Gjithashtu, z. Meta bëri homazhe duke vendosur një kurorë me lule pranë përmendores së ngritur në kujtim të viktimave dhe mori pjesë në ceremoninë e ri-varrosjes së eshtrave të 775 viktimave të luftës. Me këtë rast, z. Meta u takua edhe me disa familjarë të viktimave.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 15-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës.
Z. Meta bëri homazhe në nderim të viktimave të kësaj tragjedie, ku mbi 8000 burra dhe djem të rinj boshnjakë myslimanë u masakruan nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe të udhëhequra nga Radovan Karaxhiç dhe Gjenerali Ratko Mlladiç.
Zv-kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, Flamur Gashi.
Gjatë Ceremonisë së përkujtimit, z. Meta u prit nga Presidenti i Bosnje-Hercegovinës, Haris Silajdzic, ku së bashku me krerë të tjerë të shteteve të pranishëm vizituan memorialin dhe ekspozitën në nderim të viktimave të tragjedisë së Srebrenicës.
Gjithashtu, z. Meta bëri homazhe duke vendosur një kurorë me lule pranë përmendores së ngritur në kujtim të viktimave dhe mori pjesë në ceremoninë e ri-varrosjes së eshtrave të 775 viktimave të luftës. Me këtë rast, z. Meta u takua edhe me disa familjarë të viktimave.
Pas ceremonisë përkujtimore, z. Meta dha një prononcim për mediat:
Nuk mund të mungoja në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të Tragjedisë së Srebrenicës, që është krimi më i madh kundër njerëzimit që pas Luftës së II Botërore. Jam këtu për të shprehur solidaritetin tonë me të gjithë popullin e Bosnje-Hercegovinës dhe me familjarët e viktimave, por njëkohësisht edhe të theksoj angazhimin tonë, që duke përkujtuar ngjarje te tilla kaq tragjike, që nuk kanë ndodhur shumë larg në të kaluarën, të mësojmë se si të mos përsëriten më, dhe njëkohësisht të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët e Bosnjës, qytetarët e rajonit dhe për fëmijët tanë.