E shtunë, 25.10.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Aktori tetovar, Blerim Destani në një intervistë ekskluzive për Gazetën Yll Press, ka folur për rininë, pasionin për artin, dashurinë, planet, sfidat. Blerimi, ka folur edhe për jetën e tij intime. Jam i plotësuar thotë ai, që do të thotë se nuk është vetëm, e aq më pak i vetmuar. Për të tjera në ndonjë rast tjetër, premtoi. Aktori ka sqaruar se roli i Shestanit në "Koha e kometës" ishte angazhimi i tij më i madh dhe më i vështirë dhe ishte pikërisht ky rol që Blerimit i hapi dyert edhe për dy projekte tjera ndërkombëtare: "Truth About Men" dhe "At World's End". Lexuesve ju dhuron shume dashuri....
...











Intervistë ekskluzive me aktorin Blerim Destani





Aktori tetovar, Blerim Destani në një intervistë ekskluzive për Gazetën Yll Press, ka folur për rininë, pasionin për artin, dashurinë, planet, sfidat. Blerimi, ka folur edhe për jetën e tij intime. Jam i plotësuar thotë ai, që do të thotë se nuk është vetëm, e aq më pak i vetmuar. Për të tjera në ndonjë rast tjetër, premtoi. Aktori ka sqaruar se roli i Shestanit në "Koha e kometës" ishte angazhimi i tij më i madh dhe më i vështirë dhe ishte pikërisht ky rol që Blerimit i hapi dyert edhe për dy projekte tjera ndërkombëtare: "Truth About Men" dhe "At World's End". Lexuesve ju dhuron shume dashuri...


Yll Press: Blerim, a mundë të na përshkruani si keni vendosur të bëheni aktor dhe kur e ke kuptuar se të pëlqente aktrimi?

Blerim Destani: Që në moshë të re unë e ndjeva që aktrimi brenda meje ishte pasioni kryesor. Gjithçka që bëja ishte nga ai këndvështrim. Kështu edhe vendosa që këtij pasioni ti jap hapësirën e nevojshme dhe kështu pasuan angazhimet e mia në detyra aktoreske siç ishte projekti “Atje ku nuk lind dielli", më pas pasoi roli i Benin në filmin televiziv "Metropolet" si dhe roli i Ushtarit në filmin artistik "Etjet e Kosovës". Gjatë këtyre angazhimeve e kuptova që jam në rrugën e duhur dhe se pasioni im sa vinte e bëhej më i qëndrueshëm brenda meje. Në ndërkohë mbarova edhe shkollimin e mjeshtërisë së aktorit në Keln dhe në Londër. Vërtetimi i gjithë kësaj erdhi me realizimin e rolit të Shestanit në filmin "Koha e kometës".


Yll Press: A të kanë inkurajuar njerëzit rreth teje për këtë gjë?

Blerim Destani: Kuptohet. Për gjithë këtë përkrahjen më të madhe e kisha nga familja ime, veçanërisht në hapat e para. Pa përkrahjen e tillë mendoj se do të kisha rrugë shumë më të vështirë.

Yll Press: Si ka qene fëmijëria e juaj, na përshkruani me pak fjale çastet me mbresëlënëse te fëmijërisë suaj?

Blerim Destani: Janë shumë dhe do na duhet shumë hapësirë për të përmendur të gjitha. Unë thjesht jam me fat që pata mundësinë të rritem në kuadër të një familjes së shëndosh, në të gjitha dimensionet e saja. Në fëmijëri më është dhuruar shumë dashuri, gjë që është esenciale për një moshë të tillë. Përveç nga prindërit të mi prej të cilëve kam pasur dashurinë dhe përkrahjen e pakufishme, unë po ashtu jam rritur me gjyshin dhe gjyshen time, preja të cilëve kam përjetuar edhe tregimet e para të moçme shqiptare, dhe gjithë këtë me një urtësi fantastike. Këto tregime unë që në atë moshë mundohesha ti interpretoj.

Yll Press: Kur për here të pare jeni ballafaquar me kamerën?

Blerim Destani: Që në moshën shumë të re Babai me kamerën e tij "Super acht" xhironte skena nga jeta e përditshme dhe më pas e zhvillonte filmin në Gjermani dhe organizonte projeksione në shtëpi para anëtarëve të familjes. Pra që në moshën shumë të re unë falë pasionit të tij u ballafaqova me magjinë e kinemasë dhe e zbulova të njëjtin pasion brenda meje. I bëja shumë pyetje se si arrin kamera ti regjistroj të gjitha ato që i shihnim në projeksione. Roli i Babait tim në orientimin tim në sferën e artit është jashtëzakonisht i madh pasi edhe më ka përkrahur shumë, që ta zhvilloj brenda meje pasionin për këtë profesion.

Yll Press: A do të kishit pranuar te luani një skene erotike dhe me cilën aktore?

Blerim Destani: Kuptohet, që po. Kamera gjatë xhirimeve duhet të regjistroj jetën e vërtetë të personazheve brenda rrethanave që gjenden ata. Dhe po qese në një rrethanë të tillë do të isha si aktor, do të mundohem që të jem sa më i vërtetë, që shikuesin ta përjetojnë skenën si pjesë e jetës. Sa për partnere; kjo nuk varet vetëm nga unë, por edhe nga shumë faktor tjerë të produkcionit.

Yll Press: A keni të dashur? Nëse po, si e keni njohur atë?

Blerim Destani: Kjo pyetje më është bërë shumë herë, dhe përherë jam munduar që ti shmangem. Në një pyetje, a jeni "single"? u përgjigje, "Të jesh "single" do të thotë të jesh gjysmë, sipas disa mendimeve që secilit mashkull i duhet një plotësim i asaj gjysmës që ka brenda vetes e këtë e gjen tek ndonjë femër, ashtu siç secila femër atë boshllëkun e pjesës tjetër e gjen tek ndonjë mashkull. Në këtë kontekst, nuk jam "single" jam i plotësuar". Pra, jam i plotësuar që do të thotë se nuk jam vetëm, e aq më pak i vetmuar. Për të tjera në ndonjë rast tjetër.



Blerim Destani



Yll Press: Çka çmoni më së shumti te njerëzit?

Blerim Destani: Sinqeritetin dhe vlerësimin e saktë të vetvetes.

Yll Press: A jeni i përpikte me njerëzit?

Blerim Destani: Mundohem maksimalisht që të jem. Fundja natyra e profesionit që kam e kërkon një gjë të tillë.

Yll Press: A keni moto të cilës i përmbaheni?


Blerim Destani: Puna dhe përkushtimi ndaj punës asnjëherë nuk ngelin të pa vlerësuara, ndoshta vlerësimi për to mund të vonohet, por asnjëherë nuk mund të harrohet. Energjia e investuar përherë do të zërë vend dhe do të shprehet me rezultat.

Yll Press: Cili është filmi shqiptar qe ju shihni dhe ju emocionon?

Blerim Destani: Janë disa, por nëse më duhet të ceki disa, atëherë do të thoja që filmi "Proka" dhe Përrallë nga e kaluara" janë filmat që i shikoj me shumë dëshirë. Kuptohet edhe "Koha e kometës"... Haha...

Yll Press: A ndodh të keni probleme me regjisorin, aktorët apo me ndokënd tjetër të ekipit gjatë provave apo xhirimeve, me fjalë të tjera si është atmosfera jashtë skenës?

Blerim Destani: Nuk mund të them që ka probleme, por ka vetëm këndvështrime të ndryshme. Dhe kjo është e natyrshme, pasi shumë artist që në fakt edhe janë autor që tubohen rreth një vepre të kenë mendimet apo vizionet e tyre rreth asaj vepre. Dhe gjatë punës përgatitore arrihet që të gjithë me autorësitë e tyre të jenë kontribues në veprën e përbashkët - FILMIN. Ky është një proces në shumë raste i vështirë, por i domosdoshëm. Më pas kur çdo gjë vendoset në binarët e nevojshëm, çdo gjë ec drejt qëllimit të përbashkët - filmit.


Yll Press: A ju ndodh të refuzoni role?

Blerim Destani: Po. Në disa raste për shkak të pamundësisë kohore për realizim, e në disa raste edhe për shkak se nuk më ka pëlqyer roli i ofruar.

Yll Press: Koha e Kometës, po hy në botën e ekranit të madh me një bujë shumë të madhe. Si ka qenë sipas jush vlerësimi i publikut dhe kritikës?

Blerim Destani: Filmi ka përjetuar vlerësime të larta nga kritika ndërsa është mirëpritur në mënyrën më të shkëlqyer nga ana e publikut. Tregues më i mirë për këtë është edhe fakti se filmi i theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë në Prishtinë dhe kishte kërkesa që të shfaqet edhe në të gjitha qytete e Kosovës, aty ku ka kushte minimale që filmi të shfaqet konform standardeve. Në të njëjtën mënyrë filmi u prit në Tetovë dhe në Tiranë.



Blerim Destani-Cun Lajci





Yll Press: Filmi paraqet edhe ndarjen e shqiptarëve në baza fetare, dhe kjo shprehet në momentin kur dy personazhet kryesore hasin në pengesa për t'u martuar sepse njëri i përket fesë myslimane dhe tjetri katolike? Cili është mesazhi i filmit?

Blerim Destani: Jo. Filmi si edhe çdo vepër artistike paralajmëron për një mundësi të tillë, pasi veçanërisht tek në një ndarje e tillë në baza fetare, paraqet rrezikshmëri të madhe. Ajo do të ishte një çmenduri e vërtetë siç edhe e thotë njëri nga personazhët. Ky edhe është një nga misionet e artit që të paralajmëroj për dukuri të tilla. Një nga mesazhet kryesore të filmit është se ndarjet e tilla do e zhduknin dashurinë në përgjithësi. Nëse e keni vërejtur që në çastin kur çeta niset për të kërkuar luftën bëhet ndarja e tyre në bazë fetare në krahun e hoxhës dhe priftit për ta marrë bekimin e tyre, këtë gjë nuk e bën vetëm Shestani ai qëndron i veçuar dhe në mes të dy grupeve. Në fillim të filmin, Shestani e ka vetëm si ndjenjë intuitive se nuk duhet të pranoj një ndarje të tillë, pasi misioni që kanë nisur ta përmbushin, është kombëtar, dhe jo fetar. Kjo ndjenjë e tij që po e quaj intuitive në fund të filmit edhe kurorëzohet me dashurinë e tij ndaj Anjezës e cila është e fesë katolike. pra gjithçka kulminon me realizimin e dashurisë e tij duke i thënë Anjezës se "ka vetëm një Zot".

Yll Press: A keni emocione në prag të premierave?

Blerim Destani: Po, edhe atë shumë. Pasi është takimi i veprës që ti e ke punuar dhe gjatë kësaj pune e ke parë kush e di se sa herë, dhe në premierë ajo do të shihet për të parën herë nga ata të cilëve u dedikohet. Kjo është vërtetë shumë emocionuese.

Yll Press: Ju, Blerim jeni shprehur se artistët asnjëherë nuk ndalen. Çfarë mund të presim në vazhdim?

Blerim Destani: Sipas planeve që i kam përpara, mund të prisni ende filma. Shpresoj që këtë vit, pas xhirimeve që do ti kem në SHBA me filmin "Get low" ti realizoj edhe tre projektet që janë brenda planeve të mia për këtë vit.



Blerim Destani në rolin e Shestanit





Yll Press: Keni luajtur disa filma dhe në cilin rol deri tani jeni ndjerë më mirë?

Blerim Destani: "Koha e kometës" është projekti im i tretë dhe jam i lumtur që karriera ime është në rritje të vazhdueshme. Kjo nënkupton që edhe atë se roli i Shestanit në "Koha e kometës" ishte angazhimi im më i madh dhe më i vështirë. Thjesht ndodhi një komunikim i fuqishëm, që më pas u zhvillua në identifikim mes meje dhe personazhit. Ndoshta këtu edhe është çelësi i suksesit tim me këtë rol. Dhe duhet të ceki se pikërisht ky rol mi hapi dyert edhe për dy projekte tjera ndërkombëtare: "Truth About Men" dhe "At World's End".


Yll Press: Shtëpia filmike “LARA Enterpreises” tani më po bëhet një emër i respektueshëm në prodhimtarinë artistike. Çfarë planesh keni për vitet në vazhdim.

Blerim Destani: Të gjitha planet e mia janë pjesë e planeve dhe e strategjisë së kompanisë "LARA Enterpreises", ndërsa vet "LARA Enterpreises" ka edhe konceptin dhe strategjinë e sajë të veçantë. Jam i lumtur që në realizimin e "Koha e kometës" arritëm të tubojmë një ekip artistësh nga trojet shqiptare ku edhe punuam si një kombëtare e vërtetë. Shpresoj se edhe në të ardhmen projekte të tilla do të realizojmë.

Yll Press: Ti kthehemi jetës private. Na përshkruaj një ditë të zakonshme te Blerimit?

Blerim Destani: Pothuajse çdo mëngjes, para kafesë së parë e kontrolloj agjendën e ditës. E cila është shumë e ngjeshur me takime, prova dhe gjëra që kërkojnë prezencën time. Kuptohet brenda ditës "vjedh" pak kohë për takime personale me miqtë të cilët i kam shumë të rëndësishëm.

Yll Press: Si duhej të ishte e dashura ideale për ju?

Blerim Destani: Diku kam lexuar se njeriu vetëm kur dashuron dhe vuan e përjeton thellë çdo sekondë të kohës së jetës së vet, kjo mendoj se është e vërtetë. Dashuria është shumë e rëndësishme për mua, pasi ajo gjithçkaje i jep kuptim në jetë, prandaj edhe ajo nuk mund të shpjegohet lehtë me fjalë. Njeriu kur e ndjen dashurinë mund vetëm ta përjetoj dhe shumë vështirë e ka ta shpjegoj me fjalë. Unë jam njeri që e adhuroj jetën. Dhe kuptohet që jeta nuk mund të adhurohet nëse është pa dashuri. Dashuria ideale, siç thoni ju ekziston dhe ajo është "kajmaku" i gjithë dashurive që njeriut i ndodhin në jetë, pasi dashurie nuk mund të planifikohet, ajo thjesht ndodh, kuptohet me intensitete të ndryshme. Dhe ajo idealja "kajmaku" është me intensitetin më të madh, prandaj edhe është vet mrekulli e jetës.

Yll Press: A do të sakrifikonit gjithçka për dashurinë?

Blerim Destani: Nëse mendoni për atë që unë figurativisht e quaj "kajmaku", po.

Yll Press: Cili është mesazhi juaj për Yll Press dhe lexuesit?

Blerim Destani: Për fund i përshëndes të gjithë lexuesit e Yll Press si dhe të gjithë ata që më përkrahin dhe e pëlqejnë punën që e bej, dhe ju them që vazhdoni ta pëlqeni punën time se me punët e ardhshme do ta rivërtetoj këtë përkrahje tuajën. Së shpejti do ju sjell risi të reja. Uroj që njerëzit të shijojnë më shumë dashuri në jetë. Uroj që dramat të ndodhin vetëm në pëlhurën e kinemasë e jo në jetë. Për këtë unë do të jap kontributin tim që në pëlhurën e kinemasë të ofroj tema të tilla, kuptohet edhe shumë e shumë dashuri.


Publikuar: 18.01.2009 | 05:52
Lexuar: 3395 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime