E kap veten gafil me sytë te macja dhe bashkë me mua dhe plaku. Si erdhën në histori? Nga ishin? Plaku as më ndjek fare sepse nuk i ngjall ndonjë interes të veçantë në morinë e atyre qindrave njerëzve, që kanë ardhur në këtë vend. Hap diktofonin: Kishin blegtori. Shumë toka dhe jo vetëm këtu por edhe në Dropull dhe Delvinë.
Shkruan :
Ben Andoni
Nëse nuk e ke parë shtëpinë e Zekatëve, atëherë të falet të thuash se nuk ishe fare në Gjirokastër. Në rast të kundërt, ti vërtetë e ke parë apo shijuar Qytetin e Gurit. Gjirokastra ka të gjithë fatin, që i mungon qyteteve të tjera shqiptare, ku vizioni i ngushtë kombëtar për sa i përket ndërtimit të shtëpive, duket fare açik. Aq e vërtetë është kjo, saqë Gjirokastrës, i rrinë fare të vogla edhe bëmat që kanë treguar për të. Kryesisht ato të Ismail Kadaresë, i cili e ndërkombëtarizoi me Kronikën në Gur.
...
Nuk ka sesi të ketë ndonjë imazh të Beqir Zekos. Kuptohet jo për faktin se atëherë sishte shpikur fotografia, por shqiptarët se kanë pasur aq shumë qejf imazhin. Nga i fundmi i Zekatëve, që banon sot në kryeshtëpinë e Palortos, mund të heqësh ndonjë parabolë të largët antropologjike. Vërtetë, si mund të kenë qenë vallë Zekatët e parë? I tregojnë punëtorë. Të mbledhur. Të kujdesshëm për punët e tyre. Si biçim hebrenjsh, në kuptim shqiptar. Jo më kot, për këtë të fundit një artikullshkrues hoqi një linjë shumë interesante pak kohë më parë. Por, vetëm kaq.
Ky që kemi përballë, në këto ditë të fundit qershor, këtij imazhi i afrohet vetëm me ngjyrën e lëkurës. Rruzhdi Zeko, 80 vjeçar, ka një fytyrë ngjyrë gruri, e cila i buzëqesh me vështirësi pranisë sonë. Duhet të jetë mërzitur pafund në kohë me pyetjet, sepse të gjithave u përgjigjet shkurtazi. Prerë. Kuptohet kur afrohet Sadi Petrela, një nga frymëzuesit e Organizatës për Zhvillimin dhe Ruajtjen e Gjirokastrës, gjërat ndryshojnë. Burri bëhet më miqësor dhe disi më i hapur. Falë tij është marrë mbështetje për shtëpinë e Zekatëve dhe për ëndrrën. Asgjë e veçantë...I fundmi hesht dhe hesht. Bën interesantin. Duhet të arratisem sërish në libra. Mbase aty do të gjej, ndonjë gjë më të saktë. Ndërkohë, Eda, pedagogia shqiptare në Ilinois, është mrekulluar dhe më nguc të futemi në shtëpi...
Zekati... i fundit
Në fakt squhet mrekulli, kjo që ka bërë tashmë Sadi Petrela dhe një grup multinacional, që është duke punuar në kuadër të një shoqate, e cila ndihmon për punë të ndryshme që lidhen me qytetin. Mrekullia e vërtetë ka qenë plan-projekti i atij grupi ndërtuesish ose ndërtuesi, që kurrë sdo ua mësojmë emrat. Të ketë qenë vallë Petro Korçari? Kështu thonë. Për këtë të fundit, madje, konstruktorin e kështjellave të Tepelenës dhe Gjirokastrës, nuk mbarojnë legjendat. Nëse vërtetë ka qenë i tillë, atëherë mjeshtëria e ndërtimit të kësaj shtëpie e përshfaq tamam.
Organizimi, ku punon Sadi, ka bërë ndërhyrje interesante, duke restauruar me emergjencë çatinë por edhe e ka pajisur shtëpinë. Ata e quajnë si detyrim, me modesti, kurse të tjerëve u kanë treguar sesi mund të funksionojnë njerëzit që u pëlqen gjëja që bëjnë. Falë tij jemi te Zekatët. Pa u ngutur ende për në shtëpi, dua të nxjerr edhe pak fjalë nga plaku, që më shikon shumë sqimatar. Nga pas, i rri ajo gruaja e re 45 vjeçare, për të cilën shoqëruesi ynë na e prezantoi si pinjollen e vërtetë të Zekatëve. Deri një farë kohe, qoftë plaku dhe ajo, smë kanë ngjallur asgjë. Legjenda është e vdekur me ta. Gruaja u ngjit me ne në makinë, e në fund ndërroi gjirokastritëshe një muhabet jo celulari me një fqinje, sak si qëmoti. I ati dhe ëma e saj kanë këtë shtëpi të madhe, ndërsa ajo me të shoqin jetojnë aty. Kjo është e gjithë katandia humane e këtij fisi sot.
Zekatët e kanë braktisur atë hyrjen drejt shtëpisë, që është në veri të qytetit dhe tash të gjithë duhet të vinë nga një portëzë e vogël por impozante e shtëpisë së vogël. Në këtë vend kanë banuar edhe në kohë të Enver Hoxhës kur njerëzit e atëhershëm të monumenteve i përcollën me pahir, këtu ku janë dhe tashti që u është kthyer prona. Gruaja, gjithsesi, na ka bërë rrugë. Është simpatike por pak e shkujdesur. Nuk do duket më ose më qartë është krejt indiferente. Ne kemi fatin se jemi me Sadin. Prania e tij do të thotë që në derë të shfaqej edhe Burri. Del, por ngutet. Do të shikojë ndeshjet e Kampionatit Botëror. Mezi bindet për të folur. Ulemi në një tavolinë në pjesën e parme të banesës, ku si në një tavernë kemi qytetin. Prej kohës, kushdo që vjen tek Zekatët, duhet të vijë nga porta jugore e shtëpisë dhe që aty të kalojë dhe pastaj përmes një porte tjetër, ku mund tu ngjitet Zekatëve të legjendës. Mbaj pak kokën aty se dua të mbaroj shpejt punë me plakun. Por, ai del më i shtruar sesa mendimi im. Eda më nguc që andej dhe padurimin e saj të lindur për të bukurën e zgjidh teksa ndjek në fokus një mace të vogël...
Zekatët
E kap veten gafil me sytë te macja dhe bashkë me mua dhe plaku. Si erdhën në histori? Nga ishin? Plaku as më ndjek fare sepse nuk i ngjall ndonjë interes të veçantë në morinë e atyre qindrave njerëzve, që kanë ardhur në këtë vend. Hap diktofonin: Kishin blegtori. Shumë toka dhe jo vetëm këtu por edhe në Dropull dhe Delvinë. A ishin hebrenj?-i them. Shqiptarë janë. Pse çfarë janë turq
Shqiptarë janë.
Më flit pak për Zekatët, i lutem. Çtë them?! Ka Zekatë plot në Tiranë, pa ka dhe në Durrës. Unë vetë jam rritur këtu. Kam dy motra të gjalla, djem të xhaxhait në Tiranë, pastaj njerëz në Durrës dhe në Itali. Si pendët e korbit, jemi ndarë. Jemi fis i madh.
Pse e bënë shtëpinë kaq të madhe? Se ishin të mëdhenj. Jetonin pak në fillim dhe u rritëm pastaj
Këtu ka stere brenda, që përdorej për të larë dhe që pastrohej çdo vit. Nuk e di se ku e ka marrë modelin e shtëpisë, por atëherë kishte dhe një portë tjetër. Ne, tashti e kemi mbyllur portën aty dhe ka mbetur vetëm kjo portë. Ka pasur shumë oferta nga Greqia
Ne I thamë që nuk e shesim dhe nuk e shesim. Jo vetëm që ka vlera që njeri nuk i paguan dot por duhen mbledhur shumë njerëz nga Zekatët për të rënë në ujdi.
Zekatët, me kohë, u ndanë në dy kanale. Ishin Zekatat e poshtëm nga të cilët rridhte dhe e ëma e Enver Hoxhës dhe këta të sipërmit. Zekatët, pas një kohe kur filluan të ikin më shumë larg origjinës edhe bënë krushqi me ata poshtë për shkak se nuk e donin pasurinë jashtë. Ata, vetë, martoheshin me të pasurit e qytetit Gjebreajt, Zekatët etj...Edhe një nga motrat e tij është e martuar me Zekatët poshtë. Këta të fundit su eci aq mirë. Patën të burgosur dhe shumë probleme me regjimin. Plaku vazhdon nanuritjen: Zekatët kanë qenë me shumë profesione në kohën e Enverit. Ka pasur llogaritarë , njerëz me përgjegjësi, punëtorë. Ndaj e dua shtëpinë dhe po punoj me paratë e mbledhura dhe me ato që kam. Për fat, nipër dhe mbesa kemi plot
Kanë jetë Zekatët, më thotë. Pse e zgjidhët kështu shtëpinë, e pyes. Çfarë ke dëgjuar nga babai, gjyshi?
Donin të tregonin që ne jemi të parët. Kjo është kala dhe mikrovala. Kjo ka pasur fortesë nga të gjitha anët. Ka qenë e mbrojtur me mure të larta dhe ska nevojë, sguxoje ti afroheshe. Zekatët ditën të menaxhonin si duhet pronat e tyre. Me regjimin nuk u përzjenë dhe ulën kokën, kur ai e ktheu shtëpinë kala në monument kulture. Kadare do e përjetësonte në një nga shkrimet e tij, kurse ata vetë do vazhdonin jetën pa u ndjerë. Kishin kuptuar dhe këtë e dinë mirë dhe sot, që nuk ia vlente të bësh zhurmë me shtetin. Ia vlen të jetosh. Shtëpia mori vlerë në kohën e demokracisë, kur atyre ia kthyen si pronësi. Kurse hyrja në UNESCO e qytetit më 2005 do të bënte që shtëpia të merrte sërish vlerë. Falë menaxhimit të mirë kanë rregulluar çatinë, kanë blinduar grilat dhe organizata e Sadit ka ofruar dhe qilimat sipër. Këta në ndihmojnë
, më thotë.
Si ishin me të tjerët, e pyes sërish. I pyesnin Zekatët si oxhak i madh? Jo askush. Ata shikonin tymin e tyre. Jo, nuk i pyesnin sepse këta pleqtë tanë më shumë sishin këtu sesa ishin. Njëri vdiq në Elbasan, njëri në Lushnje, tjetri në Durrës. Eda me Sadin po shfaqin bezdi nga tutje dhe kjo përkthehet se duhet të shkoj. I marr leje plakut dhe e lë të shikojë ndeshjen. Ne përshkojmë shtëpinë poshtë dhe hyjmë tek Zekatët e vërtetë. Ke një ndjesi të vërtetë Gjirokastre, në këmbët e harqeve të saj. Gur. Hark. Paradoks. Sadi e kap gabim vështrimin. Po të lexosh nëpër shkrime do kuptosh se shtëpitë gjirokastrite kishin shkëmbime zjarri dhe kishin thjesht armiqësi të vogla pa qeder. Më shumë për prestigj. Ndaj janë këto struktura si fortesa. Duhet të ngjitemi. Eda ka filluar nga puna.
Sadi
Sadi na prin. Ish gazetari mundohet që të jetë i përpiktë dhe i saktë në të gjithë filozofinë e punës së tij. Qëllimi dhe filozofia e ruajtjes së shtëpisë është jo vetëm restaurimi, rivitalizimi por edhe të bëhet funksionale. Tashmë nuk jetohet këtu sepse dyqind vjet më vonë është vështirë të bëhen përshtatje. Tani që flasim jemi në rrugë e sipër dhe modeli i Zekatëve po bëhet si modeli më i spikatur për shtëpinë gjirokastrite. Nga ana tjetër edhe familja ndjen një benenefic. Problemi më i madh këtu dhe kudo mbetet pronësia shumë e ngatërruar. Duhet të bien dakord 70 veta dhe ata janë në vende të ndryshme të botës, ndaj investimi është thjesht për ta shpëtuar Rescue intervention me një shumë prej 200.000-300.000 USD. Këtë po mundohemi të bëjmë dhe me Babameton. Tashmë është liruar dhe bën me qejf dhe punën e ciceronit. Ngjitemi në shkallë. Dikur ka qenë stere poshtë. Mbi steren mblidheshin ushqimet sepse është vend i freskët dhe aty mbanin gjërat e shtëpisë.
Ka qenë një hapësirë tjetër dhe ishte dhe kuzhina dhe rrinin gratë
Stera ishte e tillë saqë përdorej nga e gjithë lagjja dhe i ndihmonin të gjithë banorët
Do shikoni se shtëpia i kish të gjitha elementët. Kjo dhomë në këtë kat përdorej më shumë nga gratë e shtëpisë. Gjërat e gatimit vendoseshin këtu. Një derë e fshehtë druri të çon në një si depo për ushqim. Ajo mbahej freskët nga freskia prej ujit të cisternës poshtë. Ndërsa një e dytë, një dhomë më e vogël sekrete ishte për gjërat më të domosdoshme. Thuhet se aty mund të futeshin dhe ata që mund të kërkoheshin nga autoritetet. Eda fillon bën hulumtimin, por shpjegimi konkret i Sadit nuk ia mbush shumë syrin. Shkëputet. Eda më tregon një element, që ka lidhje me një nga oxhaqet. Sadi shtyhet më andej dhe duhet të jetë duke i shpjeguar diçka Naimit. Janë një kat më sipër. I ndjej hapat nga sipër dhe kjo është e vetmja gjë, e cila më sjell atë kohë. Më vjen ndërmënd se duhet vetëm 1,5 Euro për tu futur dhe pak hapa, që ti ndjesh Zekatët e Qëmotit. Ka ende punë që kjo shtëpi të jetë muze dhe megjithë punën, duket se mungon tërheqja e gjallë ndaj këtij ambienti.
Nëpër shtëpi
Në këtë ambient, ndërpritemi shpesh me Edën dhe ngelemi nëpër detaje. Aparati im ka dështuar. I saji duket krejt aktiv me lentet gjysmë-profesionale. Në Literaturë besohet se shtëpia e Zekatëve u ndërtua në mes të vitit 1811 dhe 1812, koha që përkonte me përpjekjen e Ali Pashës për të zmadhuar Kështjellën. Ajo u ndërtua për njërin nga qytetarët më të pasur të qytetit Beqir Zekos, që ishte një llogaritar në kohën e Aliut. Ai e konceptoi shtëpinë për dy të bijtë e tij, Mustafën dhe Feimin. Sipas historianit të arkitekturës popullore, Profesor Emin Rizës shtëpia e Zekatëve ska të dytë në të gjithë rajonin e Ballkanit për madhësinë dhe pasurinë e saj arkitektonike. Pas 150 vjetësh, që Zekatët ndërtuan sagën e tyre, shtëpia e stërmadhe është kapur nga ana e shtetit komunist dhe familja lëvizi drejt një shtesë, shumë më te vogël, një konstruksion që quhej odëjashta që ishte përdorur gjer atëherë për të mikpritur miqtë dhe shërbëtorët e të zotit të shtëpisë.
Zekatët, si gjithmonë, u përshtatën. Kapën me instikt filozofinë e jetës. Më mirë të heshtësh dhe ta kesh mirë me shtetin. Në këtë shtëpi të vogël, ku jetojnë dhe sot ose si njihej odëjashta ata ndoqën fatin e ri të ndërtesës. Shtëpia e Zekatëve u quajt monument kulture nga regjimi komunist. Durimi iu shpërblye sepse iu është kthyer pronësia private në Demokraci dhe falë ndihmës dhe mundësive të tyre ata rregulluan çatitë me ndihmën e Organizatës për Zhvillimin dhe Konservimin e Gjirokastrës. Këtu ku sheh ndeshjen plaku, duket se ishte destini përfundimtar i Zekatëve. Ani, sot ende ska shumë erë. Hyrja e parë me derën aq të mrekullueshme i lë vend një korridori më të ulët. Në të djathtë të derës është cisterna kryesore për të tërhequr ujin. Statusi i shtëpisë gjirokastrite lidhej me kapacitetin e cisternës. Një shtëpi që kishte ujë deri në vjeshtë pas verave të thata quhej e pajisur mirë. Cisterna ushqehej me shiun dhe mbushej përmes një sistemi të gjithë ulluqesh përgjatë çatisë. Shirat e para pastronin pisllëqet e mbledhura dhe pastaj dhe përshtatej tubi, i cili mbushte cisternën. Në të majtë ishte një dhomë me kube dhomë depo që mund të mbante ndoshta pajisjet e mullirit. Në shkurt të vitit 1662, kur Çelebiu do të mbërrinte në Shqipëri, do të mrekullohej nga zakonet e vendasve, por atëherë kjo shtëpi ende sishte bërë...
Konstruksioni
Shtëpia e Zekatëve paraqet kullën tipike të fortifikuar në ndërtim-dy kulla anësore ndërtuar në lartësi të ndryshme për të përshtatur rrëpirën graduale, lidhur me një bllok qendror. Konstruksioni formonte dy pjesë të shquara, ku kati i poshtëm i gurtë kulmonte me një galeri druri me disa dhoma të mëdha në shtëpi për familjen e zgjeruar. Ndarja tipike otomane e banesës për femra (haremlik) dhe meshkuj (selamlik) nuk është prezente këtu. Por në fakt shtëpia gjirokastrite skishte ndarje.
Muret prej guri janë gati një metër të trashë në bazën e shtëpisë dhe janë të ngjitura me llaçin për gurin gëlqeror. Në fugatura ka futjen e elementit të drurit për ti dhënë shtëpisë fleksibilitetin në ngjarjet e ndonjë tërmeti. Por gjërat më të jashtëzakonshme në këtë vend janë harqet e larta mbi kolona, në një strukturë që quhej kamarie që kishte funksion të dyfishtë jo vetëm për shfaqjen estetike por edhe për nevojën arkitektonike që të mbante peshën e dhomave nga sipër. Ajo ka dhe tiparin kryesor të gjithë shtëpive gjirokastrite, që janë çatitë me rasa guri. Rasat e gurit vinin nga Mali i Gjerë dhe krijoheshin për të mbajtur çatitë ku shynte shiu dhe që e mbanin shtëpinë...I sillnin argatët apo kushedi se kush. Këtë askush nuk e thotë dot...
Kati i parë
Jemi ndarë të katër nëpër shtëpi. Në majë të shkallëve është divani i ulët apo dhoma për miqtë. Kjo ishte një dhomë me përdorim të gjithanshëm apo hapësirë me një seksion të lehtë që kulmon në një cep, ku duhet të uleshin personat e rëndësishëm. Por një kat më sipër, ka dy dhoma që të drejtojnë jashtë një salle (divani) qendror. Këto kishin qëllimin që të mbanin veç dhe të patrazuar dy degët e familjes. Ato janë dhoma dimri, të pozicionuara këndshëm në seksionin e gurtë të qytetit dhe secila kishte një tualet të vogël dhe një nga ato madje edhe hamam që ngrohej nga tymi i oxhakut së dhomës ngjitur. Divane të ulëta janë nga të tre anët dhe dollape janë të vendosura në muret. Në një fund është musandra, bashkë me një raft të madh, gati për të mbajtur rroba, dyshekë dhe gjëra të tjera fjetje.
Musandra, po ashtu, fsheh një shkallë të vogël, e cila të dërgon në një galeri të vogël që shikon mbi çdo dhomë. Flitej se në kohë mbledhjesh të rëndësishme aty mund të rrinin gratë dhe fëmijët dhe të shikonin. Aty formoheshin fëmijët me problemet e para të jetës, ky është shpjegim specifik i Sadit, që shpesh nuk ia ndaj dot shakanë me realitetin. Një kat më sipër është një hapësirë në formë galerie prej druri dhe divani i katit të tretë është tejet i madh duke na ofruar një pamje të jashtëzakonshme tërheqëse të gjithë qytetit dhe gjithë luginës. Më i madhi i familjes dhe miku më i rëndësishëm, në kohë të përshtatshme, uleshin këtu në një si podium të ngritur duke pirë kafe dhe pirë duhan. Sadi shton që andej Zekati i parë ndiqte argatët me dylbi sesi punonin. Nga përreth, muret ishin të veshura me listela druri, ngjitur me një pjesë speciale prodhuar nga gëlqere e vjetër, qime dhie, e bardhë vezësh, rërë e pastër përzierë me kashtë. Dhoma më e madhe e pritjes që ishte e vendosur këtu shoqërohej dhe me dy dhoma më të vogla. Më vonë ishin dhomat e verës që vazhdonin modelin e dhomave në katin poshtë.
Të tjera
Këtë shtëpi, që mundohem ta ndjek me ato që kam ndjekur në lexime dhe përmes ciceronit tonë, të ngjall më shumë interes studimi se mahnitje. Duket sikur nuk ka lidhje me mjedisin shqiptar. Në këtë hapësirë ku jemi dhe që tash jemi bërë të katër është dhoma kryesore e pritjes. E stërmadhe dhe e realizuar me dekoracione të ndryshme, ajo përdorej për rastet më të rëndësishme të tilla si dasmat apo kremtimet. Afresket e frutave luleve, që janë tipike në të ashtuquajturën Era tulipane në arkitekturën otomane, gjatë shekullit të XVIII, këtu janë realitet në muret e shtëpisë. Kjo i jepte një imazh simbolik kuptimit për shëndetin, pasurinë dhe vetë bollëkun e shtëpisë. Kudo të shoqërojnë elementë të kujdeshëm druri, ku ndjehet stili arkaik otoman dhe elementët karakteristikë të drurit gjendeshin përgjatë kudo mureve me tema floreale.
Dritaret me forma hënore me xhamat shumëngjyrëshe thuhej se vinin nga Venediku dhe duken të mjaftueshme për dekorimin e shtëpisë, thuhet në literaturë. Një galeri tjetër ka musandrat që mbulonin hyrjen e derës dhe tualetin shtesë. I kërkoj një foto Edës, ndërsa ajo vazhdon e ngulur në planet e saj. Ia çmoj shumë përqendrimin dhe pavarësinë në punë...Por...Sadi dhe Naimi na ngucin tashmë të ikim. Sadi në zbritje na shpjegon për tre kopshtet e shtëpisë. Te kopshti i dytë futeshe përmes një dere me një krah që rrethonte kopshtin në shtëpinë qendrore. Kopshti i tretë gjendej në fund të veriut.... Plaku ka dalë dhe na pret në shtëpinë poshtë. Ka mbaruar pjesa e parë e ndeshjes Itali-Sllavaki. Plaku na bën komentet...Nga pas vjen vajza, që një moment kam dashur të kap hiret femërore të Zekatëve, dhe hedh një qese me plehra tutje...Bashkë me atë që hedh më ikin mendimet e jashtëzakonshme për Zekatët. Plaku vazhdon të negociojë për një ndërhyrje të re në shtëpi. Sadi i kërkon të jetë i qartë.
...
Të qartë jemi dhe unë me Edën, por mua ende smë ka ikur nga mëndja gruaja me plehrat. Zekatët më janë futur sërish në ndonjë zgavër të panjohur të trurit. Eda është e ngazëllyer. Gëzimin dhe mirësinë na e përcjell të gjithëve. Ikim. Pleqtë dhe vajza-mësuese mbetet pas. Dy pijanecë ankohen për Italinë. I shpëtoj makinë-zënies. Është vera e vitit 2010.
Reportazhi u konsultua me literaturën teknike të specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe doracakun përgatitur nga Organizata për Zhvillimin dhe Ruajtjen (Konservimin) e Gjirokastrës.(mapo)