Shënime për librin Kthimi i mbramë i Agim Spahiut shkruar në formë ditari nga Sefer Pasha. Shënimet autori i ka mbajtur gjatë kohës kur punonte e jetonte në fshatrat e Hasit dhe Kukësit.
Agim Deliu
Libri i Sefer Pashës kushtuar jetës dhe veprës së poetit Agim Spahiu është një homazh për poetin tragjik. Libri është mbështetur mbi lëndën e një ditari të shkruar qëmoti, kur Agim Spahiu punonte e jetonte në fshatrat e Hasit dhe të Kukësit.
Nëpërmjet sitës së ditarit, lexuesi njihet që me zanafillën e krijimeve, me forcën inteligjente e sqimën me nivel të lartë artistik të veprës së poetit Spahiu. Sot arti i tij i kundërshtuar ka ithtarët e vet. Nëpër skedarët e Bibliotekës Kombëtare lexuesit hulumtojnë mbi autenticitetin e vëllimeve poetike që ai la pas. E njëjta gjë ndodh edhe në Kosovë, ku ai vazhdon të ribotohet. Poeti Agim Spahiu 18 vjet të jetës së tij i kaloi në Fajza të Hasit e në Gjinaj të Kukësit. Në këto vise të mrekullueshme për nga pamja magjepsëse, por të varfra ekonomikisht, ai do të formohej e në shpirtin e tij të trazuar do të ngjizej miti i muzave, margaritarët e përjetimeve personale, do të gëlonin e lidhnin fara shumë nga veprat poetike, të cilat u shkruan në skutat e pashkelura të Qafës së Erës, në bordurat e Urës së Drinit të Bardhë, në Qafën e Sefollit duke pritur kamionët për në Kukës, anës së liqenit të Fierzës duke peshkuar pasditeve të florinjta, nëpër arat e fshatit Fajza, ku fshatarët mbillnin e kositnin në tokën e thatë. Kafen e pinte në oxhakët e familjeve të nxënësve me prindërit që mbushnin kovat me turshi për dimër.
Ata e prisnin me shumë dashuri dhe i rrëfenin balada me trima, me mistere të natyrës, të malit të Pashtrikut, të Pikëllimës e të Gjallicës, të zanave që rrinin anës Drinit, të erërave që trokëllinin befasisht në dritare, të fatit të njeriut, të pabesive, të udhëtarëve, legjenda me ujqër e arinj, mrekullitë që fsheh pylli, të mirat që sjell bjeshka e këngët e pashtershme të Drinit të Bardhë e të Drinit të Zi. Në harkun kohor të një jete të shkurtër, poeti Agim Spahiu botoi dora-dorës përmbledhjet kulmore me poezi: Lirisë më 1973, Duart e punës më 1976, Vjen një moshë më 1982, Të jetosh me ty më 1978, Është koha të duhemi më 1990, librin për fëmijë Këngë për Idën dhe Hasin e Bardhë më 1982. Pas vdekjes së poetit shtëpia botuese Gjon Buzuku në Kosovë ka botuar përmbledhjen me poezi të zgjedhura Njeriu mbi Pikëllimë më 1993. Gjithashtu është botuar edhe një libër për Kurpalet, e cila që në gjallje e hipnotizonte poetin e ndjerë. Edhe kur punonte e jetonte në Fajza e në Gjinaj, Agim Spahiu, shumë i brishtë nga ana mendore, herë pas here shkonte te gërmadhat e Kurpaleve. Siç del në libër, Agim Spahiu, i hollë si shufër lisi, bash në këto mote te themelet e Kurpaleve, ulej e i brengosur mbushte blloqet me shënime. Pyeste fshatarët e qëndiste një nga librat e tij të dashur për Kurpalet.
Mes fshatarëve që kositnin bjeshkën, anës gurëve të murrmë, ku kishin mbirë myshku e kërpudhat ai mblodhi të gjitha këngët, siç është dhe ajo për Veli Muslinë. Prej pikës topografike të kullës së Kurpaleve, teksa mblidhte e sistemonte në blloqe legjendat e një fisi me emër në Shqipëri e në Kosovë, Agim Spahiu vështronte fshatrat e Kosovës e deri më tutje ku syri nuk i shquante dot fshatrat rrëzë lumit të tij të dashur, Drini i Bardhë. Poeti Spahiu, me muskulaturën e shpirtit nuk u bë rob i subjekteve vetëm nga vendlindja. Në libër del qartë se në të gjithë rrafshin e veprës së tij do të gjesh poezi për detin, për ullinjtë, për Akropolin në Athinë, për Aleksandër Moisiun, Anton Çetën, Rexhep Qosen, Adem Demaçin, e Ali Podrimjen. Në çdo qelizë e në çdo ind të jetës e të veprës së poetit plotë me dalldi nuk ka asgjë të gënjeshtërt, e nuk ka as poezi aguridhe. Asnjë poezi nuk është e trukuar e as e ambalazhuar.
Në poezitë e Agim Spahiut nuk ka hipokrizi. Ato shndërroheshin në piskama e llava të nxehta kundër monstruoziteteve të kohës. Në shumë kapituj të ditarit del si në dritë të diellit se poeti i rrëgjuar brenda sinorëve ku ishte shkolla, ku ishin fshatarët, ku ishin kopshtet e mbjella me patate, misër, thekër, aty ku ngrysej e gdhihej hëna e malit të Pikëllimës, në arat ku bariste Ylli i Sabahiut, poeti që tani ka një emër emblematik, edhe pse ndonjëherë e thithnin përjetimet surrealiste, me sytë depërtues e i etur për dritë kozmike, i ndjekur nga sherrnajat e poezisë në luftë me temat tabu, duke qenë poet me energji, teknikë e stil, i qepur pas poezisë, me qartësi e sinqeritet, pa u tunduar ngjitej e sfidonte. Edhe pse ushqehej me bukë të thekur misri dhe e kapërdinte atë me lëng soje, nën zë redaktorët në Tiranë e qortonin si një dostojevskian. Si shembull sillej poezia Autoportret. Poeti Agim Spahiu e jetonte jetën në mënyrë modeste e realisht. Shumë poezi i shkroi në Gjinaj i mrekulluar nga kërcitjet e ashklave të nyjave të lisave që digjeshin në sobën e vjetër të montuar në një oxhak të sterrosur nga bloza.
Aty organizonte me kolegët e nxënësit mbrëmjet poetike derisa mjegulla e kaltër e Drinit të Bardhë ngjitej me naze ahishtave. Autori i librit Sefer Pasha, qysh në krye të herës nuk pretendon se është biografi i Agim Spahiut, por nëpërmjet ditarit ai mëton se është kronikan i një pjese të jetës së poetit. Libri është i lidhur si me nyjën e një drame, ka gjetje kureshtare, shpaloset jeta e athët e poetit të Hasit e të Lumes. Ai avitej të luftonte boshllëkun në art, e ndeshej në përditshmëri me dofarë fantazmash që i silleshin rrotull universit të tij shpirtëror. Në këtë kuptim, si krijues skrupuloz ai nuk u mor me çikërrima. Mbante shënime edhe nën zgavrat e lisave kur e zinte bora. Në këto shkrepa poeti zbuloi me fuqinë mendore thesaret magjike të artit të tij. Shumë cikle me poezi janë faqe arkivore të një kohe të vështirë. Kjo duket në poezinë: Në ditën e librit më të bukur!. Poeti u thotë fëmijëve dhe gruas, se në ditën e librit më të bukur do të shkojnë në qytetin e madh me bulevarde e vitrazhe mahnitëse, do të fluturojnë mbi Gjallicë e Pikëllimë dhe Eifelin do ta ngjisin me një frymë. Pikërisht pas premtimeve të panumërta, i biri Arbëri e pyet të atin: Po sikur... të mos vijë ajo ditë?.
Ai, si të qe profet e psikiatër, qesh e mbyll sytë. Dhe nëse ajo ditë nuk erdhi për poetin Agim Spahiu, ribotimi i veprës së tij nga shtëpia botuese Gjon Buzuku në Prishtinë, dalja në dritë e këtyre kujtimeve të trishta të Sefer Pashës dhe e të tjerave që do të nxjerrin bashkëkohësit për të, edhe pse vonë do të flasin për poetin. Mjafton të përmendim titullin e vëllimit poetik Është koha të duhemi! botuar në vitin 1990, një grafi që i bën kohës së re. Në mënyrë profetike poeti paratha e paralajmëroi në mënyrë proverbiale e me impuls emocional, që shoqëria të jetë e vëmendshme e kësisoj të mos eci pa mend në kokë. Poeti Agim Spahiu u largua nga kjo botë prej një diagnoze të pamëshirshme, ashtu si shumë pena brilante të botës së artit. Nëpërmjet penës së tij solli risi në poezitë që përçojnë sharm e gjenerojnë dritë, duke lënë një trashëgimi të vyer në letrat shqipe.