E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Qeveria e cila do t'i organizojë zgjedhjet duhet të zgjidhet më 2 shtator në pajtim me marrëveshjen nga 20 korriku i këtij viti.
Zgjedhje më 11 dhjetor


Zgjedhjet do të mbahen më 11 dhjetor. Marrëveshja dje në Klubin e deputetëve u nënshkrua nga liderët e katër partive më të mëdha politike.

Qeveria e cila do t'i organizojë zgjedhjet duhet të zgjidhet më 2 shtator në pajtim me marrëveshjen nga 20 korriku i këtij viti.

Redaktorja e re e programit informative të MTV-së do të jetë Santa Argirova, mandati i së cilës do të fillojë më 2 shtator dhe do të zgjatë deri në fund të procesit zgjedhor.

Në takimin e liderëve është dakorduar që edhe Lulëzim Hazimi të jetë anëtari i pestë i Komisionit të përkohshëm për ndjekjen e paraqitjes mediatike, e cila gjithashtu do të punojë deri në fund të zgjedhjeve.

Ahmeti: Kjë është një ditë e madhe për Maqedoninë

Kjo është një ditë e madhe për Maqedoninë. Në fund të gjitha partitë parlamentare arritën marrëveshje se janë përmbushur të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhje korrekte, demokratike dhe të lira, deklaroi dje lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas përfundimit të takimit lider në Klubin e Deputetëve.

Ai theksoi se është dakorduar që më 2 shtator të fillojë respektimi i të gjitha afateve që janë arritur në marrëveshje.

I pyetur se pse Sefer Tahiri nuk është pranuar si anëtar i ad-hok komisionit për media, Ahmeti tha se nuk është biseduar për merak dhe se për çka është biseduar është shkruar në marrëveshje.

Thaçi: Është pozitive që është nënshkruar marrëveshja për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi mbrëmë pas përfundimit të takimit të liderëve deklaroi se është pozitive ajo që është nënshkruar marrëveshje për zgjedhje korrekte dhe demokratike më 11 dhjetor.

"Por, më me rëndësi do të jetë që partitë që do ta përbëjnë qeverinë prej pasnesër të japin kontribut të madh që kjo të ndodhë edhe në terren. PDSH-ja do të vazhdojë të sillet në mënyrë konstruktive, ndërsa shpresë kryesore dhe garanci për ne mbetet faktori ndërkombëtar - SHBA, BE dhe institucuionet e tjera, të cilat i vëzhgojnë zgjedhjet në Maqedoni", deklaroi lideri i PDSH-së.

Gruevski: Jam i kënaqur që LSDM-ja më nuk do të mund t'i shmangë zgjedhjet

Jam i kënaqur që përfundimisht në njëfarë mënyre ia dolëm që LSDM-në ta vendosim në situatë që të mos mund t'u shmanget zgjedhjeve më, të mos mund të gjejë arsyetime dhe alibi të reja më, pasi që gjithçka që kanë thënë, për gjithçka u dhanë përgjigje, për gjithçka u dha përgjigje dhe u arrit pëlqim, gjegjësisht morën përgjigje për kërkesat e tyre, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski pas përfundimit të takimit të liderëve.

"Bëmë shumë hapa me qëllim që ta vendosim LSDM-në në situatë që të mos munden më t'i anulojnë zgjedhjet, të mos kenë se ku të ikin, të mund të ballafaqohen me popullin dhe t'i mundësojnë popullit të dalin në votim dhe ta japin fjalën e tyre. Saktë e di se populli në zgjedhje do ta dënojë këtë veprim dhe punë dhe gjithë atë që ia bëri LSDM-ja Maqedonisë gjatë një viti e gjysmë", tha Gruevski.

Ai vlerësoi se është mirë që LSDM-ja e nënshkroi deklaratën me të cilën konfirmojnë se do të dalin në zgjedhje më 11 dhjetor, edhe pse, siç tha, gjithmonë pas gjithë asaj që e kanë bërë muajve të kaluara dhe dy anulimet të cilat kanë ndodhur, çdo nënshkrim dhe fjalë të LSDM-së e sheh me rezervë pasi që asnjëherë nuk mund të dihet se çfarë mund të bëjnë ndërkohë.

Zaev: Më 11 dhjetor do të vendoset fati i shumë gjeneratave të ardhsme

Më 11 dhjetor nuk do të vendosim vetëm fatin e gjeneratës tonë, por edhe të shumë gjeneratave të ardhshme. Këto zgjedhjet janë referendum, në të cilin qytetarët do të zgjedhin nëse dëshirojnë të jetojnë në një shtet të varfër dhe kriminel ose në një shtet të pasur dhe juridik, porositi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas nënshkrimit të marrëveshjes me të cilën katër partitë më të mëdha u obliguan që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor.

"Jemi përpjekur që qytetarët e Maqedonisë më 11 dhjetor të mund të votojnë të lirë. Koha e dhunës zgjedhore dhe falsifikimit të vullnetit të lirë të qyetarëve ka përfunduar. Më 11 dhjetor do t'i mposhtim varfërinë, krimin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrejtjen, partizimin e institucioneve, proceset e porositura gjyqësore dhe mafian. Duhet t'i japim fund edhe shpërnguljes së rinisë dhe zbrazjes së vendit" deklaroi Zaev.

Publikuar: 01.09.2016 | 17:27
Lexuar: 423 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime