Mbi njëzet amvise nga Gostivari e rrethina, patën mundësinë që ti dëshmojnë shkathtësitë e tyre në përgatitjen e piteve në këtë manifestim i cili pati edhe karakter garues. Komisioni i përbërë nga Shemije Elezi, Ramije Muça dhe Herolinda Aliu shpalli fituese Nadije Hebibin e cila kishte përgatitur petulica në mënyrë tradicionale.
Në manifestimin Dita e piteve i cili sivjet mbahet për herë të parë, por me synim që i njëjti të bëhet tradicional, u promovuan pite të llojllojshme, petulla, fli në saç, byrek dhe ushqime tjera nga sofra tradicionale gostivarase.
Mbi njëzet amvise nga Gostivari e rrethina, patën mundësinë që ti dëshmojnë shkathtësitë e tyre në përgatitjen e piteve në këtë manifestim i cili pati edhe karakter garues. Komisioni i përbërë nga Shemije Elezi, Ramije Muça dhe Herolinda Aliu shpalli fituese Nadije Hebibin e cila kishte përgatitur petulica në mënyrë tradicionale.
Dita e piteve u organizua nga Zyra për implementimin e projekteve në bashkëpunim me Lidhjen e gruas shqiptare, ndërsa financiarisht u mbështet nga Komuna e Gostivarit.
Ky manifestim dëshmon se Gostivari është një qytet modern i cili di të kultivojë traditën. Komuna e Gostivarit, do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat joqeveritare dhe ti mbështesë ato në misionin e tyre, gjithmonë kur ato kanë ide dhe vullnet për të bërë diçka të mirë për komunitetin. Le të jetë motoja e këtij manifestimi bukë, kripë e zemër, tha Nita Kaprolli nga Zyra për implementim të projekteve.
Në emër të Lidhjes së Gruas Shqiptare foli Lazime Ejupi e cila falënderoi kryetarin e komunës për mbështetjen e evenimenteve të këtilla ku promovohen tradita dhe vlerat kombëtare.
Qytetarët e pranishëm, në mes të cilëve edhe kryetari i komunës prof.dr Rufi Osmani dhe kryetari i këshillit dr. Fadil Zendeli, shijuan specialitetet e përgatitura nga amviset dhe gastronomët e Gostivarit me rrethinë.
Manifestimi Dita e piteve u përcoll me një program të pasur kulturor dhe zbavitës. Ansambli Besa, shoqëritë Jahi Hasani, Lulet e Malësisë dhe Goca e Tivarit zbavitën të pranishmit me pika muzikore nga folklori shqiptar, ndërsa me muzikë të lehtë të pranishmit i argëtuan grupi XXL Band.
Përveç karakterit promovues, garues dhe zbavitës, ky manifestim kishte edhe karakter humanitar. Mjetet e grumbulluara vullnetarisht nga ana e qytetarëve do të shkojnë për fëmijët e dëshmorëve të flamurit.
Zyra për implementim të projekteve pranë Komunës së Gostivarit, falënderon të gjithë ata të cilët dhanë kontributin e tyre për mbarëvajtjen e këtij evenimenti.