Edhe më keq në këtë situatë mund të ndodhen nxënësit maqedonas, të cilët në tekstet e tyre shkollore nuk mësojnë asgjë për kulturën, traditën, historinë, gjuhën e shqiptarëve dhe tek ata krijohet përceptimi ishullor, se gjoja, Maqedonia dhe maqedonizmat janë strumbullari rreth të cilëve sillet globi tokësor. Në momentin kur ta kuptojnë këta fëmijë, kur një ditë do të rriten, se Maqedonia është provinca më e harruar dhe më e lodhur e globit, atëherë, me siguri do të jetë shumë vonë
Cirkusiada me tekstet shkollore
Lindita SEJDIU
Skandali i radhës me librin "Shoqëria" për klasat e pesta të fillores, zbulon edhe një paradoks, që lidhet me keqmenaxhimin nga ana e qeverisë të çështjeve me interes shoqëror e publik. Pas "Enciklopedisë" famoze, të botuar nga ana e AMASH, ku "dora" e qeverisë ishte prezente në njërën, apo formën tjetër, tani na vjen "margaritari" tjetër, i quajtur "Shoqëria" për klasat e pesta.
Reagimi me vonesë për tërheqjen e këtyre publikimeve nga qarkullimi tregon edhe njëherë për neglizhencën profesionale të njerëzve të angazhuar nga qeveria për redaktimin dhe recensimin e këtyre titujve kontestues. Nuk është hera e parë që gabimet të vërehen, pasi të jenë botuar këta tituj dhe ajo që është më skandalozja, ndaj bartësve të këtyre lëshimeve nuk ndërmerren kurrfarë masash.
Problematika e teksteve shkollore në arsimin shqip ka qenë dhe mbetet një nga hendikepet kryesore, që assesi s'ka mundur të merr një epilog të lumtur. Gjithmonë, kur janë në pyetje tekstet shkollore në gjuhën shqipe paraqiten tri-katër mangësi natyrash të ndryshme: fillimisht, ato, si me komandë, vonohen dhe nxënësit shqiptarë, zakonisht i marrin pas disa muajve, tekstet shkollore në gjuhën shqipe vuajnë nga mangësi materiale, përmbajtësore e gjuhësore, autorët e shumicës së librave shkollorë janë maqedonas dhe në disa tekste shkollore në gjuhën shqipe nuk respektohet parimi i diversitetit gjuhësor, kulturor, fetar e civilizues.
Idea për të pasur shqiptarët në Ballkan disa tekste të përbashkëta shkollore, asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur. Përparësia e kësaj ideje është e shumanshme: në radhë të parë, reduktohen shpenzimet për të paguar autorë, redaktorë e recensentë të ndryshëm, pastaj hapësira e përbashkët kulturore e shpirtërore mund të merr një dimension tjetër integrues, nëse lançohen tekste shkollore, që e promovojnë këtë përbashkësi, shtetet si Shqipëria, Kosova e Maqedonia kanë synime të përbashkëta euro-atlantike, prandaj edhe formimi i politikave të përbashkëta arsimore e kulturore, do ta bënte më të harmonishme këtë aspiratë të tyre të përbashkët gjeostrategjike.
Në Maqedoni hetohet një dominim pa kriter i kulturës, gjuhës, historisë e traditës sllave-ortodokse në tekstet shkollore. Librat e historisë, kulturës muzikore, gjeografisë etj., vlojnë nga formulime bajate e joprofesionale, që nuk shprehin as për së afërmi diversitetin etnik, gjuhësor e fetar të Maqedonisë. Në tekstin "Shoqëria", për klasat e pesta, struktura fetare në Maqedoni shprehet me shifra skandaloze, duke i paraqitur myslimanët me 19 për qind, ndonëse sipas të dhënave të BFI-së, në Maqedoni jetojnë mbi 1 milion myslimanë, ose mbi 40 për qind e popullatës së këtushme i takon konfesionit islam.
Janë këto gabime të rastit? Ata që do t'i besojnë rastësisë, nuk jetojnë me realitetin e këtushëm. Ose, duan ta mjegullojnë realitetin me flokula bajate, të cilave u ka skaduar afati ende pa dalur në publik. Sigurisht që, asgjë nuk është e rastit në kohën kur në Maqedoni ka kohë që promovohet një ambient intolerant etnik, fetar e gjuhësor, kurse promotor i këtij ambienti paraqiten segmente të caktuara të shtetit. Zgjatimet e këtyre segmenteve, që mund t'i hasim nëpër institutucione shkencore, fakultete, shtëpi botuese, shoqëri civile, medie etj., në vazhdimësi thellojnë hendekun, ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, duke lartësuar pa kriter rëndësinë e një gjuhe, kulture e religjioni në dëm të gjuhëve, kulturave dhe religjioneve jomaqedonase.
Prandaj edhe "përvjedhja" e këtyre gabimeve në tekstet shkollore nuk na duket kurrfarë befasie. Një shoqëri, që me vite të tëra "bombardohet" nga njëtrajtshmëria e qasjes, ndaj problematikave të ndjeshme, nuk ka se si të mos shndërrohet në një kazan jovlerash. Fatkeqësisht, të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak jemi të detyruar të goditemi nga ndikimet negative receptuese, që vinë nga ky kazan jovlerash. Mund ta imagjinoni psikën e brishtë të fëmijëve tanë në klasat e fillores, tek të cilët depërtojnë pa kurrfarë standardi estetik, etik, shkencor përmbajtjet mësimore, të cilat më shumë krijojnë ndjenjën e refuzimit, se sa të përafrimit, më shumë krijojnë instinktin e izolimit, se sa të integrimit.
Edhe më keq në këtë situatë mund të ndjehen nxënësit maqedonas, të cilët në tekstet e tyre shkollore nuk mësojnë asgjë për kulturën, traditën, historinë gjuhën e shqiptarëve dhe tek ata krijohet përceptimi ishullor, se gjoja Maqedonia dhe maqedonizmat janë strumbullari, rreth të cilave sillet globi tokësor. Në monetin kur ta kuptojnë këta fëmijë, kur një ditë do të bëhen të rritur, se Maqedonia është provinca më e harruar dhe më e lodhur e globit, atëherë, me siguri do rë jetë shumë vonë. Atëherë, ata do të ballafaqohen me realitetin, i cili është më i vrazhdë se iluzionet e bukura, që ua krijojnë tekstet shkollore.
Praktikat e shteteve të civilizuara, ku përmbajtjet mësimore i nështrohen ekspertizave didaktike, etike, morale e shkencore, duhet të gjejnë hapësirë edhe në mjedisin tonë. Ka mjaft profesorë e akademikë nga Maqedonia, të cilët kanë pasur kontakt me këto praktika, prandaj na duket anakronike të ngelemi bishti i Europës, në kohën kur të gjithë ne synojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar. Por, sigurisht, jo me tekste shkollore që në shpinë mbajnë "boshtin" imagjinar, rreth të cilit sillet Maqedonia.