Mirlinda, që është punëtore e shëndetësisë, thotë se pushimi prej tre muajsh për lehonat, sa është aktualisht në Kosovë, është diskriminues për femrat.
Mirlinda Rudi nga Gjakova është nënë e dy fëmijëve. Ajo do të dëshironte të lindte edhe fëmijën e tretë, por preferon që ta shmangë shtatzaninë për shkak të pushimit të shkurtër të lehonisë.
Mirlinda, që është punëtore e shëndetësisë, thotë se pushimi prej tre muajsh për lehonat, sa është aktualisht në Kosovë, është diskriminues për femrat.
Shtatzaninë e ke të kufizuar, nuk ke kushte ta rrisësh fëmijën. Është njerëzore që së paku deri në gjashtë muaj ta mbash fëmijën në gji, shprehet ajo.
Ligji i ri i punës ka hyrë në procedurat parlamentare për miratim dhe ai poashtu parasheh që kohëzgjatja e pushimit me pagesë për lehonat të jetë 3 muaj.
Sindikatat po e kundërshtojnë këtë dhe po kërkojnë që ky pushim të zgjatet në 12 muaj, gjashtë muaj me pagë të plotë, ndërsa gjashtë tjera me 70 përqind të pagës.
Njëri nga drejtuesit e sindikatës së shendëtësisë, gjinekologu Blerim Syla, thotë se nataliteti në Kosovë viteve të fundit ka rënë për 30 përqind, pasi sipas tij, shumë gra të punësuara rrezikojnë ose ta humbasin punën, ose të mos kenë mundësi të kujdesen si duhet për foshnjat e tyre.
Te ne nuk po lindin ato nëna, ato gra që janë të punësuara dhe pikërisht ky ligj është pengesë, sepse ato në momentin që kanë mbaruar fakultetin dhe janë punësuar, mendojnë se si do ta rrisin fëmijën e tyre me vetëm tre muaj pushim, konstaton z.Syla.
Ai tërheq vërejtjen se për shkak të ligjit aktual të punës, shumica e grave që lindin janë pa punë dhe raste sociale.
Kosova me këtë ligj që e ka dhe çfarë do ta ketë, po prodhon raste sociale, thotë sindikalisti i shëndetësisë, Blerim Syla.
Ligji i ri i punës është miratuar në qeveri dhe ka kaluar në shqyrtim të parë në Parlament. Para se të hedhet për votim, Komisioni për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie Sociale ka vendosur që të zhvillojë sa më shumë debat për këtë ligj, që do të rregullonte të drejtat dhe detyrimet e punëmarrësve dhe punëdhënësve.
Miratimi i ligjit është zvarritur shumë për shkak të siç thuhej kostos së lartë financiare për zbatimin e tij. Qeveria është dashur ta negociojë atë me Fondin Monetar Ndërkombëtar që kërkonte ruajtjen e balancit buxhetor.
Një anëtare e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie Sociale, Gjylnaze Syla thotë për BBC-së se edhe në komision, shumica e kontestojnë nenin për pushimin e lehonisë.
Qeveria me këtë projektligj ka paraqitur më shumë konceptin e amësisë, por sipas mendimit tim, ai duhet të ndryshojë dhe të bëhet sipas konceptit prindëror
Arsyeja praktike prapa kësaj është se nëse pushimi i lehonisë do të jetë një vit, atëherë sidomos sektori privat do të hezitojë ti punësojë gratë, prandaj për të evituar këtë, pushimi duhet të ndahet midis dy partnerëve dhe barra në këtë mënyrë nuk do ti bie vetëm nënës, thekson zonja Syla.
Fakti që shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë është më e larta në Evropë, sipas saj, është një tregues i rëndësishëm që kërkon që nëna të qëndrojë me fëmijën aq sa pas një kohe foshnja të jetë e shëndoshë.
Përveç pushimit të lehonisë, sindikatat dhe shoqëria civile kanë dorëzuar në parlament disa rekomandime tjera për amandamentin e ligjit të punës.
Bardhyl Hasanpapaj nga Instituti Demokratik Kombëtar veçon disa nga ndryshimet e domosdoshme që duhen bërë në ligjin e ri të punës.
Është lënë mundësia që kontratat e punës të bëhen me gojë dhe ne kemi kërkuar që ato të bëhen vetëm me shkrim, në mënyrë që të mos lejohet mundësia e shkeljes së të drejtave të punëtorëve; kemi dhënë disa sugjerime për ndalimin e diskriminimit pasi ai në projekligji nuk është gjithëpërfshirës; kemi kërkuar që pushimi mjekësor të zgjatet nga 10 në 30 ditë
, thotë z.Hasanpapaj.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës beson se rekomandimet e tyre do të merren parasysh nga Komisioni parlamentar për Punë e Mirëqenie Sociale.
Kryesindikalisti Haxhi Arifi thotë se pret që pas shumë e shumë diskutimeve, ligji i punës të miratohet së shpejti, me çka do të përmirësohej pozita e punëtorëve dhe do të hapeshin rrugë për punësimin e brezave të rinj.
Punëtorët kosovarë për momentin janë në një gjendje alarmante për shkak se papunësia është shumë e madhe, varfëria është në një shkallë jashtëzakonisht të lartë dhe dita-ditës nuk po hapen vende të punës, por faktikisht po mbesin më shumë punëtorë pa punë dhe ne presim që me miratimin e ligjit të punës, kjo gjendje do të ndryshojë, shprehet z.Arifi.
Mungesa e ligjit të punës ka bërë që shumë punëtorëve tu cenohen të drejtat e tyre në punë dhe të mos kenë ku të ankohen.
Sindikatat kanë shfrytëzuar kryesisht festën e punëtorëve-1 Majin për të protestuar kundër gjendjes së rëndë të klasës punëtore.
Por pritjeve të punëtorëve për miratimin e ligjit të punës, duket se po i vie fundi, të paktën sipas asaj që thonë zyrtarët e institucioneve në Prishtinë.
Ligji i ri i punës pritet të hedhet për votim pasi Parlamenti të filloj sezonin vjeshtor të punës.(BBC)