Universiteti i Prishtinës (UP) ka hapur dyert për kandidatët e titullit student. Në të gjitha fakultetet e këtij universiteti ka nisur dorëzimi i dokumenteve për konkurrim, që do të jetë i hapur deri më 26 korrik, ndërsa Rektorati i UP-së i ka marrë të gjitha masat që ky proces të zhvillohet pa pengesa administrative apo ligjore.
Përmes disa vendimeve të marra në nivel të Rektoratit janë bërë të ditura të gjitha procedurat, kriteret dhe vlerësimet që do të karakterizojnë provimin e parë pranues në UP. Në këtë universitet në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2010-2011, do të pranohen gjithsej 17362 studentë, prej të cilëve 16332 studentë të rregullt dhe 1030 studentë me korrespondencë. Por, UP-ja do të regjistrojë edhe 413 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci si dhe 216 studentë nga minoritetet që jetojnë në Kosovë. Të drejtën e konkurrimit, sipas rregulloreve të UP-së e kanë të gjithë kandidatët që disponojnë dëshmi për kryerjen me sukses të shkollës së mesme në vend.
Sekretari i përgjithshëm i UP-së Esat Kelmendi ka thënë për Zëri se nga Rektorati janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e provimit pranues. Sipas tij, deri më tash procedura e aplikimit të dokumenteve ka shkuar në rregull, pa ndonjë ngecje. Ai ka theksuar interesim të lartë të kandidatëve për të konkurruar në UP. Kelmendi tha se ka vizituar disa fakultete dhe korridoret kanë qenë të mbushura me kandidatë të gatshëm për ti dorëzuar dokumentet që ti nënshtrohen më pas provimit pranues.
Ai tha se sipas dinamikës së punës, së shpejti do të formohen komisionet për hartimin e testeve dhe më pas edhe komisionet tjera të cilat do të bëjnë vlerësimin e punimeve të studentëve. Ndërkaq pagesa për një semestër për studime të rregullta në lartësi prej 90 euro eurove e theksuar në konkurs, sipas Kelmendit do të përfshijë edhe pagesën për nxjerrjen e certifikatës së notave, apo dëshmive të tjera (vërtetimeve) që studentëve iu duhen gjatë studimeve.
Rritja e pagesës për semestër nënkupton që këto shërbimet tjera për studentë të jenë pa pagesë, ka thënë Kelmendi, sipas të
cilit, ky propozim i Rektoratit pritet që tash të jetësohet me një udhëzim administrativ që do të lëshohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë.
Për dallim nga vitet e mëparshme kur kandidatët e pakënaqur nuk kishin informacione se kur duhet të paraqesin ankesën, kësaj radhe UP-ja ka marrë vendim që ti informojë ata me kohë. Kandidatët që refuzohen mund ti paraqesin ankesë Këshillit të Fakultetit, të njëjtën ditë kur janë njoftuar për rezultatet e provimit pranues. Pas këtij afati, sipas vendimit në nivel të UP-së ankesat nuk do të pranohen për asnjë kandidatë.
Ndërsa ky këshill do të marrë vendim një ditë më pas dorëzimit të ankesës. Rektorati ka sqaruar edhe mënyrën e selektimit të kandidatëve. Për të realizuar këtë objektiv ky institucion ka paraparë disa kritere. Për nxënësit që kanë diplomë për kryerjen e shkollës së mesme e nuk kanë pasur provim të maturës, si dhe për kandidatët që paraqiten për pranim në UP dhe që nuk e kanë kryer shkollën e mesme në Kosovë, numri maksimal i pikëve do të jetë 100, por këto pikë do të arrihen me 20 për qind të pikëve të marra nga suksesi në shkollën e mesme dhe deri 80 për qind e pikëve mund të arrihen në provimin pranues në fakultet. Ndërsa për kandidatët me provim të maturës pikët do të llogariten duke marrë 20 për qind të pikëve nga suksesi në shkollën e mesme, deri në 50 për qind të pikëve nga provimi i maturës dhe deri në 30 për qind të pikëve nga rezultatet e provimit pranues në fakultet.
Kurse për herë të parë në UP kandidatët që vijnë nga anëtarë të familjeve të dëshmorëve, invalidë të luftës, fëmijë të invalidëve të luftës, veteranë të luftës dhe fëmijë bonjakë të viktimave civile të luftës do të kenë 10 pikë bonus. Fakultetet e organizojnë mbajtjen e provimit pranues më së shumti në tri lëndë mësimore, të cilat i caktojnë vetë. Provimi pranues do të mbahet më 30 korrik, në orën 9:00, përveç në disa fakultete ku orari i mbajtjes së provimit pranues ndryshon, por mbahet në të njëjtën ditë.
Rektorati ka vendosur që shpallja e rezultateve të provimit pranues të bëhet më 5 gusht. UP-ja ka paralajmëruar që pas afatit të parë të provimeve pranuese të shpallë dhe një konkurs plotësues në drejtimet ku nuk plotësohet numri i kandidatëve të paraparë për tu pranuar. (zëri)