E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Të përkthesh sot është shumë më bukur. Por kujdes: kurrë nuk duhet thënë “më e lehtë”. Përkthyesit e sotëm heqin më pak në gjetjen e kuptimit të fjalëve, por përkthimi – e thashë dhe pak më sipër – është shumë më tepër se sa kaq; është krijim më vete. Për këtë arsye, ka për të mbetur prore i mundimshëm.
Institucionet apo populi?




Mustafa Nano

Javë më parë, Argjentina u mund nga Gjermania me rezultatin 4:0. Dhe me këtë, Diego Armando Maradona mori një shuplakë të rëndë si trajner. Aty për aty mendova se do ta kryqëzonin e linçonin me të vënë këmbë në Argjentinë, dhe zuri të më vinte keq in advance për trajnerin dështak, i cili më ka magjepsur si askush tjetër në kohët kur ishte futbollist.

Mirëpo ç’ndodhi? Si zor të gjendet një rast analog në ndonjë vend tjetër, ndoshta dhe në histori, ku dështaku të trajtohet si triumfator. Me t’u kthyer në Argjentinë, ai u ballafaqua me empathinë dhe mbështetjen e të gjithëve, tifozëve, institucioneve sportive, institucioneve politike dhe autoriteteve shtetërore.

Duke përjashtuar do gazeta kritike, të tjerët janë vënë në një garë mirëkuptimi e mbështetjeje ndaj Maradonas. Futbollistët i përgjërohen të qëndrojë, federata e futbollit po prêt vendimin e tij, ministra e deputetë të të gjitha krahëve i bëjnë apel të mos nxitohet, Presidentja e Republikës, Cristina de Kirchner (të jetë vallë eksperte e futbollit?) bëhet njësh me entuziazmin popullor, dhe thotë se ai është njeriu i duhur për skuadrën kombëtare, e kështu me radhë. Kuptohet, nën këtë vrundull emocionesh e yryshi idolatrik, çdo analizë e vendim institucionesh në respekt të logjikës së fakteve e në respekt të procedurave e precedentëve, do të ishin ose të kotë, ose të pamundur. Çfarë t’i bësh? Ndodh edhe kështu; ndodh pra që njerëzit nuk e qortojnë dikë për dështimin, por e mbështesin pa fund për karizmën; që njerëzit nuk shohin nevojën për ndryshim, por shohin nevojën për t’u vënë në mbështetje të një ikone.

Kjo ngjarje më bëri t’i përvidhem kontekstit e më cyti të bëj një përgjithësim: më tepër se çdo gjë tjetër, është ethosi kolektiv e nacional që në një mënyrë a në një tjetër dikton vendimmarrjen në një vend, e që në një mënyrë a në një tjetër u jep formë institucioneve të një vendi (dhe po saktësoj shpejt e shpejt, që me ethos kolektiv e nacional kuptoj ato vlera, sjellje, norma e mentalitete, që janë të përbashkëta për të gjithë, pothuaj për të gjithë, pjesëtarët e një kolektivi apo të një kombi).

Në këtë kuptim, aty ku vlejnë idhujt e jo kontratat, aty ku vlejnë bëmat e shkuara e jo dështimet e sotme, aty ku shihen meritat e djeshme e jo përgjegjësitë e momentit, aty ku postin e përgjegjësitë i shpërndan dhe i rikonfirmon vox populi, dhe jo ndonjë kornizë rregullash e procedurash, aty pra nuk është çudi që konsensusin e shtrirë popullor, të matur me vota apo anketime, ta shesin si një gjë që vlen shumë më tepër se sa ca udhëzime kushtetuese, që synojnë t’i vënë fre fuqisë e pushtetit që buron prej këtij konsensusi.

Me fjalë të tjera, aty ku janë të forta qasjet emocionale, idolatrike, fanatike, intolerante etj., etj., (këto janë përthyerje të ethosit kolektiv, apo jo?), institucionet do jenë se s’bën të dobëta, të brishta, të nëpërkëmbëshme.

Përkthimi është prore i mundimshëm

Jam duke përkthyer diçka. E dini çfarë? Sa herë që më qëllon të bëj këtë punë, më shkon mendja tek ata që kanë ushtruar profesionin e përkthyesit në kohë të tjera, kur gjithë sa kishin në dispozicion ishte një fjalor dy gjuhësh, njëra prej të cilave ishte gjuha shqipe.

Në kohë të komunizmit, ndonjë fatlum mund të ketë pasur edhe ndonjë fjalor njëgjuhësh, fjala vjen fjalor frëngjisht-frëngjisht, por me siguri, ndonjë gjë jo fort pretencioze. E shumta do të ketë qenë ndonjë botim i vjetër dhe i papërditësuar i fjalorit Le Petit Robert. E ndonjë tjetër, më fatlum akoma – gjë fort e rrallë kjo – mund të ketë pasur ndonjë fjalor dygjuhësh, ku të dyja gjuhët ishin të huaja. Dhe kjo ia bënte më të lehtë ushtrimin e zejes (kuptohet, kur i njihte mirë të dyja gjuhët në fjalë).

Duhet të ketë qenë torturuese e rraskapitëse, apo jo? Dhe kjo është një nga arsyet që përkthyesit tanë meritojnë mirënjohje të pafund. Afërmendsh, përveç arsyes kryesore: vazhduan në rrethana të dhunës, të shtrëngimit, të ortodoksisë ideologjike e kulturore, e të izolimit, të mbeten në nivelin e traditës sonë, e cila nuk ishte e madhe në sasi, por ishte sqimatare në cilësi. Përkthyesit shqiptarë, jo tërësisht për meritën e tyre, kanë përdorur një gjuhë më pak të drunjtë e më shumë të zhdërvjellët se sa ajo që përdorej nga shkrimtarët soc-realistë, e në këtë kuptim, kanë luajtur një rol shumë më të madh në edukimin gjuhësor të asaj pjese të shoqërisë, që lexonte letërsi të përkthyer.

Sot me përkthimin është ndryshe. S’e kam fjalën te niveli i përkthyesve; me sa duket në Shqipëri, qoftë dhe në respekt të traditës së stërholluar që kemi, do të kemi gjithmonë përkthyes të mirë. E kam fjalën te procesi, i cili mbetet po ai, gjithmonë i ndërlikuar dhe i mundimshëm (shpeshherë përkthimi qëllon që është më i mundimshëm se – dhe po aq i bukur – sa krijimi, dhe për këtë arsye ka pasur e ka plot krijues që janë marrë me përkthimin, duke e parë si një sfidë tjetër krijuese), por mjetet në dispozicion janë të pafundme. Sot kontakti me gjuhën e huaj nuk është thjesht libresk dhe akademik, por edhe real e i prekshëm. Nga ana tjetër, fjalorët janë sheshit, të të gjitha gjuhëve, përmasave, versioneve. Dhe ç’është më e vlefshme, janë shtuar dhe fjalorët virtualë (online), të cilët janë shterues, të përditësuar e të përditësueshëm. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sidomos në botën e në kohën e sotme, kur dalin vazhdimisht terma të rinj, që u japin emër sendeve, dukurive e zhvillimeve në fusha të ndryshme.

Shkurt, të përkthesh sot është shumë më bukur. Por kujdes: kurrë nuk duhet thënë “më e lehtë”. Përkthyesit e sotëm heqin më pak në gjetjen e kuptimit të fjalëve, por përkthimi – e thashë dhe pak më sipër – është shumë më tepër se sa kaq; është krijim më vete. Për këtë arsye, ka për të mbetur prore i mundimshëm.

Publikuar: 11.07.2010 | 19:56
Lexuar: 653 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime