega.
Pikë tjetër që u miratua me shumicë votash ishte edhe propozim - vendimi për pranim të donacionit nga firma zvicerane “Scafur” – Schaffhausen dedikuar njësit të zjarrfikësve dhe që përfshijnë uniforma të posaçme dhe pajisje pune për zjarrfikësit.

Këshilltarët miratuan edhe propozim vendimet për ndarje të mjeteve financiare për SHF “Përparimi” të fshatit Çegran dhe SH.M.K “Gostivari”.

Edhe propozim – konkluzioni për dhënie pëlqim Programës për realizimin e ekskursionit të nxënësve të SH.F “Liria”, të fshatit Vërtok, për vitin shkollor 2015/2016, po ashtu gjeti mbështetjen e shumicës së Këshilltarëve.

Nga sfera e arsimit po ashtu u miratuan edhe propozim – konkluzioni për dhënie pëlqim Programës për realizimin e ekskursionit të nxënësve të SH.F “Goce Dellçev” – Gostivar si dhe SH.F “Faik Konica”, të fshatit Debresh për vitin shkollor 2015/2016, si dhe propozim - vendimi për lirim nga pagesa për kompensim për komunalje për ndërtim të sallës së sportit të SH.F “Mustafa Kemal Ataturk”, të qytetit të Gostivarit.

Publikuar: 15.04.2016 | 15:28
Lexuar: 1206 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime