E hënë, 19.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pra, parë realisht, as VMRO-DPMNE as LSDM nuk e kanë gjithaq hallin se do të mbahen apo jo zgjedhje të lira e të besueshme, sa e kanë gajlen te kuotat e perceptimit publik ndaj tyre.
Armiqësitë brendamaqedonase dhe shqiptarët e hutuar










Nga Emin Azemi

Edhe sikur të shkonin në Vjenë katër liderët politikë të Maqedonisë, nuk pritej ndonjë rezultat spektakolar. Nga ana tjetër, BE dhe Parlamenti Europian do ta quanin të dështuar misionin e tyre sikur Marrëveshja e Përzhinos të mos implementohej në tërësi.

Maqedonia po ngulfatet në llumin që e krijuan politikanët, si ata që shantazhojnë institucionet e drejtësisë dhe minojnë punën e Prokurorisë Speciale, si ata që ikin nga zgjedhjet dhe nuk iu përmbahen marrëveshjeve paraprake.

Diku në mes ndodhen politikanët shqiptarë, të cilët me stilin e tyre “ngre e mos këput” as nuk po e faktorizojnë politikëbërjen e tyre me lëvizje më të zgjuara, as nuk po sjellin ndonjë alternativë që do t’iu hapte udhë ideve më gjithëpërfshirëse të shqiptarëve në Maqedoni.

Por, Maqedonia e ka shumë problem të vazhdojë këtë gjendje të status quo-s. Kriza e besueshmërisë qytetare ndaj institucioneve, si dhe prishja e subordonimit komandues në disa dikastere të MPB-së, tërheqja dhe transferimi jashtë i parave të qytetarëve dhe kompanive nga bankat, paralajmërimi për ndonjë devalvim të mundshëm të valutës vendore, janë parashenjat e një kolapsi më të madh që mund ta kaplojë shtetin.

Aktualisht, kriza është e strukturuar në mendjet e politikanëve si një virus që po vjen duke u zhvilluar në përmasat e një përbindëshi.

Fataliteti i kësaj krize e ka atë dimensionin historik të keqkuptimit dhe armiqësimit brendamaqedonas. Kemi të bëjmë me një komb të ri, që nuk i ka kaluar të gjitha fazat e pjekurisë kolektive dhe tani e ka vështirë që brenda një kohe të shkurtër të krijojë harmoninë e brendshme ideologjike, politike, sociale etj. Degëzimi ideologjik i maqedonasve si komb, ka ardhur duke nxjerrë shartime të panatyrshme në trungun etno-psikologjik dhe për pasojë tani kemi dy mendësi diametralisht të kundërta.

Kjo dikotomi ideologjike brendamaqedonase ka koston e saj të pallogaritshme në ridimensionimin institucional të shtetndërtimit. Këtë “avari” të madhe në mekanizmin e mbamendjes së tyre historike, intelektualët dhe politikanët maqedonas janë munduar ta fshehin për vite të tëra, duke i ikur debatit publik dhe zëvendësimin e tij me njëfarë fushate të dyanshme partiake, që në thelb ka pasur pikërisht këtë papajtueshmëri të brendshme.

Atë që partia maqedonase në pushtet e quan zgjim kombëtar, partia tjetër opozitare e kualifikon si regres dhe shpërfytyrim të historisë së vërtetë. Prirjet antagoniste shkojnë deri atje sa të mos ketë një konsensus minimal, sa i përket historisë së përbashkët dhe përplasjet e diskurseve nuk kanë një vokacion shkencor e akademik, por puro politik.

Aktualiteti politik, i mbarsur me krizën e dialogut dhe mungesën e konsensusit, patjetër që e ka një tub përçues nëpër të cilin kalon gjithë ky animozitet brendamaqedonas. Dallueshmëria e perceptimit publik ndaj dy partive kryesore maqedonase, ende është e madhe dhe ka një llogari të dyanshme dhe vazhdimi i krizës ka të ngjarë që këtë dallueshmëri ta ngushtojë.

Tani për tani është LSDM ajo që dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet, jo gjithaq për shkak të regjistrit zgjedhor, reformës në media etj., sa për shkak të distancës së madhe që ka ndaj partisë rivale – VMRO (DPMNE) në të gjitha matjet e disponimit të opinionit publik. Nga ana tjetër, partia në pushtet dëshiron të ketë sa më shpejt zgjedhje që ta shkurtojë kalvarin që do t’ia shkaktonte Prokuroria Speciale përmes aferave të deponuara në formë përgjimesh nga ana e opozitës.

Pra, parë realisht, as VMRO-DPMNE as LSDM nuk e kanë gjithaq hallin se do të mbahen apo jo zgjedhje të lira e të besueshme, sa e kanë gajlen te kuotat e perceptimit publik ndaj tyre.

Fundja, në disa cikle të kaluara zgjedhore në këto 25 vjet pluralizëm, ka qenë pikërisht LSDM që ka fituar mandate qeverisëse me zgjedhje edhe më të skandalizuara dhe asnjëherë në të kaluarën kjo parti nuk ka kërkuar shtyrjen e tyre për shkak të regjistrit (të papastruar) zgjedhor, lirisë së mediave, ndarjes së partisë nga shteti, reformave në gjyqësi etj.

Por, edhe partia e Gruevskit gjithë këtë turr për të shkuar në zgjedhje nuk e mbështet gjithaq në realitetin ekonomik e social që prodhon politika, gjoja, e drejtë e tyre, sa e projekton si vazhdim të kauzës kombëtare për zgjimin nacional të maqedonasve, në këtë interval kohor kur ata duhet të jenë në pushtet.

Dështimi i takimit të Vjenës, është dështim edhe i përpjekjeve diplomatike për të vendosur në Maqedoni një rend shtëpiak europian. Kjo, gjithsesi i hap udhë involvimit më të fuqishëm të diplomacisë amerikane këtu, e cila, përmes përfaqësuesit e të saj në Shkup i ka bërë punët e duhura konform situatës, por jo edhe të domosdoshme dhe afatgjata. Në Maqedoni, duhet patjetër të spostohet një i dërguar i posaçëm amerikan, i cili në bashkëpunim me përfaqësuesit e BE-së do të gjente modalitet më të qëndrueshëm, për tejkalimin e krizës fillimisht dhe do të krijonte parakushte për një funksionim afatgjatë të bashkëveprimit institucional në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe në mes të vetë maqedonasve. Roli amerikan në Maqedoni do të duhej parë edhe në kontekst të afiniteteve gjeopolitike, që u shfaqën kohët e fundit, ku dëshpërimi rus për humbjen e primatit në udhët energjetike të Ballkanit, që duhej të kalonin edhe nëpër Maqedoni, u shpreh me një mungesë të theksuar takti diplomatik, që shumëkush e ka lexuar si përkrahje direkte e regjimit aktual. Që palët e konfrontuara në Maqedoni të mos kenë edhe në të ardhmen spiranca avokatie ku do të mund t’i lidhnin barkat e tyre të lodhura, njëri në Sofje te Borisovi e tjetri në Moskë te Putini, atëherë imponohet si e domosdoshme një prani më e shtuar e diplomacisë amerikane në Maqedoni, që do të rezultonte në formimin e një qeverie kalimtare këtu, me një rol më domethënës të shqiptarëve, e cila brenda dy viteve do të arrinte t’i “hekuroste” shumicën e gungave në relievin e trazuar politik të Maqedonisë.

Publikuar: 22.04.2016 | 13:19
Lexuar: 1077 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime