Maqedonia e ndodhur në fqinjësi me Kosovën, nuk pati asnjëherë nevojë të ndiej ndonjë kanosje për tërësinë e saj territoriale, kurse shqiptarët e Maqedonisë edhe në këtë Ilinden, që po shënohet ndaras dhe me politika përçarëse, nuk e kanë ndërmend të plotësojnë dëshirat e Daçiqit për një ndarje të re mbi baza etnike. Maqedonia është atdhe edhe i shqiptarëve dhe ata nuk kanë nevojë të ndjekin modelin e serbëve të Bosnjës për të enklavizuar krenarinë e tyre kombëtare
Ilindeni, si shkas
Lindita SEJDIU
Në pamundësi për të mos tërhequr një vi ndarëse në mes të realitetit dhe të kaluarës së glorifikuar, politikanët gjithmonë janë munduar ngjarjet kombëtare ti shndërrojnë në festa politike. Se sa 2 gushti, e njohur si Kryengritja e Ilindenit, ka rrezik të shndërrohet në paradë politike, këtë do të duhej ta vlerësojë historiografia kritike shkencore, por edhe qarqet e mirëfillta intelektuale e akademike të këtushme. Ajo që bie në sy gjatë festimit të kësaj ngjarjeje historike, është ndarja që ajo krijon tek politikanët. Kur janë në pushtet, ata të gjithë i ke në Krushevë, kur i ke në opizitë nuk duken askund.
Por, një dilemë tjetër që lë shije të hidhur në opinion, është edhe festimi i dyfishtë i kësaj ngjarjeje. Mediet raportuan, se një manifestim lidhur me shënimin e kësaj date historike u mbajt edhe në Bullgari. Dhjetëra shoqata bullgare të kryesuara nga partia parlamentare VMRO-BND organizuan një manifestim solemn para përmendores Ilindenët në qytetin bullgar Bllagoevgrad.
Festa u shënua me transparentët Maqedonia është bullgare, Mos na grabisni historinë dhe pankarta të tjera. Manifestimet në Bullgari janë mbështetur edhe nga ministria e Diasporës.
Edhe kësaj radhe nuk munguan pretendimet bullgare ndaj tokës, që sot quhet Maqedoni. Kryetari i partisë bullgare VMRO-BND, Krasimir Karakaçanov ka përsëritur qëndrimin e tij, se Maqedonia është tokë bullgare. Ai është habitur nga mediet maqedonase dhe maqedonasit, të cilët janë shokuar nga diçka që është fakt dhe realitet.
Secili bullgar, që nuk është i ngarkuar me disa budallallëqe për Aleksandrin e Madh, apo për kombin antik maqedonas, është normale në Bullgarinë e lirë, Maqedoninë ta vlerësojë si pjesë të Bullgarisë, ka theksuar Karakaçanov.
Ai disa herë ka theksuar se, popullata duhet të largohet nga nxitjet proserbe dhe njëherë e përgjithmonë hapur të flitet për identitet të vërtetë. Ai vlerëson si fakt të vërtetë se Maqedonia është një vend i populluar vetëm me popullsi bullgare dhe shqiptare, si dhe pakicat e tjera.
Si duket këto dhe deklarata të ngjashme e kanë nxitur kryeministrin Gruevski të deklarojë se çështja maqedonase akoma nuk është mbyllur përfundimisht, të paktën jo në mendjet e disa individëve të caktuar, të cilët kanë fuqi të bllokojnë dhe shantazhojnë. Në këtë drejtim, patjetër duhet të jemi të vëmendshëm, ka shtuar ai.
A është e mundur që një histori të njëtë ta shkruajnë dy popuj të ndryshëm. Derisa të japin përgjigje për këtë shkencëtarët, neve na ngelë të kërkojmë hapësirë për mendjet e arsyeshme, sidomos për ato mendje që nuk duan të krijojnë ndasi dhe izolime në këtë erë të re të integrimeve.
Një përgjigje tjetër që duhet të jepet në këtë kontekst kohor e hapësinor, është gjithësesi edhe nevoja për tu ballafaquar me realitetin e ri, të krijuar pas pavarësimit të Kosovës dhe faktorizimi i këtij shteti të ri në kontekstin ballkanik e më gjerë. Maqedonia, e ndodhur në fqinjësi me Kosovën, nuk pati asnjëherë nevojë të ndiej ndonjë kanosje për tërësinë e saj territoriale, kurse shqiptarët e Maqedonisë edhe në këtë Ilinden që po shënohet ndaras dhe me politika përçarëse, nuk e kanë ndërmend të plotësojnë dëshirat e Daçiqit për një ndarje të re mbi baza etnike. Maqedonia është atdhe edhe i shqiptarëve dhe ata nuk kanë nevojë të ndjekin modelin e serbëve të Bosnjës për të enklavizuar krenarinë e tyre kombëtare. Fundja, krenaria kombëtare nuk mund të futet në inkubatorët e politikës dhe prej saj të bëhen eksperimente nga më të çoroditurat.