Të kesh stres nuk është gjë e mirë e posaçërisht gjendja mund të jetë shumë e keqe, nëse stres kanë bankat. Sot (23.7.) u publikuan rezultatet e të ashtuquajturit testi i stresit i 91 bankave të mëdha evropiane.
Shtatë prej 91 institucioneve financiare evropiane nuk kanë arritur të kalojnë të ashtuquajturin test të stresit. Bankat gjermane Postbank dhe NordLB kanë arritur me vështirësi të kalojnë testin e stresit. Siç mësohet nga rezultatet e publikuara pas mbylljes së bursave nga organi i kontrollit të bankave evropiane, këto dy institucione financiare janë renditur nën kuotën prej shtatë përqind të testit. Për të kaluar testin ishte i nevojshëm kalimi i kuotës prej gjashtë përqind.
Gjithsej në testin e stresit kanë marrë pjesë 14 banka gjermane. Institucioni i vetëm bankar gjerman që nuk arriti të kaloj atë ishte, siç pritej, banka e shtetëzuar e patundshmërive Hypo Real Estate (HRE). Në mesin e bankave, që nuk kanë arritur të kalojnë testin është edhe banka greke Atebank dhe disa banka të kursimeve në Spanjë. Ekspertët kishin llogaritur se testin nuk do ta kalojnë dhjetë institucione financiare.
Testi solli qartësi
Kryeministrat e qeverive të vendeve të BE-së e kishin paraqitur këtë test thjesht e bukur: ne do t'i testojmë bankat tona se sa janë në gjendje të përballojnë krizat dhe do të shohim që sistemi financiar evropian është i shëndoshë dhe do të jemi përfundimisht të qetë nga spekulantët.
"Unë besoj që në gjendjen aktuale megjithatë është e rëndësishme që ne të kemi maksimumin e transparencës. Ku nuk do të ketë më mundësi që të përhapen thashetheme. Kështu që mendoj se kjo është mundësia më e shpejtë për të qartësuar këto gjëra", u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel në samitin e fundit të BE-së para pesë javësh, kur u vendos për publikimin e rezultateve të testit të stresit në mbarë Evropën.
Megjithatë Angela Merkeli nuk e përshkroi tërë realitetin evropian. Gjatë planifikimit kishte shumë vështirësi: kriteret për testin duhet të përmirësoheshin, për shkak se tregjet e konsideronin atë si shumë të pakujdesshëm, mbikqyrësit dhe menaxherët e bankave thoshin se është e diskutueshme se sa thellë duhet të lejojnë institucionet financiare të gërmohet në dokumentet e tyre. Bile edhe data e shpalljes së rezultateve vihej në pikëpyetje. Një bankier i lartë e quajti tërë këtë si një katastrofë mesatare intelektuale.
A do të fillojë stresi pikërisht tani?
Gjithsej janë testuar 91 banka të mëdha evropiane, në mesin e tyre 14 banka gjermane. Me këtë test është kontrolluar, nëse bankat janë të përgatitura për të mbijetuar turbulencat dhe rënien eventuale të ekonomisë. Por nuk është simuluar një falimentim komplet i shtetit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk e konsideron të nevojshëm një simulim të tillë për shkak se për këtë tashmë është ngritur një mburojë shpëtimtare për Euron, e cila ka për qëllim edhe pengimin e falimentimit të shteteve.
"Por ne nuk duhet t'i kushtojmë aq shumë vëmendje testit të stresit, sa të pranojmë gjëra tërësisht jorealiste."
BE-ja shpreson se më bërjen publik të këtij raporti në tregjet financiare do të rikthehet besimi se bankat janë të gatshme të përballen me kriza të reja eventuale. Por vetëm tani pas publikimit të rezultateve të testit do të kuptohet nëse ia ka vlejtur stresi për testin e stresit apo stresi i vërtetë do të filloj tani. (dw)