E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I ftohti i madh i vitit të kaluar “dogji” preritë, të cilat ushqenin bagëtitë. Mijëra persona humbën kopetë e kafshëve dhe tani i janë drejtuar kryeqytetit Ulan Bator, për t’i shpëtuar urisë dhe të ftohtit.
Mongolia






Zhdukja e nomadëve: Si ndryshon fytyra e mbretërisë së Gengis Khan.

Këtë vit edhe “Naadam”-i i korrikut ishte i trishtuar. Në Mongoli njerëzit nuk kanë më dëshirë as të pinë dhe as të dëfrehen. Ditën e festës së vjetër kombëtare u zhvilluan lojëra të tipit gjuajtje me hark e shigjetë dhe luftime të lira. Garat me kuaj u zhvilluan vetëm në Ulan Bator, për të mos zhgënjyer turistët. Është hera e parë që mongolët janë detyruar të heqin dorë nga ajo që prej shekujsh quhet “takimi i vitit”, mundësia e vetme për të shitur lesh dhe për të gjetur një grua. Dimri i kaluar në Mongoli ishte i tmerrshëm.

Temperaturat arritën 50 gradë nën zero, dëbora mbuloi të gjithë vendin deri në muajin maj dhe pothuajse 9000 familje nomade panë të ngrinin nga i ftohti dhe uria të gjithë bagëtitë e tyre. 33 mijë familje të tjera humbën gjysmën e bagëtive. Rreth dhjetë milionë gjedhë, dele, dhi, kuaj, jakë dhe gamile ngordhën, një e pesta e bagëtive të vendit.

Kostoja totale e humbjes ishte 520 miliardë “tugrik”, rreth 300 milionë euro. Mongolët i quajnë këto dimra të acartë “Dzud” (Vdekje e bardhë). Më në fund, dimri i madh mbaroi, madje edhe dëbora e fundit u shkri dhe lëndinat janë shndërruar në moçale të mbushura me lule. Vendi është transformuar në një varrezë mbeturinash i mbushur me mushkonja. Qelbësit, dhitë, jakët, gamilet dhe kuajt, që arritën t’i bënin ballë të ftohtit, duken si monumente të vjetra kur ndriçohen nga hëna. Biçikletat dhe furgonët e vjetër sovjetikë nuk humbasin më nga dëbora. Mongolia pret me padurim ardhjen e verës së shkurtër. Acari i fundit mori me vete edhe shpirtin e tij, duke lënë më pak nomadë në tokën e largët të çobanëve vagabondë.

Kush guxonte të fshihej në mal, duke spostuar shtëpitë në ndjekje të barit, po dorëzohet. Dhjetëmijë familje endacake humbën totalisht bagëtitë e tyre. Tridhjetë e pesë mijë të tjera, falë parave të Kombeve të Bashkuara, pranuan më në fund të varrosnin kafshët e ngordhura. Tani, mes shkretëtirës së Gobi-t dhe Bayan Olgii, po digjen kafshët e fundit që kanë ngordhur nga uria dhe i ftohti. Dymbëdhjetë komunitete ushqehen falë ndihmave të solidaritetit ndërkombëtar.

Nuk është vetëm katastrofa natyrore ajo që po i tremb mongolët. Për të shpëtuar nga i ftohti dhe mungesa e ushqimit, nga janari deri në qershor, treqind mijë persona kanë braktisur përgjithmonë fushat e mëdha me të mbjella. Meshkujt nuk kanë një punë dhe ndiejnë se e kanë humbur kuptimin e jetës, femrat nuk gjejnë asgjë për të gatuar, ndërsa fëmijët kanë mbetur pa shqiponja dhe qen që të mësojnë gjuetinë. Mongolia pa nomadët do të karakterizohej vetëm nga barakopolit e Ulan Bator, që nga 700 mijë kanë arritur në 1,2 milionë banorë për shtatë vjet. Mijëra çobanë të tjerë pritet t’i drejtohen kryeqytetit nga gushti deri në vjeshtë, ose edhe gjatë viteve të ardhshme, ndërkohë që shumë OJQ njoftojnë për rritjen e varfërisë.

Mongolia është një shtet i madh, por ka vetëm 2,9 milionë banorë, 40 për qind e të cilëve janë përqendruar në kryeqytetin Ulan Bator. Më shumë se një e treta e popullsisë jeton në varfëri të plotë, me 101.600 tugrikë, pothuajse 60 euro në muaj, edhe pse vitin e fundit ka pasur rritje ekonomike pothuajse 8 për qind. Personat që nuk kanë mundësi financiare të udhëtojnë për në kryeqytet, qëndrojnë në shtëpi dhe përpiqen të jetojnë me ç’të munden. Në këtë vend, njerëzit janë miqësuar me varfërinë. Kënaqen gjithmonë duke u ngrohur me lëkurat e jakëve, duke ngrënë djathë të ri, mish deleje të zierë dhe duke pirë qumësht të fermentuar pele. Për katër muaj, vendi ka mbetur i shkretë: kafshët kanë ngordhur, njerëzit janë larguar, fshatrat dhe kullotat e braktisura tashmë janë bërë pjesë e pandarë e shkretëtirës.

Njëzet vjet pas kolapsit të komunizmit, vendi po e merr sërish veten. Nën tokën mongole ka shumë minerale: ar, bakër, uranium dhe qymyr që presin vetëm t’u nxjerrë. Pas shumë vitesh debate politike, në tetor të vitit të kaluar, qeveria nënshkroi një marrëveshje për të shfrytëzuar shtresat e arit dhe bakrit në minierën “Oyu Tolgoi”, në jug të vendit, një projekt i cili do të sjellë rreth pesë miliardë dollarë investime të huaja. Një shifër relativisht e lartë për Prodhimin e Brendshëm Bruto. Për Mongolinë, ky mund të jetë fillimi i një epoke të re ekonomike, e cila fillimisht duhet të ketë mirëkuptimin e nomadëve.

Nomadizmi është pjesë përbërëse e kulturës mongole. Në vitet ‘90 shumë persona u larguan nga qytetet drejt fshatrave, për shkak të mungesës së ushqimit në qendrat e banuara. Sipas disave kjo gjë solli rritjen e numrit të kafshëve, por edhe pasoja të tjera negative. Kur çmimi i kashmirit u rrit, nomadët u mbushën me para dhe blenë dhi, gjë që bëri të dëmtoheshin kullotat. Pastaj erdhi kriza ekonomike, perëndimorët i pakësuan blerjet e tyre, çmimi i kashmirit u ul sërish dhe si pasojë edhe të ardhurat e nomadëve u përgjysmuan. “Natyrisht që edhe ti mund të jesh një nomad, por nëse je i tillë në shekullin XXI, atëherë duhet t’i përshtatesh tregut për të mbijetuar”, është shprehur Tungalag Ulambayar, nëpunës i programit të zhvillimit të OKB-së. Sipas tij, nomadët duhen edukuar me rrezikun e tregut dhe praktikat e reja të rritjes së kafshëve.
Projekti Oyu Tolgoi mund të krijojë tremijë vende të reja pune, por kureshtarët pyesin se si do të shpenzohen këto të holla. Sipas Sanjaasuren Oyun, ish-ministër i Jashtëm dhe ekspert gjeolog, përmirësimi i shkollave dhe shëndetësisë do të ndryshonte ekonominë vendase, duke i dhënë një kthesë të re zhvillimit mongol.

Publikuar: 27.07.2010 | 19:26
Lexuar: 999 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime