Në prezencë të bamirësve, aktivistëve voluntarë të OH El Hilal, kryetari i organizatës Behixhudin Shehapi, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti që tradicionalisht organizohet nga viti 2003 e këndej, tha se nëpërmjet këtij organizimi sado pak zbutet gjendja e rëndë ekonomike në Shkup, në veçanti në lagjen Dizhon dhe Seravë
Në kuadër të aktiviteteve në muajin e bekuar të Ramazanit, Organizata Humanitare EL HILAL, mbrëmë në restorantin Hirda në Seravë të Shkupit përuroi zyrtarisht projektin Sofrat e Ramazanit, që nënkupton përgatitjen e iftarit 27 net radhazi për 200 persona, në mesin e të cilëve do të jenë familjet skamnore, jetimët, por edhe studentët dhe nxënësit që mësojnë në Shkup.
Në prezencë të bamirësve, aktivistëve voluntarë të OH El Hilal, kryetari i organizatës Behixhudin Shehapi, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti që tradicionalisht organizohet nga viti 2003 e këndej, tha se nëpërmjet këtij organizimi sado pak zbutet gjendja e rëndë ekonomike në Shkup, në veçanti në lagjen Dizhon dhe Seravë, por gjithashtu kontribuohet për atmosferën e përgjithshme të këtij muaji, në mënyrë që edhe këto familje të ndjejnë aromën dhe begatitë e ramazanit, nga se shumica prej tyre marrin në shtëpitë e tyre edhe për syfyr ushqimin e pashfrytëzuar gjatë iftarit.
Sofrat e Ramazanit do të organizohen edhe në Gostivar dhe Kumanovë nga 10 net për 100 persona, që do të thotë se OH El Hilal gjatë muajit të Ramazanit do të sigurojë 7-8 mijë racione ushqim për familjet ekonomikisht të rrezikuar dhe skamnorët.
Në OH El Hilal apelohet tek ata që nuk mund të përgatisin darkë, se dera e humanitetit do të jetë e hapur gjatë tërë muajit të Ramazanit, kuptohet në kuadër të mundësive që ekzistojnë, në saje të bashkëpunimit me diasporën shqiptare, me partnerin e vet tradicional IGMG, por natyrisht këtë projekt e mbështesin edhe donatorë dhe afaristë nga vendi, mbështetje kjo që asnjëherë nuk ka munguar kur është fjala për familjet skamnore, jetimët dhe nevojtarët e tjerë.
Përveç kësaj forme të veprimit nëpërmjet projektit Sofrat e Ramazanit, El Hilali planifikon që deri në fund të këtij muaji, në bashkëpunim me degët e veta të shpërndajë rreth 2.000 pako me artikuj elementarë ushqimorë nëpër shumë qytete të Maqedonisë.