Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, akademik Nexhat Daci ka deklaruar sot se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare për LDD-në është shumë më domethënës se vendimi i një gjykate dhe paraqet fitore politike dhe morale dhe ilaç i vonuar, por i duhur për plagë që ka kulluar gjak gati një shekull me radhë, për shkak të copëtimit të trojeve shqiptare si pasoj e ndarjes së një kombi në shumë shtete.
Pra, ne mirëpresim këtë vendim që të parën herë në historikun e GJND-së ishte aq eksplicit i qartë dhe rezolutë. Si i tillë, LDD vlerëson se vendimi për nga pesha dhe rëndësia politike krijon hapësirë të re që politika shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës të jetë proaktive dhe me unitet veprues në rrugën e Integrimeve Evropiane dhe Veriatlantike, tha Daci.
Lideri i LDD theksoi se uniteti demokratik veprues në Republikën e Kosovës është obligues për qeverisjen dhe opozitën.
Vendimi i GJND-së thërret fuqishëm që qeverisja bashkë me opozitën të filloj hartimin e strategjisë për rrugën e ecjes deri në anëtarësim në OKB dhe në krijimin e hartës së rrugës për relaksim të raporteve ekonomike dhe tekniko-politike me Republikën e Serbisë, që do të përshpejtonte rrugëtimin për në BE dhe NATO, tha Daci.