Ajo që duket si problem i funksionimit të sektorit tonë joqeveritar është pamundësia për të bërë dallimin mes organizatave joqeveritare dhe jopartiake. Eksperienca po tregon se tek ne mund të ekzistojnë, dhe në fakt ekzistojnë organizata që nuk janë qeveritare por në të njëjtën kohë promovojnë agjenda të caktuara politike, gjegjësisht partiake. A mund të themi se organizatat e tilla janë joqeveritare?
Ermira MEHMETI
Zhvillimi i sektorit civil ose joqeveritar në teoritë politike dhe ato mbi demokratizimin merret si tregues i zhvillimit demokratik të një shoqërie. Nëse në një shtet ka demokraci ose jo, më së shpeshti vlerësohet në bazë të asaj nëse shteti ka kapacitet për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike, pra ndryshim demokratik të elitave në pushtet, nëse ka ekonomi tregu, dhe gjithsesi, nëse ka shoqëri të zhvilluar civile. Ekzistimi i sektorit të fuqishëm qytetar është dëshmi mbi lirinë e një shoqërie, ndërsa zhvillimi i këtij sektori është i rëndësishëm sepse funksionon si zë kritik ndaj politikave qeveritare.
Historiku i sektorit joqeveritar tek ne është relativisht i shkurtër dhe prandaj mund të thuhet se i njëjti është akoma në fazë formimi. Ndoshta për shkak të këtij fakti, tek ne shpeshherë (nëse jo përherë), fill pas prononcimeve të sektorit civil, parashtrohet një pyetje mjaft e çuditshme: kush qëndron pas tyre? E, meqë sektori civil është akoma në formim, si edhe vetë kultura demokratike e vendit tonë, është e nevojshme të hapet një debat parimor lidhur me atë se çfarë shoqërie civile dëshirojmë të kemi? Me fjalë të tjera, a do të krijojmë organizata joqeveritare ose jopartiake? A do të mbështesim krijimin e ambientit të tillë demokratik në të cilin organizatat joqeveritare do të jenë antipod i qeverisë, apo ato do të shërbejnë si zëdhënëse të subjekteve të caktuara politike? Kjo dilemë është thelbësore nëse nisemi nga fakti se organizatat joqeveritare përmes veprimtarisë së tyre kanë për qëllim përmirësimin e kualitetit të demokracisë dhe ky qëllim në një shtet që akoma është në fillim të ndërtimit të demokracisë është më shumë se një qëllim fisnik.
Ajo që duket si problem i funksionimit të sektorit tonë joqeveritar është pamundësia për të bërë dallimin mes organizatave joqeveritare dhe jopartiake. Eksperienca po tregon se tek ne mund të ekzistojnë, dhe në fakt ekzistojnë organizata që nuk janë qeveritare por në të njëjtën kohë promovojnë agjenda të caktuara politike, gjegjësisht partiake. A mund të themi se organizatat e tilla janë joqeveritare? Nëse nisemi nga supozimi se partitë politike synojnë pushtetin, atëherë ngel aktuale dilema çfarë synojnë organizatat që nuk janë qeveritare, por janë partiake?
Sa për tu sqaruar, nuk mendoj se është gabim që organizata të caktuara të përfaqësojnë agjenda të caktuara politike, përkundrazi. Por, gjithsesi se mendoj se agjendat politike duhet prezantuar si politike, për të mos ia lënë sektorit civil njollën e identifikimit politik dhe për të mos krijuar bindjen se sektori civil është peng i ndikimeve apo kontrollit politik. Shoqëria jonë ka demokraci dhe liri të mjaftueshme për të lejuar dhe afirmuar mendimin e lirë dhe mendimin ndryshe. Fakti që sot një numër organizatash qytetare ekzistojnë, kritikojnë, madje edhe protestojnë, është tregues mjaft i qartë dhe i fuqishëm se jetojmë në një shoqëri të lirë, dhe elitat politike kanë një pjesë të meritës për këtë arritje. Përveç kësaj, nëse u referohemi shembujve nëpër botë, do të shohim se disa nga organizatat joqeveritare më me ndikim në mbarë rruzullin tokësor, janë pikërisht ato të cilat me përkushtim kanë afirmuar agjendat e tyre, pa lejuar përzierje apo ndikim të politikës apo qeverive në punën e tyre.
Vija ndarëse ndërmjet të qenit joqeveritar dhe jopartiak në kontekstin e organizimit qytetar është vërtetë një teh i hollë, gati i tejdukshëm, e megjithatë bën një diferencë elementare për funksionimin e demokracisë. Dallimi mes këtyre dy përkatësive është elementi themelor që mundëson që sektori civil të ruajë autonominë e vet nga ndikimi politik dhe të promovojë politika që do të shërbejnë si alternativa të politikave qeveritare. Në momentin që një organizatë civile vendos të kalojë në organizim politik, megjithatë, do të ishte fer, e drejtë dhe mbi të gjitha e ndershme që tendenca e këtillë të shpallej haptas dhe në mënyrë të qartë. Në të kundërtën, hapësira e sektorit joqeveritar do të ngushtohej dhe koncepti i veprimtarisë joqeveritare do të degjeneronte. Organizatat joqeveritare ekzistojnë për të bërë kritikun e qeverisë, ato nuk guxojnë të shërbejnë si trampolinë për të katapultuar në skenën politike individë ose agjenda të caktuara politike. Qasja e këtillë e dëmton, nuk e forcon demokracinë.