E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, ka sqaruar se një draft i tillë jo vetëm që cenon autonominë universitare, por “minon” punën në institucionet e arsimit të lartë, ul eficencën si dhe rikthen në vitet ‘70 sektorin e arsimit, që aktualisht ka probleme, por me miratimin e draftit do të sillte edhe më shumë andralla për stafet akademike e studentët.
Drafti i MASH-it “minon” publikėt, favorizon privatėt








Flet rektori i universitetit të Vlorës, “Ismail Qemali”, Tanush Shaska

Nesër rektorët e universiteteve të vendit do të mblidhen në një takim të rëndësishëm lidhur me masat dhe qëndrimin zyrtar që do të mbajnë bashkërisht për draftin e ligjit të arsimit të lartë. Për më shumë, pritet që në këtë mbledhje të vendoset njëherë e mirë për çdo hap që do të ndërmerret nga ana e universiteteve publike, për të mos sjellë miratimin e projektligjit në Parlament dhe kthimin mbrapsht të tij, për t’u diskutuar në tavolinë me të gjitha grupet e interesit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, ka sqaruar se një draft i tillë jo vetëm që cenon autonominë universitare, por “minon” punën në institucionet e arsimit të lartë, ul eficencën si dhe rikthen në vitet ‘70 sektorin e arsimit, që aktualisht ka probleme, por me miratimin e draftit do të sillte edhe më shumë andralla për stafet akademike e studentët.

Qeveria ka miratuar një draft për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. A jeni në dijeni për këto ndryshime?

Ne jemi në dijeni të ndryshimeve të propozuara. MASH më ka dërguar herë pas here me e-mail draftet e këtyre propozimeve dhe unë gjithmonë i kam përcjellë ato te kolektivi i pedagogëve.
Kryetari i konferencës së rektorëve ka deklaruar në një intervistë se ndryshimet janë antikushtetuese dhe se cenojnë autonominë e universiteteve. Sipas tij, universitetet publike nuk janë njoftuar për të gjitha amendimet.

A ndikojnë këto ndryshime në autonominë e institucioneve të arsimit të lartë?

Për të qenë i sinqertë, autonomia e universiteteve as ka ekzistuar ndonjëherë dhe me sa duket as ka për të ekzistuar. MASH-i në mënyrë sistematike kërkon të kontrollojë pranimet në universitete, promovimet e stafit akademik, programet akademike, strukturat administrative, tarifat e shkollimit, punësimin e studentëve. Ministria e Financave, nga ana tjetër ka rregulla tepër të ngurta mbi procedurat financiare që përdoren në universitetet publike. Të gjitha këto të marra së bashku e bëjnë punën tonë të pamundur, ulin efektivitetin financiar e pedagogjik, si edhe i mbajnë universitetet tona nga aspekti administrativ në nivelin e viteve ‘70. Nga ana akademike gjendja është edhe më alarmante. Promovimet janë kushti më themelor mbi mbarëvajtjen e një universiteti. Në të gjithë botën e qytetëruar promovimet bëhen vetëm nga institucioni bazë dhe në asnjë rast nga strukturat administrative shtetërore. Personalisht, më duket tallje ndaj pedagogëve, kur komisione burokratësh të ngritura nga MASH, të bëjnë vlerësimet e specialistëve të universiteteve. Kjo shkel të gjitha normat ndërkombëtare të autonomisë universitare, krijon kaos të madh në strukturat universitare dhe pengon zhvillimin e shkencës dhe universiteteve.

Duket qartë që kjo bëhet për të kontrolluar titujt akademikë dhe administratën e universiteteve. Duhet t'i kujtojmë opinionit se ministri nuk është e thënë që të jetë personalitet akademik, kështu që rrjedhimisht nuk duhet të ketë asnjë kompetencë mbi promovimet e stafit pedagogjik. Të gjitha aspektet e jetës universitare janë tejet të kontrolluara nga strukturat qeveritare. Për shembull, në të gjitha universitetet e botës studentët punojnë me orë të kufizuara në biblioteka, në laboratorë, në administratën universitare. Natyrisht zgjidhen studentët më të mirë nga ana akademike dhe ata që kanë nevojë nga ana financiare. Po të përpiqesh të fusësh metoda të tilla në universitetet tona, ndeshesh hapur me strukturat qeveritare që të kujtojnë ligjin orë e çast. Përse duhet të jetë e jashtëligjshme që të punësohet një student në universitet? Ne flasim për autonomi?! Përse të mos i vendosim ne vetë kriteret e pranimit në universitete? A ka ndonjë vend tjetër në botën perëndimore ku shteti vendos se në çfarë universiteti do të shkojnë studentët? Përse ministri duhet të vendosë se sa studentë duhet të pranohen në Universitetin e Vlorës apo në atë të Tiranës, dhe sa në universitetet private? A nuk minon kjo konkurrencën midis universiteteve?

Sipas jush, cili do të ishte modeli menaxhues më eficent i një universiteti publik?

Duket disi paradoksale që sot Universiteti i Vlorës ka fonde më shumë se ç’mund të harxhojë, megjithëse mungesat tona në infrastrukturë janë tepër të theksuara. Për shembull, ka dy muaj që pedagogët tanë blejnë letër nga fondet personale, universiteti nuk mund të përfshijë pagesat elektronike të tarifave të studentëve, ne nuk mund të marrim një kartë krediti në emër të universitetit për të bërë pagesat e revistave elektronike, e shumë probleme të tjera konkrete. Është për të ardhur keq që ne kemi fondet për të ndërtuar godina të reja, përmirësuar laboratorët, për të filluar punën në ndërtimin e kampusit universitar, por këto gjëra nuk mund të realizohen vetëm e vetëm për shkak të ngathtësisë së strukturave qeveritare. Një fakt tjetër është që Universiteti i Vlorës sot mund të mbijetojë pa asnjë fond nga shteti shqiptar nëse ne na lihet e drejta për të menaxhuar në mënyrë më efektive burimet tona të brendshme.

Por, kjo nuk mund të realizohet nëse MASH kërkon të mikromenaxhojë çdo aspekt të jetës në universitet. Po ju jap një shembull tjetër. Universiteti i Vlorës ka mundësinë të dyfishojë rrogat e pedagogëve pa bërë asnjë shtesë në tarifat studentore. Kjo falë sistemit eficient që ne kemi në menaxhimin e burimeve dhe energjive tona. Përse të mos vendosim ne se cila është ngarkesa mësimore e pedagogëve tanë, paga e tyre dhe mënyra e funksionimit financiar të universitetit? Shteti ka një organ ku kontrollohen të gjitha veprimet tona administrative dhe financiare.

Ky organ është pikërisht Këshilli i Administrimit. Atëherë përse duhen struktura shtesë që vetëm frenojnë iniciativat tona në çdo moment? Auditet e përvitshme nga MASH, kontrolli nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, deklarimi i pasurive për të gjithë administratën e lartë të universiteteve, emërimi i kancelarit të universiteteve nga ministri, mendojmë se janë masa të mjaftueshme për të siguruar transparencë të plotë në veprimet financiare të universiteteve. Diçka tepër shqetësuese është pagesa e tarifave studentore. Unë pajtohem në këtë pikë me Kryeministrin që tarifat të mos rriten ose të rriten në mënyrë të kontrolluar. Kjo për të bërë të mundur shkollimin e të gjithë atyre që nuk kanë mundësi financiare për të ndjekur studimet. Por çfarë kuptimi ka që këto tarifa të paguhen vetëm njëherë në vit? Ndodhin pastaj fenomene qesharake. Si në rastin kur një student i Masterit, i cili ka ngelur vetëm në një kurs me 3-4 kredite, vitin e ardhshëm akademik duhet të paguajë tarifën e plotë, e cila ndonjëherë e kalon 100 mijë lekë, vetëm për këto 3-4 kredite. Krediti është njësia matëse e edukimit pasuniversitar. Për këtë çmimi duhet të jetë për këtë njësi matëse. Pra, nëse pagesa vjetore është 12 mijë lekë për vitin akademik dhe viti akademik ka 60 kredite, atëherë përse kjo pagesë të mos bëhet me 200 lekë për kredit? Do të bënte një lidhje direkt të pagesës me progresin akademik dhe do të rriste përgjegjësinë e studentëve. Dhe nëse opinioni nuk bindet nga sa u tha më sipër, dua të shtoj se kjo është skema që përdoret në të gjithë botën.

Cili është modeli më i përshtatshëm?

Ndoshta çdo universitet duhet të gjejë modelin e vet. Në Vlorë fondi i mobiliteteve të pedagogëve është rritur 20 herë në krahasim me vitin 2008, fondi i organizimit të konferencave ka shkuar në 20000000 lekë dhe UV këtë vit organizon 17 konferenca ndërkombëtare. Vitin e kaluar kemi shpenzuar 35000000 lekë për përmirësimin e laboratorëve të informatikës dhe ambienteve. Edhe këtë vit është një fond i ngjashëm për këto zëra. Këto janë fondet e brendshme të UV-së, pasi nga buxheti i shtetit paguhen vetëm pagat e 218 pedagogëve dhe asgjë më shumë. Pra ne kemi gjetur rrugën tonë dhe kemi arritur disa suksese, por ende ka shumë mundësi për ta përmirësuar këtë sistem. Iniciativa është fakt i pamohueshëm i shoqërive që funksionojnë në tregun e lirë. Kjo iniciativë nuk duhet prerë dhe frenuar, por duhet nxitur më tej. Duket se MASH nuk e kupton këtë aspekt tepër të rëndësishëm të menaxhimit të universiteteve. Këta shembuj i solla që opinioni të kuptojë se edhe për gjëra fare të vogla dhe të parëndësishme është shteti dhe MASH që vendos, megjithëse këto mund të ishin probleme që çdo universitet i zgjidh sipas kushteve të veta specifike. Por edhe këto suksese modeste do të rrezikohen nëse MASH kontrollon programet akademike, numrin e studentëve që vijnë në universitet, financon universitetet private me skema tepër të dyshimta dhe kontrollon çdo aspekt të jetës universitare.
Do të përfitoja nga rasti të kujtoja një thënie të Ronald Reagan, e cila ka hyrë në histori: “Qeveria është problemi, jo zgjidhja!

Çfarë mendoni për skemën financiare të propozuar nga ministri për financimin e universiteteve private?

Kemi disa javë që dëgjojmë mbi një skemë të tillë, e cila është tepër e dyshimtë. Ministri dhe kushdo që e ka propozuar këtë skemë duhet të japë më shumë detaje se çfarë ka ndërmend të bëjë. Personalisht jam i bindur se një skemë e tillë do të ketë viktima dhe këto viktima do të jenë pikërisht universitetet publike. Për shembull, ministri cakton kuotat për çdo universitet. Atëherë cila është garancia jonë që ministri nuk do t’i dërgojë të gjithë studentët tek universitetet private? Ku është konkurrenca e lirë kur ne nuk lejohemi të konkurrojmë me rregulla të njëjta? Si do të tërheqë universiteti publik numër të madh studentësh për të përfituar këto fonde apo “kupona” me shprehjen e ministrit kur numrat i cakton pikërisht ai? Me ç’të drejtë shteti duhet të harxhojë fondet publike për të financuar biznese private? Unë nuk jam jurist, por mendoj se kjo është antikushtetuese dhe e paligjshme. Thuhet se një model i tillë është marrë nga modeli lituanes dhe kilian. Por qeveria nuk duket se do që të komentojë mbi modelet e vendeve që ndodhen midis Kilit dhe Lituanisë.

E vërteta është se ka një keqinformim të qëllimshëm për këto modele. Ata që përpiqen t’i mbështesin këto ide harrojnë të përmendin se në Kili apo Lituani universitetet private janë institucione jofitimprurëse në kundërshtim me universitetet private në Shqipëri. Mos duhet të besojmë se ky është një detaj i vogël... MASH është përgjegjëse për cilësinë e programeve akademike. Do të doja që ministri i Arsimit dhe Shkencës të jepte një raport publik mbi gjendjen e cilësisë në këto universitete private, të cilat ai i lejon të funksionojnë. Për më tepër është detyrim qytetar dhe ligjor që gjithë ligjvënësit tanë dhe të gjitha strukturat të bëjnë publike lidhjet e tyre me universitetet private. Opinioni publik e di mirë cilësinë që ofrohet në shumicën e universiteteve private. Fakti që dyndja e studentëve bëhet tek universitetet publike është një tregues se çfarë njerëzit mendojnë për cilësinë e këtyre universiteteve. Vetëm kur shteti të vërë dorë dhe të kontrollojë cilësinë në gjithë këto të ashtuquajtura “universitete”, sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri do të filloje të lëvizë drejt së ardhmes.
Është detyrë morale dhe ligjore e qeverisë të mbrojë me çdo kusht arsimin publik karshi atij privat dhe jo të bëjë të kundërtën.

Cilat janë masat që do të merrni ju si universitete publike lidhur me këtë vendim, që sipas jush është asgjësues i IAL-ve?

Ditën e enjte organizohet një takim i rektorëve të universiteteve publike. Shpresojmë të dalim me një platformë të qartë se ç'duhet bërë për të mbrojtur universitetet tona nga ky rrezik real. Gjithashtu sindikata e pedagogëve në Vlorë është shprehur hapur kundër këtyre ndryshimeve në ligj. Jam i bindur se pedagogët e universiteteve të Vlorës, Tiranës dhe universiteteve të tjera nuk do të heshtin. Uniteti i pedagogëve të UV-së për të mbrojtur arsimin e lartë publik është i padiskutuar. Ne kemi aktivistë që po kontaktojnë me të gjitha organizatat ndërkombëtare, me të gjitha grupet e interesit, për të dalë si bllok në mbrojtje të universiteteve publike.

[b]A i keni informuar studentët për sa u takon cenimeve që u bëhen cikleve të studimit?[b]

Në UV ne kemi një praktikë të tillë që çdo informacion që ka lidhje me arsimin dhe UV-në transmetohet direkt me e-mail te të gjithë studentët. Kjo është bërë edhe këtë herë. Gjatë këtyre ditëve ne kemi marrë me qindra e-mail -e nga studentët të cilët janë kundër këtyre ndryshimeve në ligj dhe sidomos kundër financimit të universiteteve private.

Publikuar: 15.07.2010 | 12:59
Lexuar: 714 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime