Përfaqësuesit e PDU-së i paraqitën Kryeministrit Berisha programin dhe aktivitetet e kryera nga PDU që nga formimi i saj. Ata informuan gjithashtu edhe për përpjekjet që po bëjnë për sensibilizimin dhe zgjidhjen e problemit të çamëve, duke e konsideruar atë si çështje e të drejtave të njeriut, ku problemi i pronës është konform të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.
- Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), Shpëtim Idrizi dhe deputetin tjetër të kësaj partie, Dashamir Tahiri -
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot i hapur për të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e komunitetit çam, pa asnjë lloj diskriminimi në administratën shqiptare.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), Shpëtim Idrizi, dhe deputetin tjetër të kësaj partie, Dashamir Tahiri.
Përfaqësuesit e PDU-së i paraqitën Kryeministrit Berisha programin dhe aktivitetet e kryera nga PDU që nga formimi i saj. Ata informuan gjithashtu edhe për përpjekjet që po bëjnë për sensibilizimin dhe zgjidhjen e problemit të çamëve, duke e konsideruar atë si çështje e të drejtave të njeriut, ku problemi i pronës është konform të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi qëndrimin e PDU-së në Parlament në mbështetje të maxhorancës. Maxhoranca, tha kryeministri, i përmbahet parimit se "sot ideali më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian , i integrimit të shqiptarëve në Evropë dhe i trajtimit të të gjitha problemeve në përputhje me normat evropiane".
Në këtë drejtim, Berisha tha se "problemi çam nuk përbën kategorikisht një çështje të ndryshimit të kufijve apo pretendimesh territoriale". "Problematika e tij duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston midis 2 vendeve tona", tha Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh i hapur edhe ndaj kërkesave të tjera të parashtruara nga përfaqësuesit e PDU-së, siç ishte ngritja e një komiteti kombëtar të diasporës, ringritja e shtëpisë muze të rilindasit Hasan Tasimi, si dhe ndërtimi i varrezës së Kllogjerit në përkujtim të 2700 viktimave çame.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha, njëherazi kryetar i Partisë Demokratike dhe përfaqësuesit e PDU-së ranë dakord që të elaborojnë një marrëveshje kuadër për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy forcave politike.