Tashmë 64 vjeç, heroi i filmave aksion flet për veten, botën dhe filmat dhe mbi të gjitha, për planet e ardhshme
Kam punuar shumë me trupin dhe veçanërisht me krahët gjatë pjesës më të mirë të jetës dhe kjo është një pjesë e suksesit që kam pasur në kinematografi në një periudhë të caktuar, thotë Sylvester Stallone, ylli i gjashtë episodeve të njërit prej filmave më të ndjekur të të gjitha kohërave Rocky, si dhe i filmit tjetër të famshëm Rambo, ndër më të suksesshmit e viteve 80. Të gjithë e dinë se ajo çka thotë Stallone është e vërtetë dhe se në filmat e tij, fiziku i aktorit ka luajtur rol të madh në sukses.
Edhe filmi që ka përfunduar së fundi është pak a shumë i një natyre që kërkon një personazh të fortë dhe të kalitur fizikisht, për tu përballur me sfida dhe probleme nga më të ndryshmet, por jo të njëjtët me ato të filmave të mëparshëm, sepse në fund të fundit, kohët kanë ndryshuar. Por edhe në këto kohë të ndryshme, forca fizike, edhe pse jo në vend të parë, ka rëndësinë e saj. Për filmin e fundit The Expendables, Stalone thotë se ka kaluar shumë kohë në palestër, madje më tepër se gjatë filmave të sipërpërmendur, duke qenë se edhe mosha bën të vetën, por edhe për faktin se kishte kohë që ishte shkëputur nga një lidhje e rregullt me palestrën. Ai është 64 vjeç dhe mendon se është i pavdekshëm.

Ka energji të mëdha brenda vetes, të cilat kërkon që ti vërë në shërbim të ndërtimit të gjërave dhe të sfidave të reja, por jo vetëm kinematografike. Por ai nuk është vetëm një njeri me një jetë të planifikuar për punë dhe projekte, por edhe një person që ka fiksimet e tij dhe madje edhe me objekte të ndryshme. Kjo vlen për orët e dorës, me të cilat ka qenë gjithmonë i fiksuar, ato që ka pasur, i kanë dhuruar, por edhe i ka falur gjatë jetës shumë prej tyre. Për herë të parë, ra në dashuri me orët gjatë udhëtimit të parë të gjatë që bëri në Europë.
Më kujtohen orët që kam parë në vitrinat e dyqaneve të shtrenjta dhe ëndërroja që një ditë, ti kisha. Për mua janë me të vërtetë objekte kulti dhe mund të them pa frikë që, gjatë jetës kam kaluar nëpër dorë me qindra orë dhe të gjithë miqtë e mi e dinë se e vetmja dhuratë që mund të presin nga unë janë orët. I njoh të gjitha llojet e markave dhe modeleve, siç njohin disa makinat, dhe më pëlqen shumë që ti ndërroj dhe ti shtoj. Së fundi ka një orë të madhe me rrip argjendi dhe me numra shumë të mëdha dhe të dukshëm. Në moshën time, një orë me numra të tillë, që shquhen lehtësisht, është shumë e mirë.
Stallone e di që i përket një brezi aktorësh që kanë qenë dikur në kulmin e famës dhe që sigurisht tani vazhdojnë me kinematografinë, por i takojnë gjithsesi botës së të shkuarës. Për shumë kohë, kryesisht gjatë viteve 80 dhe 90 ai, Schwarzenegger dhe Bruce Willis kanë qenë djemtë e artë të filmave aksion, heronjtë që e shpëtonin botën nga e keqja. Megjithatë djemtë që përbënin treshen e mësipërme të Hollivudit kishin veçoritë e tyre. Kështu Schwarzenegger konsiderohej si një makinë e ftohtë, për vetë natyrën e filmave që interpretonte, Bruce Willis ishte më shumë një idhull, ndërsa Stallone ishte një njeri i zakonshëm, një hero i rrugëve të qyteteve, një gjigand që personifikonte njeriun e thjeshtë, luftën e tij shpesh të vështirë e në kufijtë e së pamundurës dhe fitoren që herët a vonë do të vinte, edhe pse përmes sakrificash. I tillë është për shembull personazhi i Stallone-s në filmin me të njëjtin emër Rocky, i cili u bë një idhull për shumë breza. Në këtë rast, aventura e filmit nisi pa shumë entuziazëm e plane të mëdha, por u shndërrua në një film me gjashtë seri, njëra më e suksesshme se tjetra. Ai ishte një film që nisi me një buxhet shumë të vogël, por me zemër të madhe dhe ia doli me sukses të mbetet në zemrën e të gjithëve dhe mbi të gjitha, ti hapë rrugën e një karriere të shkëlqyer aktorit, që edhe sot e kësaj dite vazhdon që të identifikohet prej shumëkujt nga ky personazh. Edhe sot e kësaj dite, studioja kinematografike që e realizoi atë, e di se bëhet fjalë për një hirushe që nisi pa para dhe pretendime dhe u shndërrua në një mrekulli që solli famë dhe fitime për të gjithë ata që morën pjesë. Ishte filmi që në vitin 1977 fitoi tre çmime Oskar.

Pas tij, Stallone kërkoi që edhe në filma të tjerë të kultivonte imazhin e njeriut me muskuj dhe me zemër. Megjithatë mrekullitë nëse ndodhin, ndodhin vetëm një herë dhe ai në asnjë prej filmave që pasuan Rocky nuk e pati as suksesin dhe as famën e tij. Bëhet fjalë për filma si Cobra, Lock Up, Over the Top e të tjerë. Kur kthen vështrimin pas në të shkuarën e tij, Stallone është shumë i qartë se ku ka vepruar drejtë dhe ku ka gabuar. Janë të shumtë ata djem që kanë muskuj dhe punojnë për ti zhvilluar muskujt e tyre. Bota është e mbushur me burra dhe gra të forta fizikisht. Unë mendoj se suksesi i vërtetë i disa filmave aksion është që të tregojë se këta njerëz, përveç anës së jashtme, kanë edhe një anë tjetër të brendshme, që është e brishtë dhe e thyeshme, pra është e rëndësishme që të tregojnë se janë njerëz si të gjithë dhe se mund të goditen. Duhet treguar më shumë se sa muskuli, nëse tenton që të prekësh zemrën, thotë aktori. Megjithatë ai është një artist shumë popullor dhe një njeri që e njohin për pasionet dhe ndonjëherë edhe tejkalimin e masave. Njeriu, veçanërisht një aktor, duhet që të jetë një qenie plot me pasion që do të thotë të jetë i gatshëm të shijojë dhe të provojë aventura prej të cilave mëson gjithmonë shumë. Sigurisht pa e tepruar. Gjëja e veçantë e Stallone-s është se ai ishte edhe autori, pra skenaristi i filmit Rocky. Skenarin e filmit të parë të kësaj serie e kam shkruar për tri ditë, duke qenë ndërkohë në një situatë shumë të keqe financiare dhe shpirtërore. Por isha i mbushur me pasion, i cili më përshpejtoi punën dhe mbi të gjitha më solli suksesin e papritur.
Në filmin First Blood, Stallone u akuzua se rrahu regjisorin e filmit, madje i theu atij edhe tre brinjë. Kjo sepse të dy nuk kishin gjetur një gjuhë dhe një zgjidhje të përbashkët për variantin e një episodi dhe mbi të gjitha, për fundin e filmit. Pjesa më e madhe e filmimeve të filmit të fundit është bërë në Brazil, një vend që Stallone-s i pëlqen shumë. Bëhet fjalë për një film të cilin e ka drejtuar bashkë me një regjisor tjetër, ndërkohë që ka qenë edhe skenaristi i tij. Ai është një film që e risjell edhe një herë në pah fuqinë fizike të Stallone-s përmes episodeve të ndryshme, në të cilat përplasja dhe dhuna fizike nuk mund të shmangen. Sipas meje, filmi ka dhunë, por qëllimi dhe fokusi i tij është tjetërkund. Ky është një film homazh ndaj atyre që kam bërë më parë dhe veçanërisht ndaj një sërë filmash të caktuar të 20 viteve më parë, ku bëhej fjalë për misione të pamundura që merreshin përsipër nga një njeri i vetëm. Në këtë rast, mesazhi është bashkëpunimi që ndonjëherë dhe fatkeqësisht shndërrohet edhe në dhunë, por që gjithsesi tenton ndaj gjetjes së diplomacisë dhe mënyrave të tjera të zgjidhjes së situatave të ndërlikuara dhe ekstreme. Për meshkuj të moshës së mesme, siç jam unë, që janë rritur në vitet 80 me heronjtë e filmave aksion, është një film që do të kuptohet fare mirë. Në njëfarë mënyre, është seksi dhe qyteti ynë. Atij i pëlqen që të xhirojë një film në mënyrën e vjetër, madje në të gjitha kuptimet dhe në njëfarë mënyre, këtë gjë bëjnë edhe regjisorë të tjerë, që ka dhjetëra vjet që punojnë në Hollivud. Edhe Clint Eastwood xhiron me të njëjtën mënyrë që ka xhiruar në vitet 80 dhe kjo ka rezultuar shumë e suksesshme, thotë Stallone. Në fakt, sipas tij, nuk ka të bëjë shumë teknika se sa optika, apo këndvështrimi i një brezi dhe kjo ka të bëjë edhe me ata që do ta shohin këtë film.
Gjatë filmave të tij, Stallone ka marrë shumë plagë dhe disa prej tyre, madje i kanë lënë edhe shenja, por ai i konsideron si fatsjellëse dhe gjatë gjithë filmave ka qenë ai që ka interpretuar personalisht edhe skenat që kanë qenë të vështira dhe që aktorë të tjerë, i kanë bërë me dublantë. Një nga aspektet e gjithë roleve të Stallone-s është stoicizmi. Është një nga tiparet që më pëlqejnë më shumë, së bashku me durimin dhe dëshirën për të vazhduar përpara, pavarësisht asaj që të ndodh. Kjo duket edhe në një fjali që ai e ka futur në filmin e tij Rocky, kur ai i thotë djalit të tij: Nuk është e rëndësishme se sa rëndë jemi goditur, por sa mund të durosh dhe të vazhdosh të bësh përpara pavarësisht kësaj. Ky në fakt është mesazhi që Stallone e ka marrë nga i ati, ia ka përcjellë pasardhësve të tij dhe vazhdon ta përcjellë edhe sot e kësaj dite, përmes filmave që vazhdon të prodhojë. (shqip)