E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për të biseduar dhe vendosur me fqinjët për temat me rëndësi për Kosovën, do duhej të jemi të qartë në pritjet, objektivat dhe synimet e Kosovës. Për të qenë të qartë në pritjet dhe objektivat, duhet elaboruar ato përbrenda Kosovës.
Muret mes nesh






Mimoza Kusari- Lila

Në kohën kur shumë teori, rekomandime e prognoza po dëgjohen për bisedimet e Kosovës me Serbinë, një mendim nuk më hiqet nga koka: ai i dialogut përbrenda Kosovës. Miqtë na rekomandojmë se kemi shumë për të biseduar me Serbinë dhe të gjithë në Kosovë pajtohemi se në procesin e normalizimit të raporteve me shtetin fqinj, do të bisedohet për shumëçka, por jo vetëm me ata.

Për të biseduar dhe vendosur me fqinjët për temat me rëndësi për Kosovën, do duhej të jemi të qartë në pritjet, objektivat dhe synimet e Kosovës. Për të qenë të qartë në pritjet dhe objektivat, duhet elaboruar ato përbrenda Kosovës.

Realiteti na dëshmon një mungesë esenciale të bisedave apo ngritjes se platformës në nivelin nacional. Në Kosovë përgjithësisht shumë pak debatohet në mënyrë që të pasurohet vendimmarrja. Më shumë po debatohet për formë sesa për substancë. Por, kjo nuk është as mënyra e as forma si duhen të zhvillohen debatet dhe ngritën çështjet më rëndësi për pozitën dhe opozitën.

Natyrisht vendi ku duhet të debatohet është parlamenti i cili për momentin nga ndikimi i drejtpërdrejtë i pozitës është de-funksionalizuar. Shumë e theksuar është humbja e ndjenjës së përgjegjësisë publike dhe llogaridhënies.

Ndoshta pozita ka frikë se sikur të hapë tema dhe të pranojë sugjerime, mund ta dobësojë pozicionin e saj dhe do të humbë në terren, gjë e cila mund t’i kushtojë në rezultatin e zgjedhjeve. Duke harruar tërësisht se marrja e konsensusit politik të rrit në peshë dhe të japë seriozitetin e duhur politik.

Shumë tema të cilat deri më tani tradicionalisht janë diskutuar dhe vendosur në rrethe të ngushta të vendimmarrjes, tërësisht jashtë formatit standard të diskutimit dhe vendimmarrjes, kanë nevojë të marrin jo vetëm miratimin e partive politike, por edhe të shoqërisë në tërësi janë vulosur dhe nënshkruar të përcjella me shumë pakënaqësi.

Shtrohet pyetja, pse janë ngritur kaq shumë mure mes nesh? Pse shoqëria kosovare vuan nga mungesa e debatit dhe marrja e mendimeve të opinionit të gjerë? Ndoshta i kemi të trashëguara muret e komunikimit dhe mendimit të lirë, ndaj edhe pse synojmë se kemi shoqëri të lirë dhe demokratike, prapë kemi mure xhami mes nesh.

Si mundet që në një shoqëri të shiten pasuritë shtetërore pa asnjë debat të hapur? Si mund pozita të marrë gjithë atë guxim të vendosë për procese të cilat mund t’iu kushtojnë shumë shtrenjtë në të ardhmen pa hezituar aspak për pasojat? E gjithë kjo nuk mund të quhet asgjë përveç se mungesë e kulturës demokratike dhe tendencë drejt totalitarizmit.

Në shoqërinë kosovare kemi nevojë për debat për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës së radhës për bukë. Kemi nevojë të flasim për alternativat e privatizimit të PTK-së. Këto dy çështje serioze në sferën ekonomike.

Në shoqërinë kosovare duhet të ngrihet debat i avancuar për bisedimet me Serbinë. Çfarë përfitojmë dhe çfarë mund të humbin? Ndërsa asgjë më pak e rëndësishme është edhe debati dhe koordinimi për numrin e njohjeve për Kosovën. Në këto tema nuk ka interesa partiake, në këto tema kemi interes kombëtar. Kemi nevojë për konsensus dhe përparim të situatës aktuale, pa marrë parasysh se kush qeveris dhe kush bën opozitë. Askush nuk bën t’i gëzohet dështimit nëse Kosova zhytet në krizë të bukës ose nëse Kosova ngelet në numrin 69 të shteteve që e kanë njohur.

Prandaj, para se të flasim për domosdoshmërinë e bisedimeve mes nesh, të flasim së pari për heqjen e mureve në shoqërinë kosovare. Mungesa e komunikimit të mirëfilltë dhe debatit demokratik, po i kushton Kosovës me moskoordinim dhe mungesë të gjetjes se zgjidhjeve kreative dhe konkrete.

Së fundi, nëse dikush pyet, kush duhet t’i rrëzojë këto mure? Përgjigja është: ata të cilët e kanë mekanizmin dhe pajisjet për të bërë një gjë të tillë - pozita. Paraprakisht, të bëhen gati të pranojnë mendimin ndryshe dhe jo gjithmonë të vendosin para vetes teori konspiracioni, të cilat zakonisht japin shkas për të mos dëgjuar mendimet ndryshe.

Kosova është shumë e vogël dhe e brishtë për të toleruar gjithë këto ndarje dhe agjenda paralele që nuk puqen askund vetëm si pasojë e tekeve partiake.

Publikuar: 15.08.2010 | 23:23
Lexuar: 460 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime