E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi i ka deklaruar gazetës “Zëri” se “vendimi pozitiv i GJND-së për Kosovën nuk do të reflektojë në tensionimin e situatës në veri të vendit”.
Kosovė: njėsitė speciale, gati








Autoritetet kosovare të rendit nuk presin tensionim të situatës në veri të Mitrovicës, pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 22 korrik. Megjithatë njësitë speciale të Policisë së Kosovës (RSU) janë të gatshme për të intervenuar në çdo moment kur kërkohet ndihma e saj nga përfaqësuesit e EULEX-it.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi i ka deklaruar gazetës “Zëri” se “vendimi pozitiv i GJND-së për Kosovën nuk do të reflektojë në tensionimin e situatës në veri të vendit”.

Megjithatë, sipas tij, autoritetet ndërkombëtare të rendit, por edhe ato të Kosovës janë të gatshme që t’i përgjigjen çdo rrethane që mund të çojë deri te rebelimi i serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës. “Nuk presim tension dhe rebelim të serbëve në veri, por nëse do të ketë indikacione apo diçka të ngjashme, atëherë çdo rrethanë do të marrë edhe përgjigjen e duhur, me qëllim që në atë pjesë të vendoset rendi dhe qetësia”, ka thënë ministri Rexhepi, sipas të cilit, do të ketë më shumë retorikë politike, sesa tensionim të situatës.

Sipas tij, ekzistojnë planet operative të EULEX-it, apo edhe të KFOR-it për çdo situatë të mundshme në veri, dhe nëse do të kërkohet ndihma e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, atëherë një gjë e tillë nuk do të mungojë. “Në raste ekstreme mund të kërkohet ndihma nga Policia e Kosovës, sepse EULEX së bashku me KFOR-in kanë kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur çdo situate që mund të krijohet në veri të Mitrovicës”, ka deklaruar i pari i MPB-së, Bajram Rexhepi.

Ngjashëm është shprehur edhe shefi i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, i cili ka theksuar se institucioni që ai drejton në bashkëpunim me EULEX-in i kanë planet e tyre të zakonshme operative, të cilat nënkuptojnë gatishmërinë për të ruajtur rendin dhe qetësinë me forca të shtuara nëse ka nevojë. “Vendimi këshillëdhënës i GJND nuk mund të prodhojë asnjë tension të situatës në veri të vendit. Megjithatë, them se Policia e Kosovës nuk mund të veprojë në mënyrë të pavarur në veri të Mitrovicës, por një internevim i mundshëm mund të bëhet vetëm në bashkëpunim me EULEX-n dhe KFOR-in. Por, nëse do të kërkohet ndihma e policisë kosovare, ne jemi të gatshëm që të dërgojmë oficerë shtesë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Selimi .

Nga ana tjetër, misioni i EULEX-it ka konfirmuar se nuk do të dërgojë njësite speciale në veri të Kosovës.

Zëvendësshefi i këtij misioni, Roy Reeves, ka bërë të qartë se EULEX-it nuk do të dërgojë njësitet speciale në veri të Kosovës. Një deklarim i zyrtarit të EULEX-it ka ngjallur reagime të ashpra tek ish-guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas të cilëve EULEX nuk është serioz dhe po e legjitimon një ndarje të heshtur të veriut, duke e kundërshtuar direkt integritetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe duke legalizuar strukturat ilegale serbe. Sipas ish-guerilëve të UÇK-së, një deklarim i tillë i Reeves është një nga më tendenciozët që është artikuluar ndonjëherë nga misioni i BE-së për sundim të Ligjit.

“Në qoftë se EULEX vazhdon të ndjekë këtë politikë të dyfytyrësisë, të dëmtimit të shtetit sovran për të cilin derdhën gjak mijëra bashkëluftëtarë tanë, “OVL e UÇK-së do të shqyrtojë mundësitë e veprimit konform situatës së krijuar”, thuhet në reagimin e ish-guerilëve të UÇK-së.

Nga ana tjetër, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën nuk pret tensionim të situatës në veri të Kosovës, por përkundrazi, sipas tij, pakënaqësitë do të shprehen pikërisht në jugun e Kosovës nga shqiptarët, pasi që siç ka thanë Ivanoviq, vendimi i GJND-së do të jetë në favor të Serbisë.

Sidoqoftë, më 22 korrik pritet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë një mendim këshillëdhënës rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. (zëri)

Publikuar: 21.07.2010 | 13:02
Lexuar: 721 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime