E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Lexova një tekst nga një opinionbërës maqedonas ku konstaton se “është më mirë që Maqedonia nuk merr pjesë në mondialin e Afrikës së Jugut, sepse përbërja kombëtare e Maqedonisë do të duhej përzgjedhur me parimin e Badinterit, dhe në ekip do të duhej të kishte minimum 20 për qind shqiptarë” dhe përbërja e këtillë, sipas tij, nënkuptuaka një terrorizim të pakicës mbi shumicën!
Kur do tė bėhet Maqedonia kampion bote?


Spanja është kampion bote në futboll! Të dielën përfundoi një muaj i mbushur plot adrenalinë, plot emocione, dhe zhurmë vuvuzelash. Edhe pse kampionati përfundoi, simbolika e zhurmës së vuvuzelave do të vazhdojë të jetë prezente në jetën tonë, sepse për kampionatin do të flitet, komentohet, analizohet edhe për një kohë të gjatë. Në periudhën që vjen, do të shohim një skanim të plotë të secilit aspekt të kampionatit, që nga kualiteti i topit e deri tek kualiteti i secilit lojtar veç e veç.

Kjo ishte finalja e parë në një botëror për kombëtaren e Spanjës dhe nuk ka dyshim se të përzgjedhurit e Del Bosque-s ia dolën që në mënyrën më të mirë ta prezantojnë futbollin spanjoll të mbushur me teknikë klase e lojtarë fanatikë të lojës, duke siguruar në këtë mënyrë titullin prestigjioz-kampion bote. Shumë opinione të publikuara gjatë kampionatit por edhe pas përfundimit të tij, sugjeruan se ajo që pamë në lojën e Spanjës, në fakt, ishte loja e Barcelonës, dhe ky pohim është fer dhe duhet pranuar si i tillë, sepse nuk mund të mohohet fakti se në secilën paraqitje të Spanjës, së paku shtatë ose tetë lojtarë në fushë ishin pikërisht nga klubi futbollistik Barcelona. Dhe ky pohim mbart në vete edhe një dimension politik dhe pikërisht kjo është arsyeja për të shkruar këtë tekst, i cili megjithatë nuk do të konsiderojë pozicionet që Spanja ka ndaj njohjes së Kosovës.

Historiku i rivalitetit mes Madridit dhe Barcelonës që (vetëm) reflektohet në fushën e futbollit është i njohur mirë për të gjithë studiuesit e akomodimit të konflikteve me karakter etnik. Barcelona është kryeqyteti i Katalonias, nga viti 1979 një regjion autonom në kuadër të Spanjës, i cili dëshiron pavarësi të plotë nga administrimi spanjoll. Prej këtu, klubi futbollistik Barcelona përjetohet si kundërpeshë e Realit (të Madridit, kryeqytetit të Spanjës), dhe çdo lojë e Barça-s nuk kalon edhe pa pak mëlmese politike. Heroi i ndeshjes finale të botërorit, autori i golit të vetëm, është Andres Iniesta, me prejardhje nga një provincë tjetër autonome e Spanjës dhe lojtar i Barcelonës. Nga media është quajtur “mbreti katalanas”, “katalanasi i vërtetë”, “rrufeja katalanase”, e të ngjashme, e megjithatë, në kampionat Iniesta luajti me fanellën e Spanjës dhe kampionatin botëror e fitoi Spanja.

Diku nga mesi i vuvuzelës, lexova një tekst nga një opinionbërës maqedonas i cili, duke e quajtur demokracinë e Maqedonisë “disonante” për shkak të përbërjes etnike të saj, konstatonte se “është më mirë që Maqedonia nuk merr pjesë në mondialin e Afrikës së Jugut, sepse përbërja kombëtare e Maqedonisë do të duhej përzgjedhur me parimin e Badinterit, dhe në ekip do të duhej të kishte minimum 20% shqiptarë” dhe përbërja e këtillë, sipas tij, nënkuptuaka një terrorizim të pakicës mbi shumicën!!! Bindja e këtillë s’është asgjë tjetër pos dëshmi edhe në praktikë mbi defetizmin të cilin, në emër të njëfarë patriotizmi, vazhdojnë ta mbjellin në shpirtrat e maqedonasve të thjeshtë disa opinionbërës. Deklarimi i këtillë përçmues sipas të cilit është më mirë që shteti të mos prezantohet fare, sesa të prezantohet në dritën e tij të vërtetë, vetëm se flet për fatkeqësinë që u ka krijuar me vetveten disa individëve logjika e përjashtimit. Kjo fatkeqësi i ka bërë ata të shfryjnë mllef, ndërsa edhe sportin ta shohin nga prizmi etnocentrik.

Po çfarë leksioni duhet mësuar Maqedonia nga fitorja e Spanjës? Kombëtarja spanjolle u paraqit në një formë shumë të mirë si rezultat i punës dhe përkushtimit të ekipit për të arritur majat e futbollit botëror. Ekipi nuk luajti me droje se nuk do të kishte sukses për shkak të arsyeve triviale e banale si, për shembull, cilësia e topit, zhurma e vuvuzelave, profecitë e oktapodit Pol, ose thjesht, dyshimi se mos ndonjëri nga gjyqtarët (ose ai kryesori, anglezi Howard Web), do t’i ndëshkonte për inat. Përfundimisht, ekipi luajti si një tërësi, dhe dallimet etnike, gjuhësore apo të tjera u shndërruan në një përparësi të kombëtares dhe në cilësi të shprehur në fushën e lojës.

Ndërkohë, Maqedonia nuk mund të jetë kampione e botës edhe për një kohë të gjatë, fillimisht, për shkak se për të shkëlqyer në fushën e sportit, Maqedonia duhet arritur fitore në kampionatin politik, i cili në aktualitetin tonë politik quhet integrimi euroatlantik. Dhe, për ta arritur këtë fitore politike, janë minimalisht tri punë që duhet ndryshuar urgjentisht. Së pari, Spanja në lojë tregoi dinamikë, disiplinë dhe përkushtim maksimal. Maqedonia në kursin reformues të agjendës evropiane po tregon përtaci, mungesë disipline, dhe përkushtim të zbehur ndaj procesit. Së dyti, Spanja nuk mendonte për faktorët anësorë që mund t’ia pengonin suksesin me lehtësi po të mos fokusohej te kualitetet e veta. Në Maqedoni në vazhdimësi po rritet bindja se nuk do të arrijmë të integrohemi, sepse nuk na do Greqia dhe se për inat do ta bllokojë suksesin tonë. Së treti, Spanja i nxori në fushë më të mirët- madrilenë, seviano, asturianë, baskë e katalanë.

Në Maqedoni edhe më tej mbizotëron bindja se po qe se je shqiptar, ti nuk guxon të jesh më i miri dhe prandaj Maqedonia vështirë se mund të ketë një Iniesta të vetin në kuptimin e vërtetë të fjalës (emrit). Suksesi i Spanjës, edhe simbolikisht, por edhe realisht solli në sipërfaqe kualitetet e demokracive evropiane në të cilat mund të jesh i ndryshëm, mund të mos pajtohesh me pushtetin qendror, mund të kesh aspirata tjera politike dhe të demonstrosh për ndarje, e megjithatë, mund të kontribuosh dhe të shijosh ndjenjën e fitores së shtetit që e përfaqëson! Mbase për dikë mund të jetë disonant, por ky kualitet i njohjes dhe respektimit të dallimeve dhe kualiteteve të tjetrit, arriti që Evropën e unifikuar ta ngrinte mbi gërmadhat dhe armiqësitë e Luftës së Dytë Botërore, dhe vazhdon ta ndërtojë edhe sot si një bashkësi të zhvilluar demokratike të diversiteteve kulturore, etnike, gjuhësore, fetare e racore.

Do të thoni ju, po është detyra e politikanëve të zgjedhur shqiptarë që t’i ndryshojnë gjërat! Plotësisht e drejtë. Dhe të gjithë politikanët shqiptarë që nga vendosja e pluralizmit demokratik kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin edhe sot forcën e argumentit për të promovuar, afirmuar dhe prezantuar këto kualitete të integrimit. Por, është detyrë e maqedonasve, dhe këtu para së gjithash, e elitave politike maqedonase, që vetë ta ndryshojnë vetveten. Pa e fituar Maqedonia këtë kampionat politik të vendit, vështirë se do të mund ta shohim duke garuar në kampionate më prestigjioze, qoftë politike, qoftë sportive.

Publikuar: 14.07.2010 | 22:16
Lexuar: 590 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime