E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Quhet Jill Robinson dhe me shoqatën e saj lufton për të liruar arinjtë, që në Kinë i vrasin për t’u marrë tëmblin.
Zonja e arinjve







Njihet ndryshe si engjëlli i arinjve, por Jill Robinson nuk është vetëm kaq. Bashkë me të, vazhdon të rritet edhe respekti për këto kafshë, në një nga vendet ku fjala “e drejtë” shoqërohet me katër këmbë dhe nuk ka ekzistuar kurrë. Në Kinë dhe Vietnam, Jill ka hapur qendra ku mirëpriten arinjtë e liruar nga “fabrikat e tëmblit”. Ajo përdor programe “pet-therapy” nëpër spitalet dhe qendrat e rehabilitimit.

Jill ka takuar pothuajse 7 mijë fëmijë nëpër shkolla, duke u folur për respekt. Janë 330 “arinjtë e hënës”, me fytyrë të bardhë, që Jill dhe vullnetarët e “Animal Asia Foundation” (animalasia.org) i kanë shpëtuar nga torturat, të cilave iu nënshtrohen për të marrë tëmblin, përbërës që përdoret në produktet mjekësore tradicionale kineze.

Lirimi i fundit, i pasqyruar edhe në sajtin e hapur posaçërisht për këtë fenomen, është kryer në fund të muajit prill. Në janar të këtij viti, në Vietnam, mes arinjve të liruar, ishte edhe një i quajtur “Italy”, në nder të mbështetësve që e liruan. Ja si shprehet Jill, biondja 50-vjeçare, për këtë çështje.

Jill, kur lindi ëndrra juaj për t’u marrë me arinjtë?

Ashtu siç e kam shpjeguar edhe nëpër shkolla, besoj se secili prej nesh, merr mesazhe që mund t’i injorojë ose t’i dëgjojë dhe që lënë gjurmë në jetën e tij. Unë e mora mesazhin tim në vitin 1993, nga një arushë e mbyllur në një kafaz. Pas dëgjimit të atij mesazhi, lindi menjëherë organizata “Animal Asia”. Kur sjell ndërmend arinjtë e hënës të mbyllur për vite të tëra në atë kafaz, mendoj se janë një burim frymëzimi për një ndryshim më radikal. Mënyra me të cilën i trajtojmë kafshët, lidhet me ekuilibrin e planetit.

A mund të na tregoni vizitën tuaj të parë në një “fabrikë tëmbli”?

I isha bashkuar një turi të organizuar në një fermë në jug të Kinës, kur arrita të hyja në një tunel ku mbaheshin të burgosur arinjtë. U shokova nga ajo dhomë torturash, megjithatë arrita të bëja disa fotografi. Ndihesha shumë e prekur në atë çast, sepse një ari më kishte ngulur sytë dhe nuk m’i shqiste. Dukej sikur më kërkonte ndihmë me njërën këmbë të futur mes hekurave të kafazit. Instinktivisht e preka dhe iu betova se do të kthehesha. Kështu filloi ëndrra për të liruar nga ajo torturë arinjtë e hënës.

Çfarë ka ndryshuar nga ai betim i heshtur shpëtimi?

Janë të pafundme sfidat në punën tonë, por më e madhja është thyerja e murit të heshtjes. Dhjetë mijë arinj vazhdojnë të jenë të mbyllur në kafazet e “fabrikave të tëmblit” kineze dhe vietnameze. Sot “Anima Asia” ka arritur të shpëtojë 330 arinj, që tani jetojnë në dy qendrat e ndërtuara nga Jill dhe vullnetarët e saj. Për to kujdesen një grup veterinerësh. Momentalisht po punojmë me autoritetet dhe mjekët lokalë për t’i bindur se kjo praktikë është e dëmshme edhe për qeniet njerëzore. Projektet “Dr Dog” dhe “Professor Paws”, që “rrënjosin” nëpër shkolla edukimin dhe respektin për kafshët, takohen me mijëra persona çdo ditë nëpër komunitetet aziatike. Faltoret tona janë burim i rëndësishëm për komunitetet lokale. Çdo javë, 7 mijë kilogramë fruta dhe zarzavate dërgohen në faltoren e vetme kineze.

Ju po asistoni në një transformim kulturor? A ka ndryshuar ndjeshmëria drejt kafshëve të kafazit?

Që prej vitit 1991, kur është vënë në funksion projekti “Dr Dog”, “Animal Asia” ka punuar që kafshët të njihen si miq dhe jo si mish apo lëkurë. Sot kemi qindra qen që u bëjnë shoqëri pacientëve nëpër spitale dhe komuniteteve në shtatë shtete aziatike. Një prej tyre, Dahei, u shpëtua ndërsa po e fusnin në kafaz. Ai u solli buzëqeshjen fëmijëve të shkatërruar nga tërmeti i Sichuan-it. Ndryshimet janë të vazhdueshme. Dikur ishim vetëm, ndërsa tani bashkëpunojmë me 60 organizata.

Cili është qëllimi i “Animal Asia”?

Të vazhdojë të punojë, derisa “fabrikat e tëmblit” të ekzistojnë vetëm në librat e historisë.

Publikuar: 19.07.2010 | 20:16
Lexuar: 782 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime