Miratimi i këtyre shkurtimeve është një masë e domosdoshme, që imponohet vetëm nga kujdesi e përgjegjshmëria që duhet të kemi për shëndetin e ekonomisë sonë, të mbarëvajtjes së biznesit privat e të mirëqenies së çdo individi në muajt që vijnë.
Genc Ruli
Simfonia e shurdhët socialiste
Në sallën e parlamentit u parashikua të zhvillohet një maratonë e gjatë, rreth 12:00 orë, ku fjalimet e deputetëve të të dy krahëve do të parashtronin tërë argumentet dhe kundër argumentet mbi ndryshimet e propozuara nga Qeveria për buxhetin e shtetit të vitit 2010. Dhe të jemi të sinqertë, pak kemi për ti thënë apo për të dëgjuar nga njëri-tjetri në këtë seancë të gjatë, pasi qëndrimet tona krejtësisht të ndryshme janë bërë të njohura që më parë jo vetëm në debatet e komisioneve parlamentare, por dhe javë e muaj më parë. Në rastin më të mirë, dëgjuesi dhe vlerësuesi i debateve tona do të jetë qytetari shqiptar, prandaj po i drejtohem direkt atij. Ajo çfarë qeveria propozon sot është një reduktim në shpenzimet buxhetore për vitin 2010 në masën 39 miliardë lekë. Ky reduktim do të sjellë një ulje të deficitit buxhetor në 3.1% të PBB-së dhe një reduktim të borxhit publik deri në 59% të PBB-së. Miratimi i këtyre shkurtimeve është një masë e domosdoshme, që imponohet vetëm nga kujdesi e përgjegjshmëria që duhet të kemi për shëndetin e ekonomisë sonë, të mbarëvajtjes së biznesit privat e të mirëqenies së çdo individi në muajt që vijnë. Do të ishte masa më e fundit që do të donte të propozonte kjo qeveri (e cila çdo vit në këtë periudhë ka sjellë vetëm propozime për shtesa në buxhetin e planifikuar), por do të ishte papërgjegjshmëria më e madhe në qoftë se ne sot nuk do të ndërmerrnim këtë masë fiskale aq të nevojshme.
Pavarësisht sinjaleve pozitive të frenimit të krizës financiare dhe ekonomike që ka përfshirë ekonominë botërore që nga viti 2008, rreziku i valëve dytësore të saj, sidomos lidhur me pakujdesshmërinë ndaj balancave makroekonomike, mbetet ende i lartë. Gjatë ciklit të një krize politikat qeveritare përshtaten e reagojnë ndaj pasojave të shfaqura dhe të pritshme dhe pa dyshim që nuk mund të jenë të njëjta në çdo fazë të zhvillimit të saj.
Rivalët tanë socialistë këmbëngulin prej shumë kohësh se ekonomia shqiptare është përfshirë nga një krizë e thellë. Ne kemi argumentuar e shpjeguar të kundërtën, pra se fatmirësisht ekonomia jonë kombëtare as ka pësuar e as ka për të pësuar atë goditje të dhimbshme që shumica e ekonomive të botës morën nga kjo krizë, por pa dyshim kemi shpjeguar e pranuar se ekonomia jonë nuk kishte si të mos prekej dhe ndikohej nga një krizë që ka përfshirë të gjithë planetin. Por deri më sot ekonomia jonë ia ka dalë të preket e dëmtohet më pak, dhe jo me deformime të parikuperueshme brenda një kohë të shkurtër.
Sa i qëndrojnë logjikës së qetë e të shëndoshë argumentet e kampit opozitar për fenomenin krizë?
Së pari, le të kujtojmë se simfonia e tyre për krizën e ekonomisë shqiptare dhe varfërimin sistematik të shqiptarëve ka gjëmuar dhunshëm në veshët e shqiptarëve jo që atëherë kur në botë filloi të flitet për një krizë, por që në vitet 2006, 2007 e 2008, kur ekonomia jonë po përjetonte vitet e rritjes ekonomike më të larta të dekadës, kur investimet e huaja u dyfishuan në krahasim me vitin 2005 dhe po kështu edhe investimet e shtetit dhe të biznesit kombëtar, kur taksat u ulën ndjeshëm dhe pagat e pensionet u rritën dukshëm nga viti në vit. Madje, në këtë kohë edhe ekonomia botërore po gëzonte një lulëzim prej kapitalit të shumtë investues dhe kostove të ulëta të sigurimit të tij. E bëj këtë kujtesë për të treguar se sa absurdë dhe jorealistë kanë qenë opozitarët tanë në atë kohë.
Së dyti, sot po akuzohemi e po sulmohemi prej socialistëve se i kemi bërë projeksionet e buxhetit 2010 nën avujt e një optimizmi euforik e popullist. Le të pranojmë për pak se kemi gabuar në parashikimet tona ekonomike, por duke përjashtuar gjykimin tuaj për të kthjellët e objektiv, mbetet të krahasohemi në shkallën e saktësisë së parashikimeve tona vetëm me zërin e kthjellët e pa emocione që vinte nga institucionet e përgjegjshme ndërkombëtare, që të shokuar edhe ata vetë nga zhvillimet negative e të papritura në ekonominë botërore, bënin parashikime tepër konservatore dhe pesimiste për ekonominë shqiptare, duke pranuar një rritje prej vetëm 0.2 % për vitin 2009 dhe gati 0% për vitin 2010. Në fakt, rritja për vitin 2009 rezultoi jo më pak se 3 % dhe po këta zëra profesionalë sot e pranojnë se rritja edhe në vitin 2010 do të jetë midis 2 dhe 3%. Pra, zotërinj, rezulton se ne euforikët e popullistët gabuam më pak dhe vepruam më mirë.