Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke bërë gabime, por ato duhet të korrigjohen nga anëtarët e kabinetit dhe pjesëtarët e opozitës.
Jeton Llapashtica
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetojë e poshtëruar dhe nënshtruar përballë partnerit të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Bujar Bukoshi, gjatë një interviste për Zërin.
Ai thotë se nëse kryetari i Prishtinës, Isa Musatfa, do të kandidohej për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do ta përkrahte pa asnjë rezervë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas tij, nuk do të dëshmojë as vlerë dhe as demokraci të brendshme, nëse presidenti Sejdiu, që pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së, nuk do të ketë kundërkandidatë gjatë zgjedhjeve të brendshme partiake në vjeshtë të këtij viti.
Njëqind ditë pas marrjes së funksionit të ri, ministri Bukoshi nuk heziton ta pranojë se nuk janë arritur suksese të mëdha në dikasterin që ai drejton, megjithatë sipas tij, janë bërë disa punë të mira.
Derisa shprehet i bindur se arrestimi i këshilltarit të tij, Ilir Tolaj, nuk ka lëkundur kredibilitetin e Ministrisë së Shëndetësisë, ish- kryeministri në ekzil i Kosovës, mendon se sigurimet shëndetësore vazhdojnë të mbesin sfidë për dikasterin që drejton.
Zëri: Kanë kaluar më shumë se njëqind ditë që kur jeni bërë ministër i Shëndetësisë. A mendoni se keni arritur mjaft sukses për këtë periudhë si drejtues i dikasterit të shëndetësisë?
Bukoshi: Jo. Jo. Mendoj që nuk është arritur mjaftë sukses, për shkak se mjekësia në Kosovë ka nevojë për rezultate më të mëdha. Mendoj se po ashtu shumë gjëra bazike janë në rrugë të mirë.
Natyrisht, unë vetë nuk jam i kënaqur me atë që është bërë, por objektivisht janë bërë disa punë që kanë marrë rrugën e mbarë, në mënyrë që në muajt e ardhshëm shumë gjëra të funksionojnë më mirë se si kanë funksionuar deri tani.
Ende ka shumë punë për të bërë
Zëri: Çka keni bërë konkretisht për këto 100 ditë pune, diçka që ju e vlerësoni si veprim pozitiv?
Bukoshi: Po aty konkretisht ka shumë për të thënë. Unë nuk kisha vazhduar tash, sepse nuk është kjo piar për mua, por është një punë e cila, së pari të iu përkujtojë se gjendja në shëndetësi ishte e rëndë dhe vazhdon të jetë e rëndë.
Ka nevojë për financim më të mirë, por kryesorja është Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Prishtinë, dhe po ashtu problemet me sigurime shëndetësore. Ne jemi duke punuar intensivisht me sigurimin e këtyre fondeve shëndetësore, kjo është puna me të cilën mund të themi se është bërë një punë e mirë.
Janë bërë disa riorganizime, janë ndalë disa trendë shumë negativë në furnizimin me barna, kjo parregullsi mund të numërohet si rezultat pozitiv.
Te shërbimet mjekësore po ashtu është një angazhim shumë më i madh i personelit mjekësor, kështu që diçka spektakulare nuk do të thosha se është arritur dhe nuk ka qenë për tu pritur diçka spektakulare, por rezultate ka, rezultate evidente dhe poashtu aq sa ka rezultate ka mbet shumë punë për tu bërë.
Zëri: A konsideroni se arrestimi i këshilltarit tuaj Ilir Tolaj, ia ka ulur kredibilitetin Ministrisë që Ju drejtoni?
Bukoshi: As një fije nuk i ka ulur. Mendojë që asnjë fije nuk i ka ulë.
Zëri: Si u bë që e shkarkuat nga detyra tashmë ish-drejtorin e QKUK-së, Ali Sadriun?
Bukoshi: Sepse nuk funksiononte si duhet, dhe gjithçka që nuk funksionon në këtë vend duhet të riparohet dhe korrigjohet. Nuk ka funksionuar ashtu siç duhet të
funksionojë.
Zëri: Mirëpo, pas shkarkimit të tij, ka pasuar zëra që kanë thënë se shkarkimi është bërë ngase Sadriu, ishte duke bërë hetime për keqpërdorime të ndryshme në QKUK që ndërlidheshin me qeveritar aktual?
Bukoshi: Kjo nuk qëndron aspak. Përkundrazi, të gjitha ato parregullsi që ish-drejtori i ka konstatuar dhe ka pasur ndërmend të ndërmarrë masa, ato vazhdojnë edhe më me konsekuencë, edhe në mënyrë më energjike.
Puna vazhdon, ushtruesi i detyrës, zotëri Hoxha momentalisht është duke i kryer punët shumë mirë, ka një angazhim maksimal dhe përkrahje të kolegëve. Mendoj se nuk qëndron kjo, absolutisht nuk qëndron.
Këto akuza, edhe pse ju e dini se në çarshinë tonë politike së pari ka akuza, e pastaj flitet për punë. Nuk më bëjnë përshtypje këto akuza.
Vazhdoj të jem kritik i Qeverisë.
Zëri: Ti kthehemi pak zhvillimeve politike në vend. Keni qenë njëri nga kritikuesit më të ashpër të Qeverisë Thaçi, por pas një kohe jo shumë të gjatë ju vetë u bëtë ministër. A mendoni se duke u bërë anëtar i kabinetit qeveritar, janë shuar zërat kritikë brenda LDK-së për Qeverinë e Kosovës?
Bukoshi: Së pari të fillojmë me atë pjesën e parë të pyetjes suaj, se kamë qenë zëri kritik i qeverisë. Unë vazhdojë të jem zëri kritik i qeverisë dhe qeverisjes së keqe dhe nuk ka dyshime aty, do të mbetem kritik.
Çdo parregullsi ose çdo gjë që është për tu kritikuar edhe në qeverinë Thaçi, unë si anëtar i atij kabineti e ndiej të nevojshme ose të domosdoshme që gjërat të identifikohen, të identifikohen problemet dhe pse të mos kritikohet.
Nuk ka qeveri ideale, askund në botë. Kjo është e para. E dyta, sa i përket LDK-së, ju e dini se është një problem i cili daton qysh me formimin e koalicionit të madh, i cili nuk ka funksionuar për shkak të një raporti jo të barabartë mes dy partnerëve të koalicionit.
LDK-ja ka qenë shumë e dobët, e poshtëruar dhe e nënshtruar si të thuash karshi PDK-së, këto janë probleme me të cilat duhet të merret LDK-ja.
Unë jam natyrisht jetësisht i interesuar që LDK-ja të ngjallet dhe të forcohet dhe në zgjedhjet e ardhshme ta marrë pushtetin.
Zëri: A vazhdon të jetë LDK-ja e tillë, e poshtëruar dhe nënshtruar përballë PDK-së?
Bukoshi: Po, për fat të keq akoma nuk po mundet të kthjellët. Edhe unë besojë se ajo LDK duhet të kthjellët se deri tash është treguar mjaftë e dobët.
Zëri: Sidoqoftë, a vazhdoni prapë të besoni se kryeministri Thaçi është duke bërë gabime në qeverisjen e vendit, sikurse që jeni shprehur gjatë fushatës parazgjedhore?
Bukoshi: Sigurisht që ka gabime. Edhe unë kur kam qenë kryeministër kam bërë gabime. Çdo kryeministër ka gabime, por është puna e partnerëve të koalicionit, e opozitës, e anëtarëve të kabinetit që gabimet ti parandalojnë.
Por, unë mendoj që po ashtu janë bërë disa përparime dhe disa punë të mira. Nuk ka qeveri ideale, as ajo e Thaçit nuk është ideale, as ajo e Bukoshit nuk ka qenë ideale.
Zëri: Po afrohen zgjedhjet në LDK. Deri më tani presidenti Sejdiu është i vetmi kandidat i mundshëm për të parin e partisë. A mendoni se rizgjedhja e tij do të përbënte shkelje të Kushtetutës?
Bukoshi: Unë mendoj se duhet pritur tash zhvillimet tjera që do të ndodhin. Mendoj se një parti moderne që e quan vetën demokratike nëse ka vetëm një kandidat, atëherë nuk është në rregull me atë parti.
Zëri: Atëherë, kush mendoni se mund të jetë kundërkandidat i mundshëm i presidentit Sejdiu për kryetar të partisë?
Bukoshi: Potencialisht ka të drejtë gjithkush të pretendojë dhe unë nuk e di, tani nuk mund ta bëjë atë rangim. Ata që kanë pretendime, ose për ata të cilët partia vlerëson se duhet të kandidohen, ata do të kandidohen.
Zëri: Ju njiheni si person i afërt me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa. A do ta mbështesni Mustafën nëse ai kandidohet për kryetar të partisë?
Bukoshi: Po. Nëse Isa Mustafa kandidohet për kryetar të LDK-së, do ta ketë përkrahjen totale timen.