E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nëse këto dy koncepte kundrohen në kuadër të krizës së madhe morale që po e përjeton shoqëria jonë, ku janë përzier vlerat me pavlerat, morali me amoralin, hajnia me ndershmërinë, heroizmi me tradhtinë, del që kjo gjë të jetë krejt normale.
Mbi heronjtė dhe tradhtarėt




Bardh Frangu

Tek lexoja komentet e lexuesve në Express Online, për shkrimin “Heroi i kontestuar”, që kishte të bënte me çmimin që Presidenti Fatmir Sejdiu ndau për Tahir Zemajn, por edhe shumë shkrime tjera nëpër media të shkruara, nëpërmjet të cilave provohej prodhimi serik i heronjve, madje edhe nga sagat familjare, nuk mund të mos mendoja për këtë temë.

Megjithatë, këtë refleksion nuk duhet parë si një përpjekje për ruajtje të moralit publik, përkundrazi. Në këso raste të rrapëllon në kokë tregimi satirik i Nonda Bulkës, “Hunda atdhetare” ,dhe të bëhet sikur ky tregim të jetë shkruar pikërisht për këtë kohën tonë, e cila karakterizohet me hiperprodhimin e heronjve dhe me varfëri të skajshme. Njëri nga lexuesit në Express Online kishte dërguar këtë koment: “Si duket, nuk qenka dallimi i madh në mes të heroit dhe tradhtarit”.

“Edhe tradhtari e do atdheun, sepse i duhet për ta shitur”, është një konstatim aforistik i një mikut tim, i publikuar atëherë kur ishte gjallë “Rilindja”. Nëse komentet në Express Online më shërbyen si motiv, ky aforizëm, shprehur me gjuhën e teatrit, më shërbeu si shllagvort për të komentuar mbi heronjtë dhe tradhtarët. Po ta analizojmë mirë, do të shohim se në këtë aforizëm fshihet e gjithë e vërteta jonë e hidhur. Shohim se në emër të dashurisë së deklaruar (ne u besojmë të thënave, jo bëmave) është fshehur mjeshtërisht tradhtia. Që të mos zgjatem në shpjegimin e fenomenit të tradhtisë, po i referohem shkrimtarit të madh francez, Lamartinit, i cili duke kundruar historinë dhe kulturën shqiptare nga afër, ka konstatuar se shqiptarët për aq sa i çmojnë dhe nderojnë patriotët, për aq i çmojnë dhe nderojnë tradhtarët. Ky konstatim i Lamartinit duket është përgjigja më e mirë për komentuesin e cituar më lart.

Shenja e barazisë ndërmjet tradhtarit dhe heroit pamundëson identifikimin e vlerës, përkatësisht pamundësinë e ndërtimit të sistemit të saj. Kjo është çështja e cila nuk ka të bëjë me përsiatjet vulgare rreth këtyre dy koncepteve. Ky shpjegim është i nevojshëm për ata që akceptojnë një shoqëri të hapur. Ndaj në këtë kontekst duhet kundruar edhe figura e diskutueshme e Tahir Zemajt, mbase edhe e shumë të tjerëve.

Megjithatë, komenti tjetër i një lexuesi në Express Online kërkonte një përgjigje gati të domosdoshme për ne që nuk hezitojmë të komentojmë ngjarje dhe fenomene nga më të ndryshmet. I nënshkruar si Syla nga Peja, ai thoshte: “Të gjithë të vdekurit le të shpallen heronj. Nuk ka problem, sepse ata nuk mund të flasin e as të bëjnë asnjë dëm. Telashet i kemi me heronjtë e gjallë”.

U ngritën shumë zëra për t’ua dhënë delegatëve që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut epitetin e heronjve, madje duke kërkuar që ata të gëzojnë edhe statusin e deputetëve aktualë të Kosovës. Në fakt, ata ishin delegatë të zgjedhur nëpër shoshat e një diferencimi politik të paparë në hapësirat e kampit socialist. Ata bënë një deklaratë në kohën kur unë për herë të parë gëzova të drejtën në pasaportë, meqë ishte hequr ligji për deliktin verbal, ndërsa në kampin socialist po ndodhnin ngjarje tepër më të mëdha, përfshirë këtu edhe Shqipërinë me ngjarjen e tmerrshme të pushtimit të ambasadave. Madje, deklarata e tyre ishte dëgjuar dhe kishte kumbuar ashpër nga studentët nëpër rrugët e Prishtinës dhe mbase gjithë Kosovës që në vitin 1981. Para studentëve dhe delegatëve këtë kërkesë në mënyrë institucionale e kishte bërë Rrezak Shala, mbi figurën e të cilit nuk reflektuan institucionet tona. Nuk kemi reflektuar edhe për shumë personazhe tjera, shkaku që të gjallëve nuk u kanë shërbyer për nevoja personale dhe grupore.

Të reflektosh mbi heronjtë dhe të djersitesh nga dilemat të bën edhe libri me rrëfime personale i Fadil Hoxhës, për të cilin thuhet të ishte njëri nga librat më të shitur në Panairin e Librit në Prishtinë. Pa e kontestuar figurën komplekse të komandantit nga koha e LNǒsë, logjikshëm shtrohet dilema nëse Fadil Hoxha u dashka ta zë rolin e heroit edhe në historinë tonë më të re.

Atëherë, cili mund të jetë vendi i Azem Vllasit, njeriut i cili, thënë shprehimisht, ia hëngri kokën të parit? Vllasi mbase ishte ai i cili rrënoi edhe autonominë e Kosovës, këtë arkitekturë shtetërore, personifikim i së cilës ishte Fadil Hoxha. Iu referova kësaj situate sall për t’u kthyer tek dy komentet në Express Online, autorët e të cilëve sigurisht e kanë pasur parasysh librin e heroit më të ri të Kosovës, Jusuf Zejnullahut, i cili në një mënyrë doli të ishte komandant i delegatëve të 2 Korrikut.

Por, të kthehemi tek Vllasi. Atyre që nuk ishin bashkuar me turmat që ishin vënë në mbrojtje të Vllasit, u kujtohet mirë refreni i shkrimtarit tonë, bohemit më të madh të shqiptarëve, Mirko Gashit, i cili nga taverna e kafenesë “Tre sheshirat” këndonte: “Oj e mirë atje te talla, në kallaballëk njihet budalla”.

Ky refren e pat dërguar në burg shkrimtarin tonë të mrekullueshëm. E futën në birucë njerëzit e Vllasit, sepse përqeshte turmat që ishin vënë në mbrojtje të tij. Cili ishte heroi, e cili ishte tradhtari në këtë rast?

Doli që kishte dy të vërteta. Bohemi ynë mbeti një nga krijuesit më të respektuar, Vllasi mbeti heroi i gjallë, një emër shumë i pranishëm në jetën tonë publike dhe mbase me ambicie për t’u futur në nivelet e diplomacisë më të lartë, deri në postin e ambasadorit.

Nëse të gjitha këto kundrohen në kuadër të krizës së madhe morale që po e përjeton shoqëria jonë, ku janë përzier vlerat me pavlerat, morali me amoralin, hajnia me ndershmërinë, patriotizmi me tradhtinë, del që kjo gjë të jetë krejt normale.

Normale nuk është sall për historinë tonë, e cila, sipas Herodotit, duhet të jetë mësuese e jetës. E ne më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë se nuk ka dy të vërteta. Njësoj kemi nevojë për një ligj lustrimi, i cili do të ndikonte që së paku t’i ruajmë institucionet tona.

Publikuar: 15.07.2010 | 01:22
Lexuar: 705 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
tuna (02/03/2011 02:39:25) E bre jaran po perpjekje te mdha ke bere per te shtjelluar dicka qe eshte e thjeshte per tu skjaruar.Ke hyre ne krahasime historike pa e logaritur efektin e kontestit kohor! Une mendoje qe gjeja me e rendesishme qe ka kaluar nga qe e pa mundur ka qene ne rrethana te Kosoves te behet sepse erdhi faktori qe ishte pjesmarres ne krijimin,forcimin dhe renjen e nje shteti qe artificialisht vete e krijuan,siq po done ta krijojne Maqedonine etj.! Po kthehem ne teme.Per ti idnetifikuar TRATHETARET a dhe PATRIOTET duhet te frenohet LARJA e biografise se secilit.Nje gje e tille eshte e pa mundur pasi 'dosjet" i kane ata qe bene krime me shekuj ne kte toke .Kurr nuk eshte me e demshme LARJA E PARAVE ae larja e biografise.Duke qene e pa mundur nje gje e tille kudo na dalin "patriotet".Dosjet e bashkpunetoreve te serbise perkatesisht "jugoslavise" i perdorin edhe kta jaranat e "demokracise",UNMIK, dhe EULEX,OSBE etj.sepse jane te bindur se kane te bejne me nje kategori gjoja me "qytetare". PO te kishin dhembje dhe ndjenje humane kto asociacione lehte e kane patur tu ndihmojne te viktimizuarve,familjareve te zhdukur dhe invalideve te luftes, ketyre kategorive do te ju siguronin pune kur posedojne kualitetet te njejta me lojalistet.ne Prizren p.sh.kudo i ke te angazhuar te ashtuauajturit "qytetar",si ne UNMIK,KFOR,EULEX,madje edhe ne IPKO,PTK.-truqishten e ke si gjuhe favorizuese per te priviligjuarit.Kategorite me te persekutuara nga serbi duhet te supershkollohen per te futuar pozite te tjjeshte pune.Eshte koha ti sqarojme dhe ti permirsojme te gjitha.Pershendetje nga kirurgu i brengosur prizrenas.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime