E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Teksa evokon kujtime prej më të ndryshmëve, që tek ai ngjallin emocione që shoqërohen herë-herë me një të buzëqeshur të lehtë, e shpesh edhe me rrudha në fytyrë, profesor Zejnullah Gruda mburret që në diplomat e shkollës së tij figuron vula e Shqipërisë.
Zejnullah Gruda, diplomati i gjithanshëm







Për secilën fjali që ai e flet, së bashku me kujtimin sjell edhe detaje që shoqërohen me data dhe ditë të sakta, edhe nëse tregimet e tij i përkasin një të kaluare jashtëzakonisht të largët.

Teksa evokon kujtime prej më të ndryshmëve, që tek ai ngjallin emocione që shoqërohen herë-herë me një të buzëqeshur të lehtë, e shpesh edhe me rrudha në fytyrë, profesor Zejnullah Gruda mburret që në diplomat e shkollës së tij figuron vula e Shqipërisë.

“Dëftesat që i kam të ruajtura akoma në titull e kanë Mbretëria Shqiptare”, fillon rrëfimin për jetën e tij, juristi që aktualisht është pensionuar nga puna në Universitetin e Prishtinës, por që vazhdon të kontribuojë te studentët që vijojnë studimet e specializimit në disa universitete.

Gruda kujton se shkolla ku ai ishte regjistruar, ishte hapur nga mësimdhënës të Shqipërisë, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova. Sipas tij, shkolla fillore “Haxhi Zeka” në Pejë, ishte e dyta shkollë shqipe që ishte hapur në rajonin e Dukagjinit.

Pasi kishte mbaruar shkollimin fillor dhe kishte diplomuar në gjimnazin e qytetit, diplomim ky që ai kujton si jashtëzakonisht të vështirë, Gruda kishte ardhur në një pikë të rëndësishme të jetës së tij, nga e cila më pas do të marrë kahen e ardhmja dhe karriera profesionale.

“Të gjitha i kam kryer në Pejë. Unë u takoj nxënësve të gjeneratës së parë që e ka filluar shkollimin në shqip dhe e ka kryer. Më thirri një profesor dhe më tha çfarë dua të studioj. Unë i thash nuk di, e dua filozofinë, e dua letërsinë botërore, e dua edhe letërsinë shqipe, e dua drejtësinë”, kujton ai ecurinë e fillimit të karrierës së tij.

Njeriu, i cili thotë lexon libra në gjuhën angleze, spanjishte, serbokroate dhe ruse, gjuhë këto të cilat ai pohon se edhe i flet mesatarisht, kujton se gjatë qëndrimit në Sarajevë, ku ishte studenti i parë shqiptar nga Kosova që studionte në Fakultetin Juridik, kishte arritur sukses në fushën e drejtësisë, për ç’gjë autoritetet e atëhershme arsimore kishin ndarë bursë për të.

Ai tregon një element të cilin thotë se kur e kujton para studentëve, ka shumë që nuk e besojnë – vizitën e një kafeneje, të cilën ai betohet se e ka bërë për herë të parë pak kohë para se të mbarojë studimet.

Mentaliteti i atëhershëm, kujton profesori, ka qenë që je i ulët dhe i paedukuar nëse futesh në kafene, dhe se aty hyjnë vetëm njerëzit e ulët.

“Pak kohë para se të diplomoj unë e bëra betimin për gjyqtar dhe planifikohej të vija në shërbim në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit. Atëbotë, disa muaj para se të diplomoj më vinte paga e gjyqtarit edhe pse unë ende isha student”, thotë ai, teksa shikimin e mban në dollapët me libra, të cilat janë vetëm disa qindra nga mijëra sa ka në çdo dhomë dhe çdo cep të banesës së tij.

Por, paga ishte marrë kot, ndërsa pozita e gjyqtarit shumë shpejt do të harrohej. Suksesi i tij i treguar gjatë studimeve ishte faktori kryesor që profesor Gruda të “pajiset” me një bursë tjetër, e cila do ta dërgojë atë në Beograd për të vijuar studimet pasuniversitare, ku fillon edhe mësimi i gjuhës angleze.

Njeriu, i cili kohën e lirë e kalon duke bërë punime të ndryshme shkencore dhe duke lexuar libra prej më të ndryshmëve, kujton se si pas specializimit në Beograd ishte rikthyer në Prishtinë për të vazhduar punën në Universitetin e Prishtinës, ku megjithatë, nuk kishte punuar gjatë.

Ndërkohë para se të merrte një pozitë të rëndësishme shtetërore, Gruda thotë se ishte martuar pikërisht me vajzën që vet e kishte gjetur, e me të cilën kontaktet i kishte mbajtur nëpërmjet “kanaleve të informacionit”.

“Unë e dija që jam në listën e ngushtë, por një ditë më thirren dhe më thanë që të kemi përzgjedhur për ambasador. Ishte viti 1975 kur unë u bëra ambasador i ish-Jugosllavisë në Panama”, kujton ai, duke pohuar se për tri vjet të qëndrimit në këtë funksion ka arritur të përjetojë momente interesante dhe të shumë të veçanta.

Derisa në afërsi mbanë një enë të madhe të argjendit, ku janë të gravuara nënshkrimet e të gjithë ambasadorëve që kishin qenë në Panama, dhe fytyra i qesh kur kujton se si është nderuar nga udhëheqësit e këtij shteti të Amerikës Latine, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare thotë se dëshira e tij kishte qenë që të kthehet në Prishtinë.

“Shkova me 2 shtator 1975 dhe u ktheva në fund të shtatorit 1978. Fiks pas tri vjetëve. Si ambasador kam kaluar shumë mirë dhe kam organizuar takime të ndryshme ku vinin të gjithë ambasadorët. Ambasadori i Arabisë më thërriste rregullisht për dreka të Bajramit”, kujton ai pjesë nga jeta e tij si përfaqësues diplomatik i ish-Jugosllavisë.

Por, puna e tij në fushën e diplomacisë nuk ishte ndalur me largimin nga Panama.

Ambicia e pushtetit të atëhershëm jugosllav për ta avancuar dhe për ta mbajtur afër, vetëm sa ishte rritur për tre vite sa ai nuk ndodhej në Kosovë.

Dituria e tij që tashmë bartej edhe para studentëve të Universitetit të Prishtinës kishte filluar të kurorëzohej me themelimin dhe udhëheqjen e Sekretariatit të Punëve të Jashtme të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

“Ne e filluam. Unë e udhëhoqa tri vjet, pastaj shkova në Beograd si udhëheqës i ‘Kryqit të Kuq’ që ishte me rotacion. Për tre vjet unë i kam kaluar nga katër ditë atje dhe tri ne Prishtinë. Një ditë mbaja ligjërata në fakultet dhe dy ditë të tjera, të shtunën e të dielën i organizoja provimet, sepse nuk kam dashur të largohem nga jeta akademike”, thotë ai.

Profesori që jeton në një banesë mbi shtatëdhjetë metra katror së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, njëri nga të cilët është i martuar dhe ka dy fëmijë, pohon se gabimet e ndryshme të Ministrisë së Jashtme të Republikës se Kosovës “burojnë” nga fakti se Kosova nuk ka ndonjë traditë te madhe në këtë fushë dhe as në ndërtimin e institucioneve.

Derisa në banesën që dikur e ka marrë si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, rriten fëmijët e djalit të tij dhe ai përveç librave të shumta ruan edhe piktura dhe gjësende më vlerë. Tani ai është edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

“Tash jam edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit. Herë më thërret, herë shkoj vetë. Mendoj se ai është njëri nga shtyllat kryesore të Qeverisë, e kam pasur edhe student”, thotë ish-ministri, që kujton se i ati i tij ishte zejtar i suksesshëm në Pejë.

Librat e profesorit

Doktori i së Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, tregon se deri më tani ka të botuara tre libra të fushës së tij të studimeve, të cilat janë të përshtatshme sikurse për student edhe për persona që duan dhe që merren me diplomaci.

“Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”, “E Drejta Ndërkombëtare Publike” dhe “Manual Diplomatik” janë librat që ish-diplomati nuk heziton t’i sjellë nga librat e shumtë në dhomën e tij të ditës. “Ai që merret me diplomaci, ose që ka ambicie të tilla, këto dyja duhet t’i mësojë shumë mirë”, thotë ai, derisa në duar i mbanë librat e tij, “Manual Diplomatik” dhe “E Drejta Ndërkombëtare Publike”. (zëri)

Publikuar: 19.07.2010 | 00:51
Lexuar: 6962 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
nazmi (30/07/2010 12:09:36) Kam nderin të i takoi gjenrates se studentve të fakultetit Juridik të Prishtinës,në vitet 1980-1984.Në vitin e tretë na ligjeronte lëndën E drejta nderkombëtare publike zoti prof Zejnullah Gruda.Mua më ka lënë përëtypëje të mrekulluashme ligjerimi i profesorit,metodat e punës aso kohe ishin qfari ishin por ai kishte një sharm diplomatik në shpreheje i sqaronte gjërat aq mirë edhe na ipete shëmbujë mbi disa raste diplomatike e perjetime të tia përsonale.Ne aso kohe nuk kishim libër të kësaj lënde por profesori ipte shënime.Unë e vreja se ai kishte një memoreje të jashtëzakonëshme si edhe formulonte shpreheje aq fakultative e aq shkencoro diplomatike sa qe shpesh harroja të shkruaja nga dëshira qe të dëgjoi ligjeraten e tia.Një punetorë i madhë i dashur më studentet i afert në biseda tepër i njërzieshem e padagogjikë.Ishte kohë e rëndë të jesh student në ato vite por ishte kohë edhe më e rëndë të jeshë ligjerues në univerzitetin e Prishtines aso kohe.Profesori shumë here na ipte shëmbuj që të kuptonim se një ditë edhe ne do të kemi shtetin tonë,por i fliste gjërat më një mjeshteri të madhe diplomatike se qe shumë nuk e kuptonin e kjo ishte edhe fat i madhë se përë ndryshe ate do ta burgosnonin organet e psuhteti të kohës.Unë jetoi në botë të huaj qe 20 vite në Finland të Skandinavis këtu kam studijuar sersishë jetoi e punoi,por gjithëmon mbetem më një dëshirë të pa realizuar që nuk i vazhdova studimet juridike e sidomos më frymezimet e mia personale të medha nga vet profesori i shkelqyer zoti Zejnullah Gruda.Këtu kam studijuar drejtim pedagofjik-pedagogjin specilae,por në biseda më miqet fainlandez shpesh i tregoi shembujt qe na i tregonte profesori ata më pyten një ditë nga i dij këto gjëra e nga i kam të mesuara këto shpreheje në sjellëje kështu unë ju tregova ata u bëfasuan përë të mirë.Profesori qyshë atëher shprehej i etur qe Kosova të bëhej Republikë e që një ditë të bëhemi edhe shtet.Kam ndier gëzim kur në disa raste e kam parë në emisionet e RTK-es më dukei vedja që ende jam i ulur në bangat e fakultetit juridikë e jam duke i ndëgjuar ligjëratat e tia.Ju falenderoi zotëri profesor përë ato qe na i dhurove neve.Kosova edhe diplomacia gjithëshqipetare ka nevoi përë njërz si Ju.SInaqerisht ju përshe¨ndes e ju uroi ditë të mira në vazhdimin e jetës tuaj e familjës suaj.
nazmi (30/07/2010 14:16:19) I ndëruari profesor nese e lëxoni komentim të më lartë,do të isha mirënjohes i madhë nëse kontaktoni.Edhe pse tani veproi e punoi tërsisht në një drejtim tjetër nga ai qe studijova në Fakultetin Juridik të Prishtinës,kam dëshir ti kem libërat tuaja.Dua ti lëxoi ato e të mësoi serishë.Dituria nuk ka rrugë të mbaruar por asai i dihet vetëm fillimi.Mundësisht më kontaktoni edhe më tregoni se si mund ti kem libërat tuaja.Ose mënyren e rrjetin ku mund të gjëi ato.Por mbi të gjitha ato do të ishin të mirë se ardhura përë mua e familjen time këtu në Finland.Ju përshendes duke ju uruar punë e jetë të mbarë e të shëndetësheme.
VEZIR SYLEJMANI (21/01/2011 22:31:10) I NDERUARI PROFESOR GRUDA PATA NDERIN TE JEME STUDENT I JUAJ . JU PERSHENDES NGA ZEMRA JU DESHIROJ SHENDET DHE JETE TE GJATE JU DHE FAMILJES SUAJ TE NDERUAR.
Selman Ymeri (08/05/2012 14:23:30) Përshëndetje të sinqerta për profesor Zejnullah GRUDA,

Edhe unë pata fatin pa dyshim më të mirin në arsimimin tim, që Profesorin e nderuar Zejnullah Grudën, t'a kem ligjërues në studime themelore, ligjërues në studimet e shkallës së tretë dhe kryetar të Komisionit në mbrojtjen publike të temës së MASTER-it.E falenderoj me mijëra herë për përkushtimin, seriozitetin, transparencën, mënyrën e mësimdhënies, metodologjinë e shpjegimit, mënyrën e bartjes së njohurive tek studentët dhe për përcjelljen e përvojave nga fusha e së drejtës ndërkombëtare publike, marrëdhënieve ndërkombëtare etj.
Për fat të keq institucionet tona, nuk e kanë parë të udhës të mësojnë nga përvoja e profesorit të nderuar nga fusha e diplomacisë, sepse si të shpjegohet ndryshe rasti kur në shekullin 21, Republika e Kosovës në cilësinë e ambasadorit emëron njerëz që nuk kanë të bëjnë me arsimim adekuat profesional, madje edhe ndoshta pa arsimim superior. Po të konsultohej bota akademike nga fusha e diplomacisë, kjo me siguri nuk do të ndodhte në asnjë mënyrë.
Prej Prof. Zejnullah Grudës ka çka të mësohet,personaliteti i tij prej edukatori, pishtari dhe vizionari, do të jetë një burim energjie dhe dinjiteti për arsimin shqip.

Shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për Profesorin e nderuar Zejnullah Gruda.
I falem përherë dinjitetit dhe respektit për JU.

Sinqerisht, Selman M. Ymeri


rast

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime