Në vitin 2008 qeveria parashikon që të marrë një sasi të madhe borxhi, për të realizuar investimet e huaja që mund të shkojë deri në 700 milionë dollarë
Akti normativ, me anë të të cilit qeveria ka rialokuar rreth 100 milionë USD, është vlerësuar si i rëndësishëm nga Bode. Përmes këtij akti normativ dhe një herë do të dëshiroja të theksoja, që qeveria mundëson përdorimin efikas të fondeve publike, mundëson rritjen e vëllimit të investimeve, pasi vetëm përmes kësaj ndërhyrjeje ne pakësojmë deficitin e vitit, që vjen me rreth 100 milionë dollarë, kryesisht me fonde të huaja.
Në vitin 2008 qeveria parashikon që të marrë një sasi të madhe borxhi, për të realizuar investimet e huaja që mund të shkojë deri në 700 milionë dollarë. Edhe interesat që do të paguhen për borxhin në 2008 kapin një nivel të lartë. Interesat e larta kanë rritur ndjeshëm koston e borxhit qeveritar, që për vitin 2008 shkon në rreth 39.7 miliardë lekë ose 467 milionë dollarë amerikanë. Në harkun kohor të një viti, interesat shtesë që qeveria duhet të paguajë për borxhin në vitin e ardhshëm shkojnë në 104 milionë dollarë. Pjesa dërrmuese e interesave që do të paguhen për vitin 2008 i janë të dedikuar borxhit të brendshëm, rreth 29 miliardë lekë. Ndërsa për borxhin e jashtëm interesat e paguara në vitin 2008 shkojnë në 4.3 miliardë lekë. Rreth 6.4 miliardë lekë shpenzime për borxhin publik në vitin 2008 i janë dedikuar ripagesave të jashtme. Qeveria parashikon nga ana tjetër që të rrisë më tej borxhet e vendit gjatë vitit 2008, kryesisht borxhin e jashtëm. Në vitin e ardhshëm parashikohen që të merren 85.4 miliardë lekë borxh, që është planifikuar që të merret nga jashtë dhe që do të përdoren në financimin e rrugës Durrës-Kukës.
Një nga shkaqet e rritjes së shpejtë të kostos së borxhit qeveritar kanë qenë interesat tepër të larta me të cilat ai merret. Gjatë gjithë këtyre viteve, qeveritë e ndryshme kanë marrë në pjesën më të madhe të kohës borxh nga burime brenda vendit, ku bëjnë pjesë bankat e nivelit të dytë dhe Banka Qendrore. Por interesat e diktuara nga ana e tregut, kanë qenë në pjesën më të madhe të kohës tepër të larta. Edhe nëse i referohemi tabelës së interesave në ankandet e fundit të Bonove të Thesarit, të emetuara nga ana e Ministrisë së Financave, që janë edhe forma klasike e borxhit qeveritar, interesat shkojnë 8-9%. Megjithëse qeveria ka deklaruar se do të hapë tregun e borxhit, në mënyrë që në të të marrin pjesë shumë aktorë, fleksibiliteti i normave të interesit mbetet i vogël, duke bërë në këtë mënyrë një burim i mirë fitimi për bankat e nivelit të dytë. Pjesa dërrmuese e borxhit qeveritar kontrollohet nga bankat e nivelit të dytë, që zotërojnë rreth 70 për qind të portofolit, ndërsa individët dhe grupet e tjera zënë vetëm 7.39% të borxhit publik.(Shekulli)