Unë e di himnin e Italisë, por nuk do ta këndoj. Mbetet tash te unë dhe Balotelli që t'ua ndërrojmë mendjen njerëzve. Synimi im është që të qëndrojë me fanellën e Italisë sa më gjatë që të jetë e mundur.
Braziliani Carvalho Amauri nuk e ka ndërmend të këndojë himnin e Italisë nëse debuton me Përfaqësuesen e këtij vendi të martën. Sulmuesi 30-vjeçar në vend të këndimit të himnit synon t'i tregojë vlerat e tij në fushën e blertë, duke i heshtur kështu kritikët që ishin kundër përfshirjes së tij në përfaqësuese.
Futbollisti i Juventusit, Amauri, është përfshirë në listën e Italisë për miqësoren e së martës që skuadra e luan kundër Bregut të Fildishtë në Londër.
Një politikan italian i krahut të djathtë kritikoi ashpër ftesën për futbollistët e natyralizuar. Mario Balotelli që ka lindur në Itali, por është me rrënjë nga Gana, po ashtu është ftuar në përfaqësuese. Për të dy këta do të jetë hera e parë që do të luajnë për "azzurët".
"Unë e di himnin e Italisë, por nuk do ta këndoj. Mbetet tash te unë dhe Balotelli që t'ua ndërrojmë mendjen njerëzve. Synimi im është që të qëndrojë me fanellën e Italisë sa më gjatë që të jetë e mundur. Ndoshta do të jem pjesë e kësaj përfaqësueseje edhe në Botërorin 2014 në Brazil. Nëse shënoj gol kundër Brazilit do të festoj pa kurrfarë problemi", ka thënë Amauri, shkruan gazeta italiane "La Gazzetta dello Sport".
Amauri mori shtetësinë e Italisë në prill të këtij viti. Ai ishte opsion për t'u ftuar në përfaqësuesen e Brazilit vitin e kaluar.
Trajneri i ri i Italisë, Prandelli, njëherësh në përfaqësuese ka kthyer edhe yllin italian të Sampdorias, Antonio Cassanon.
"Nëse ai është në gjendje të tregojë veten, atëherë aventura me përfaqësuese për të do të jetë e gjatë", ka thënë Prandelli.