Sipas tij, hidrocentrali i Zhurit, një projekt i filluar nga qeveria e Kosovës, nëse ndërtohet në pjesën e kufirit me Republikën e Shqipërisë dëmton rreth 18 koncesione të dhëna në vazhdimësinë e basenit ujor.
K.Saraçini
- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi sot se "jemi në negociata me qeverinë e Kosovës në lidhje me vazhdimësinë e projektit të hidrocentralit të Zhurit, që do të ndërtohet në Kosovë".
"Qeveritë e të dy vendeve do të diskutojnë se kush është varianti më i mirë për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit dhe për hir të së vërtetës ekziston një variant që lejon një rrjedhje ekologjike të ujërave në atë basen ujor, që mos të dëmtohen hidrocentralet që janë në Shqipëri, por në të njëjëin kohë edhe hidrocentrali i Zhurit të ndërtohet me një kapacitet pak më të kufizuar", theksoi ministri Prifti.
Sipas tij, hidrocentrali i Zhurit, një projekt i filluar nga qeveria e Kosovës, nëse ndërtohet në pjesën e kufirit me Republikën e Shqipërisë dëmton rreth 18 koncesione të dhëna në vazhdimësinë e basenit ujor.
Ai tha se "ne do të mbrojmë koncesionet që kemi dhënë vetë, pra do të mbrojmë investimet që po bëhen në kufirin e Republikës së Shqipërisë, por siç ka deklaruar edhe Kryeministri Berisha pak kohë më parë në një mbledhje të qeverisë, do të diktojë interesi kombëtar".
"Jemi duke zhvilluar negociata dhe së shpejti mund të kemi ndonjë konkluzion lidhur me këtë çështje", përfundoi ministri Prifti