Denoncimi i këtij rasti të paprecedent është bërë nga një mësues i shkollës, i cili ka informuar gazetarët lokalë në mënyrë private për pushtimin e shkollës nga adoleshentë e të rinj emigrantë, të cilët sipas tij, në mungesë të ambienteve argëtuese siç mund t'i kenë në Greqi, i janë vërsulur shkollës duke ia marrë pa "asnjë qira" ambientet, e duke ia shndërruar në "bordello", me gjuhë popullore.
Ermir Hoxha
9-vjeçarja e komunës Aliko merret në "përdorim" për qejfe moshe nga adoleshentë e të rinj fshati
Shkolla 9-vjeçare në komunën Aliko të rrethit të Sarandës ka vijuar të funksionojë këto ditë vere, por jo për atë që është ndërtuar: mësidhënien, edukimin. Një grup adoleshentësh e të rinjsh të fshatit, emigrantë në Greqi, e kanë shndërruar "strehën e dijes", në strehë pasionesh e vrundujsh moshe, duke u dhënë klasave dhe kabineteve të shkollës disa statuse, si: disko, lokal, motel etj.
Denoncimi i këtij rasti të paprecedent është bërë nga një mësues i shkollës, i cili ka informuar gazetarët lokalë në mënyrë private për pushtimin e shkollës nga adoleshentë e të rinj emigrantë, të cilët sipas tij, në mungesë të ambienteve argëtuese siç mund t'i kenë në Greqi, i janë vërsulur shkollës duke ia marrë pa "asnjë qira" ambientet, e duke ia shndërruar në "bordello", me gjuhë popullore.
Askush nuk i ka penguar në këtë projekt, të cilin e kanë zbatuar pa asnjë problem duke çarë murin nga prapa shkollës për t`u futur aty apo dhe duke shqyer dyert e dritaret. Ambienteve ku përnatshëm këndellen e shpërthejnë instiktet e moshës, gjen shishe birre, paketa e bishta cigaresh, prezervativë e ashiqare, dyshekë të shtruar nga vetë ata, për motive lehtësisht të kuptueshme.
Mësohet se një gjë e tillë ka rreth 10-15 ditë që ndodh, ndërkohë që të rinjtë futen në shkollë pas perëndimit të diellit e përkatësisht pas orës 19:00-20:00. Mësohet se të rinjtë të përfshirë në këtë veprim njihen me njëri-tjetrin e si rrjedhojë organizojnë edhe këto "festa" brenda në ambientet e shkollës.
Reagimet
Dhimitër Kore, drejtor i shkollës 9-vjeçare të Çukës, që ka në varësi dhe drejtimin e shkollës së Alikos, tha se ishte e rëndë ajo që kishte ndodhur. Ai ngarkoi me përgjegjësi komunën, duke thënë se që aty duhet të sigurohej një fond për të paguar një roje për shkollën.
Por nga kryekomunari Ilia Thanasi erdhi reagimi se nuk ishte e mundur sigurimi i një financimi për ta ruajtur shkollën me një njeri, por ia ngarkoi përgjegjësinë strukturave të rendit, që nuk kishin mundur ta pikasnin një fenomen të tillë. Sipas tij, ngjarja e dhunimit të shkollës dhe e shfrytëzimit të saj për argëtim e qejfe, ishte një vepër penale që duhej ndëshkuar penalisht.
Policia
Strukturat e rendit janë njoftuar menjëherë nga Drejtoresha e Zyrës Arsimore Sarandë, Lina Vaso, sapo kjo e fundit është njoftuar për precedentin e rëndë. Uniformat blu ishin në vendngjarje dhe dokumentuan rastin për ta përfshirë në procedurë hetimore.
Vaso kërkoi menjëherë gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale. Për drejtuesit e Arsimit në Sarandë kjo ngjarje është mjaft e rëndë, sidomos për një rreth ku është dalluar për standarde të larta në insfrastukturë e nivel arsimor.
Lidhur me këtë fakt shefi i komisariatit të Sarandës, Besim Palamani, shprehet se policia shkoi në vendngjarje dhe nuk u konstatua asnjë lloj dëmtimi. Sipas tij, janë thjesht disa fëmijë që kanë hyrë në palestrën e shkollës për të luajtur, ndërkohë që palestra prej vitesh është jashtë funksionit.
Po sipas shefit të komisariatit një pjesë e shtëpive të këtij fshati minoritar janë të pabanuara. "Nuk kemi filluar asnjë procedim penal, pasi nuk plotësoheshin kushtet. Shkolla nuk ka asnjë dëmtim," deklaroi Palamani, duke përmbyllur se gjithçka ishte një konflikt mes drejtorit të shkollës dhe kreut të komunës për një investim në palestër dhe për vendosjen e një rojeje në shkollë.