E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se hapja e këtij Instituti nuk është thjeshtë një investim më shumë në infrastrukturën e Universitetit, por përtej këtij synimi, që sot, ne fillojmë edhe me implementimin praktik të objektivave të projektit për rritjen e kapaciteteve të Tetovës për studimin e biodiversitetit të florës dhe faunës të masivit të Malit Sharr.
Universiteti i Tetovës e inauguroi Institutin Ekologjik dhe Teknologjik

Universiteti i Tetovës, me një ceremoni solemne e inauguroi Institutin Ekologjik dhe Teknologjik. Në inaugurimin e këtij instituti të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Doc. Dr. Festim Halili, Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Doc. Dr. Agim Nuhiu, rektor universitetesh, senatorë, dekanë, profesorë dhe studentë. Instituti në fjalë është themeluar në bashkëpunim mes Universitetit të Tetovës, Universitetit të Tiranës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” i Shkupit.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se hapja e këtij Instituti nuk është thjeshtë një investim më shumë në infrastrukturën e Universitetit, por përtej këtij synimi, që sot, ne fillojmë edhe me implementimin praktik të objektivave të projektit për rritjen e kapaciteteve të Tetovës për studimin e biodiversitetit të florës dhe faunës të masivit të Malit Sharr. ,,Instituti që e përurojmë sot, veprimtarinë e tij do ta thellojë në hulumtimin shkencor të biodiversitetit të masivit të Malit Sharr, që sikurse e kemi theksuar, paraqet një kompleks të veçantë të llojllojshmërisë gjeologjike dhe gjeobotanike, hidrologjike, biogjeografike dhe elemente të tjera, të cilat gërshetohen mes tyre, dhe tanimë kanë zgjuar kureshtjen e shumë hulumtuesve tanë shkencorë dhe bashkësisë akademike.
Objekti që do të shfrytëzohet për veprimtarinë e Institutit Ekologjik dhe Teknologjik, disponon hapësirë prej 340 metër katrorë, ku përfshihen pjesa e laboratorit shkencor, hapësirat ndihmëse, ambientet e akomodimit, si dhe hapësira të tjera përcjellëse të Institutit. Sipas kërkesave dhe nevojave, në të ardhmen do të investojmë për të arritur standardet bashkëkohore për studime të mirëfillta në fushën e studimit të florës dhe faunës, si dhe koleksionimin e tyre shkencor. Sikurse e dimë të gjithë, pasuritë natyrore, flora dhe fauna, janë të krijuara njëherë dhe nuk mund të zëvendësohen me asgjë tjetër dhe, si të tilla kërkojnë aplikim të njohurive shkencore dhe menaxhim racional të tyre, sepse në të kundërtën vihet në pikëpyetje ekzistimi i tyre dhe i jetës së njerëzimit”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Doc. Dr. Festim Halili u shpreh se mbështetja e Qeverisë së Maqedonisë për Universitetin e Tetovës nuk do të mungojë asnjëherë, duke shtuar se vetë instituti do të jetë një pararojë e masivit të Malit Sharr. “Sot është një ditë gëzimi për Universitetin e Tetovës, për shkencën, arsimin, por edhe për banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit dhe jo vetëm, sepse këtu tanimë do të jenë hulumtuesit shkencorë të cilët do të kenë një fole të veten, Institutin Ekologjik dhe Teknologjik. Instituti do të jetë një pararojë e masivit të Sharrit ku do të studiohen flora dhe fauna, përfshirë edhe zoologjinë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të jetë gjithmonë në mbështetje të Universitetit të Tetovës dhe shpresojmë që në të ardhmen ky institut do të jetë në përkujdesje të natyrës të biodiversitetit të masivit të Malit Sharr. Dua t’u përgëzoj për këtë arritje dhe uroj që në të ardhmen Universiteti i Tetovës të shënojë edhe shumë suksese të reja”, u shpreh zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, Doc. Dr. Festim Halili.
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti deklaroi se hapja e Institutit Ekologjik dhe Teknologjik në Malin Sharr është një arritje e madhe për Universitetin e Tetovës, nga se Sharri njihet për vlerat e shumta natyrore që i posedon. “Mali Sharr është territor i një rëndësie të madhe kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, me vlera të shumta natyrore dhe me një biodiversitet tejet të pasur. Territori i Malit Sharr ka shumë pasuri natyrore të llojeve të ndryshme: forma gjeologjike dhe gjeomorfologjike, liqene glaciale dhe përrenj malorë, pyje, kullosa, shkëmbinj silicorë dhe gëlqerorë, me një numër të madh të bimëve dhe të shtazëve të rralla endemike. Prandaj, është e domosdoshme të kontribuojmë për ngritjen e vetëdijes së njerëzve për rëndësinë e Malit Sharr nga aspekti i biodiversitetit dhe lidhur me mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm në tërë rajonin përreth këtij mali”, nënvizoi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti.
Përfaqësuesi i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Petrit Baraj theksoi se këtë institut që e përuron sot Universiteti i Tetovës do të jetë një ndihmesë e madhe edhe për Universitetet tjera shqiptare, nga se deri më tani institute të tilla nuk ka krijuar Universiteti i Tiranës. “Hapja e këtij instituti është një gjë shumë e madhe dhe një bashkëpunim shumë i frytshëm dhe për këtë bosht kryesor dhe një rol shumë aktiv që ka luajtur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, të cilin dëshiroj që ta falënderoj publikisht në emër të Universitetit të Tiranës dhe Rektorit Prof. Dr. Mynir Koni. Ky institut i krijuar në Tetovë, në një vend turistik, do të jetë qendra e boshtit të bashkëpunimit të suksesshëm mes universiteteve shqipfolëse që do të studiojë biodiversitetin”, shtoi Prof. Dr. Petrit Baraj nga Universiteti i Tiranës.
Në hapjen e Institutit Ekologjik dhe Teknologjik të Universitetit të Tetovës, të pranishmit me fjalë rasti i përshëndeti Prof. Dr. Behxhet Mustafa nga Universiteti i Prishtinës, Prof. Dr. Hajdar Kica nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, si dhe Ermelinda Xheta, zëdhënëse e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Po ashtu, në Institutin Ekologjik dhe Teknologjik, prej sot e deri më 25 korrik do të zhvillohen aktivitetet e Shkollës verore, që organizohet nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Prishtinës, në kuadër të projektit “Mësimi ndërkufitar për Menaxhimin e Ekosistemit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Rajonin e Maleve të Sharrit”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Zyra për informim


Publikuar: 19.06.2016 | 00:08
Lexuar: 779 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime