E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Forcat kosovare të Sigurisë po ndërtohen gradualisht dhe sigurt mbi parimet e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, asaj të NATO-s, ndërsa deri në vitin 2012 kjo strukturë vendore e sigurisë do t’i arrijë kapacitetet e plota operative.
FSK nuk ndėrtohet me kallashnikov



Kështu deklaroi në një intervistë për “Zëri”, ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Fehmi Mujota.

Dikur ish-gueril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kthyer në politikë, Mujota thotë se me “bashkimin” e dy energjive, do të arrijë të ndërtojë një forcë moderne të sigurisë, multietnike e profesionale, jashtë ndikimit politik.

Edhe pse nuk është ushtarak me profesion, ministri i FSK-së thotë se institucioni që drejton përbehet prej dy mijë ushtarëve, tetë për qind të të cilëve janë nga komunitetet pakicë.

Mujota thotë se kallashnikovi do të mbetet si “fosile’ e luftës së fundit, por jo edhe pjesë e doktrinës së FSK-së.

Ndërsa, përveç armeve të gjata, ministri Mujota thotë se ekzistojnë planet edhe për blerje të pajisjeve të tjera të sigurisë, duke përfshirë edhe helikopterë.

Zëri: Z. Ministër, po bëhen gati dy vjet qëkur është themeluar Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MSFK). Deri ku ka shkuar strukturimi dhe operacionalizimi i dikasterit, të cilin po e drejtoni?

Mujota: Gjatë kësaj periudhe të funksionimit jemi plotësisht të kënaqur me rezultatet e arritura në ngritjen, ndërtimin dhe kompletimin e FSK-së. Progresi i arritur është treguesi më i mirë, se ne kemi ecur edhe më shpejt se sa që ishin parashikimet tona në fillim.

Zëri: Po, cilat janë kapacitetet operative dhe kadrovike të MFSK?

Mujota: Tani rreth 80 për qind të kapaciteteve të Ministrisë së FSK janë plotësuar, kjo është një e arritur sipas planit.

Nga 2500 pjesëtarë aktiv sa duhet t’i ketë FSK-ja, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktualisht kemi rreth 2 mijë pjesëtarë aktivë.

Të gjitha trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së zhvillohen me kritere dhe standarde të NATO-s dhe nën mbikëqyrjen dhe drejtimin oficerëve të NATO-s.

Synimi ynë është ndërtimi i kapaciteteve të plota operative dhe pjesëmarrja në mekanizmat e sigurisë në rajon si dhe anëtarësimi në NATO.

Kjo është një rrugë që kërkon shumë mund dhe angazhim, por nuk është një objektiv i paarritshëm.

Zëri: Përmendet se FSK numëron 2 mijë pjesëtarë aktivë, sa prej tyre janë nga komunitetet, dhe cili është interesimi e serbëve për përfshirje në FSK?

Mujota: Radhëve të FSK-së ju janë bashkuar të gjitha komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë.

Nga 2000 pjesëtarë sa kemi aktualisht rreth 8 për qind prej tyre janë pjesëtarë të komuniteteve pakicë, përfshirë edhe serbët.

Mund të konfirmoj se, konkurrenca ka qenë e madhe për të qenë pjesëtar i FSK-së. Këtë e dëshmon edhe fakti se në konkursin e fundit për një vend kanë konkurruar 10 kandidatë.

Zëri: Deklaruat se ka pasur interesim të madh për të qenë pjesë e FSK-së. Madje është thënë se në konkursin e fundit të rekrutimit kanë konkurruar mbi 4 mijë kandidatë për 400 vende sa është kërkuar. Si ka shkuar mënyra e përzgjedhjes?

Mujota: Procesi dhe përzgjedhja e rekrutëve të rinj është zhvilluar me transparencë të plotë, në bazë të kritereve dhe standardeve të NATO-s, si dhe ligjeve dhe rregulloreve të brendshme të ministrisë së FSK-së.

Ne jemi të bindur se janë përzgjedhur më të mirët.

Zëri: Z. Ministër, t’i kthehemi pakëz, çështjes së armatosjes
së FSK-së?


FSK nuk ndërtohet me kallashnikov
Mujota: Sipas kushtetutës, FSK-ja është forcë profesionale, vullnetare, e uniformuar dhe e armatosur lehtë.

Pas deklarimit të kapaciteteve të para operative, po punojmë për arritjen e kapaciteteve të plota operative dhe po hyjmë në fazën e trajnimeve më të avancuara, që kërkojnë edhe pajisje dhe infrastrukturë të standardeve të NATO-s.

Jemi të bindur se në rrugën që po e nderojmë FSK-në nuk do të bëjmë asnjë herë hapa mbrapa, në të ardhmen, pra gjithçka po e ndërtojmë sipas standardeve të NATO-s përfshirë edhe armatimin.

Zëri: Nuk dëshironi që t’i përmendi llojet e armëve që i ka FSK-ja, megjithatë, a parashikohet që në të ardhmen, FSK t’i ketë edhe armët e rënda, sikurse helikopterë dhe avionë ushtarakë?

Mujota: Meqë ju po insistoni, mund t’ju konfirmoj se kallashnikovi nuk është armë e standardit të FSK-së, por janë standardi dhe lloji i armëve që i posedojnë ushtritë më moderne të shteteve anëtare të NATO-s.

Krahas ngritjes së kapaciteteve kadrovike, natyrisht se ekzistojnë planet edhe për blerje të pajisjeve të tjera, duke përfshirë edhe helikopterët.

Zëri: Kush e trajnon stafin e FSK dhe mbi çfarë standardesh po ndërtohet ky institucion?

Mujota: Kjo është përgjegjësi e NATO-s që po realizohet me sukses të plotë nga oficerët e KFOR-it dhe të FSK-së.

Për këtë qëllim një përkrahje shtesë vjen edhe si rezultat i marrëveshjeve bilaterale të bashkëpunimit, që tashmë i ka nënshkrua MFSK-ja me ministritë homologe të rajonit dhe më gjerë.

Sidoqoftë janë plane të koordinuara mirë në mes KFOR-it, NATO-s dhe FSK-së dhe gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur

Zëri: Po, z. Ministër, kur pritet të fillojë operacionalizimi i FSK-së për të qenë plotësisht ushtri e Kosovës?

Mujota: Në bazë të arritjeve të gjertanishme kemi planifikuar bashkërisht me Komandën e KFOR-it, që kapacitet e plota operative synojmë t’i arrijmë gjatë vitit 2012.

Zëri: Keni filluar gjithçka nga zeroja për ndërtimin e FSK-së. Por, në fillim ka pasur edhe pakënaqësi dhe kritika rreth shpërbërjes së TMK-së dhe sigurisht se kjo situatë ka pasur edhe sfidat e veta?

Mujota: Procesi i shpërbërjes së TMK-së ka qenë i vendosur para se unë të emërohem ministër i MFSK-së.

Ky proces është paraparë edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka qenë përgjegjësi ekskluzive e KFOR-it. Kjo tregon se të njëjtën kohë kanë ndodhur dy procese të ndara; shpërbërja e TMK-së dhe ngritja e FSK-së.

Mirëpo, ndjehem personalisht mirë për angazhimin dhe kontributin e dhënë në këtë proces.

Mendoj se suksesshëm ia kemi dalë të ndërtojmë nga fillimi Ministrinë dhe FSK-në me përkrahjen e fuqishme të Qeverisë dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës dhe këshilltarëve ndërkombëtarë të NATO-s.

Për këtë kemi marrë vlerësime të larta nga institucionet e vendit, qytetarët dhe të gjithë mekanizmat relevant ndërkombëtarë.

Zëri: FSK duhet të jetë një institucion i paanshëm. Thjesht sa ka përpjekje që të influencohet politika në dikasterin që drejtoni, apo ato janë të pashmangshme?

Mujota: Ne i dallojmë mirë pozitat politike nga ato profesionale. FSK-ja është forcë profesionale, e pa anshme, dhe po i përmbahemi këtij parimi.

Por, njëkohësisht ne kemi obligim t’i zbatojmë politikat e Qeverisë dhe ushtrojmë kontrollin civil – demokratik, sipas hierarkisë të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e FSK-së.

Zëri: Të flasim pak edhe për raportet që ekzistojnë ndërmjet lidershipit të FSK-së, respektivisht në mes oficerëve të lartë?

Mujota: Ju thashë, çdo gjë funksionon sipas hierarkisë së përcaktuar. Secili kryen detyrën e vet, kemi raporte të mira njerëzore, kolegiale dhe profesionale. Kjo tregon se ne kemi nisur rrugën e drejtë dhe po bëjmë punën e duhur për këtë.

Publikuar: 02.08.2010 | 12:54
Lexuar: 717 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime