Del Boske, si trajner i përkohshëm (vetëm një ndeshje) i priu ekipit edhe më 1996, në kohën kur Real Madridi po bënte reputacion në Evropë si klub që e huq totalisht blerjen e trajnerëve.
Leart Hoxha
Më 1999 Visente del Boske ishte emëruar trajner i Real Madridit si zëvendësim emergjent dhe i përkohshëm për Xhon Toshkaun, i cili kishte dështuar në udhëheqjen e këtij ekipi. Del Bokse qëndroi në krye të Real Madridit katër vjet dhe u bë dy herë kampion i Evropë dhe dy herë kampion i Spanjës me këtë klub. Situatat tjera të emërimit të tij nuk janë shumë të ndryshme nga kjo e Real Madridit, kurse trofetë e fituar e bëjnë atë njërin prej trajnerëve më të mirë në histori të futbollit.
Një jetë e tërë në klubin mbretëror
Visente del Boske, i lindur më 1950 në Salamanka, ka qenë mbrojtës perspektiv si i ri dhe ka qenë junior i Real Madridit. Në fillim të karrierës së tij si profesionist ai kishte kontratë me Realin por huazohej në klube të tjera derisa në periudhën 1973-1984 nuk u bë pjesë standarde e ekipit ë Realit si mesfushor defanziv. Ai me Realin fitoi shumë tituj në Spanjë, kurse për reprezentacion luajti 18 herë duke qenë pjesë e Spanjës edhe në Kampionatin Evropian të vitit 1980. Menjëherë pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv del Boske filloi të punojë si trajner i grupmoshave të ndryshme ne akademinë e Realit dhe karakteri i tij i qetë dhe urtësia e tij ishin të preferuara tek lojtarët e rinj, kurse njohuria e tij për taktikë të futbollit u dëshmua, kur më 1994 ai për herë të parë u emërua trajner i përkohshëm në Real, kur Benito Floro Sanc u shkarkua nga ai post dhe para se në të emërohej Horhe Valdano.
Del Boske, si trajner i përkohshëm (vetëm një ndeshje) i priu ekipit edhe më 1996, në kohën kur Real Madridi po bënte reputacion në Evropë si klub që e huq totalisht blerjen e trajnerëve.
Kur Xhon Toshak u shkarkuar më 1999, po thuajse të gjithë e dinin se del Bokse do të ishte zëvendësimi i tij emergjent derisa të emërohej dikush më i njohur. Por, njeriu i rute më mustaqe nga Salamanka siç e kishte përshkruar një gazetar anglez del Bosken, kësaj radhe qindori deri në fund të sezonit dhe e fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin më 2000.
Ai trofe hapi shtegun për punë të mëtutjeshme te del Boskes ne klub dhe deri më 2003 del Boske me Realin fitoi edhe dy tituj të kampionit të Spanjës, edhe një titull të kampionit të Evropës, një Superkupë të Spanjës, një Superkupë të Evropës dhe një Kupë Interkontinentale.
Del Boske u dëshmua si mjeshtër i madh i futbollit dhe e kishte privilegjin ti printe një ekipi të emëruar los galacticos, ku bënin pjesë yje të futbollit botëror si Kasilas, Hierro, Karlos, Raul, Zidan, Figo, Ronaldo, MekManaman e Makelele. Ishte pikërisht karakteri i qetë i del Boskes dhe personaliteti i tij, ajo komponentë që e mbajti Real Madridin si një ekip kompakt dhe shumë funksional dhe nuk lejoi që egoja e madhe e super-yjeve të futbollit ta prishë lojën dhe unitetin e ekipit.
Mirëpo, më 2003 pas katër vjetëve në klub del Boskes nuk iu vazhdua kontrata, pikërisht kur Realit iu bashkua Dejvid Bekam pas një transferi shumë të bujshëm.
Se si mund të ndodhë që trajnerit më të trofejshëm për dekada me radhë të mos i vazhdohet kontrata, ende është e paqartë për shumë njerëz, por historia tregoi se ky ishte nja nga gabimet më të mëdha të Florentino Perezit dhe Horhe Valdanos si drejtues të klubit. Pas del Boskes Real Madridi ndërroi shtatë trajnerë për katër vjet dhe nuk arriti të fitojë asnjë trofe në Evropë, duke iu kthyer traditës së blerjes së trajnerëve të gabueshëm, që ka vazhduar deri këtë vit.
Ofertat tjera dhe reprezentacioni
Del Boske e kishte refuzuar postin e drejtorit teknik të Real Madridit dhe pas një viti pauzë ai u transferua në Beshiktash. Në fakt del Boskes i ishte ofruar posti i përzgjedhësit të Spanjës pas evropianit të vitit 2004, por ai e refuzoi këtë mundësi dhe postin e morri Luis Aragones.
Ai u bë një nga shumë trajnerët e famshëm spanjoll, ose që transferohen nga Spanja e që dështojnë në Turqi dhe sezoni me Beshiktashin ishte një zhgënjim.
Pas sezonit 2004-2005, del Boske u tërhoq për 3 vjet duke u zhdukur nga skena publike edhe pse ai ishte synim i disa ekipeve, madje,ai kishte refuzuar ofertën për të qenë përzgjedhës i Meksikës më 2006 edhe pse i ishin ofruar 2 milionë euro në vit. Mirëpo, më 2008, pasi Spanja u shpall kampion evropian dhe Aragones dha dorëheqje, del Boskes për herë të dytë iu ofrua posti i përzgjedhësit të Spanjës dh ai e pranoi atë.
Kampion i Botës
Kur del Boske e morri reprezentacionin e Spanjës, ky reprezentacion ishte i pari në botë dhe ishte në prag të thyerjes së një rekordi për ndeshje pa humbje në gara ndërkombëtare. Del Boske edhe një herë u dëshmua si njeri, i cili me gjak të ftohtë dhe me maturi të madhe i prin ekipit dhe është në gjendje të nxjerrë maksimumin nga lojtarët e tij dhe të fitojë gara të mëdha.
Rreth lojës dhe taktikës së del Boskes lindën shumë dyshime kur Spanja u mposht nga SHBA-të në Kupën e Konfederatave që ishte humbja e parë e Spanjës pas 35 ndeshjeve.
Mirëpo, Spanja tregoi futboll të mirë dhe shumë efektive të kualifikime për botëror dhe shkoi për herë të parë në këtë garë si favorite kryesore.
Në ndeshje ne parë ky ekip u mposht nga Zvicër, duke bërë që sërish të nisin spekulimet se reprezentacionin i këtij shteti nuk do të ketë asnjëherë përgatitjen mentale për të fituar titull bote.
Mirëpo, pas ndeshjes dhe humbjes së parë, Spanja fitoi 6 ndeshje pasuese, të gjitha me nga një gol dallim, që është dëshmi e saktësisë së madhe taktike të lojës së del Boskes dhe pas një finaleje shumë të vështirë 120 minutëshe me Holandën, Spanja u bë kampione e botës.
Visente del Bokse më në fund njihet dhe pranohet nga të gjithë si një mjeshtër i madh i futbollit, status që ka kohë që e meriton, ngjashëm me reprezentacionin e Spanjës, që është ndër më të mirët në botë për një kohë të gjatë, por tani edhe zyrtarisht është kampion botëror.